Një histori si në filmat e Hollivudit. Nga frika se banka nuk të ishte në gjendje të shlyente detyrimet ndaj depozituesve shumë klientë kanë tërhequr gjatë ditëve të kaluara më shumë se 1,3 miliardë dollarë nga depozitat e tyre. Kështu “IndyMac” u zhyt në një krizë të thellë likuiditeti. Meqenëse banka nuk kishte më mundësi të dilte vetë nga kriza të premten (11.7.) autoriteti për sigurimin e depozitave mori bankën nën kontroll. Me anë të sigurimit të depozitave në SHBA janë të siguruara si rregull depozitat deri në 100.000 dollarë. “IndyMac” kishte fillimisht depozita në shumë prej 19 miliardë dollarësh. Së fundi, sipas të dhënave të autoriteteve, shuma prej rreth 1 miliard dollarësh nga gjithsej 10.000 klientë nuk ishte e mundur të sigurohej.
“IndyMac” gjatë bumit të pasurive të patundshme në SHBA ishte një nga kredidhënësit më të mëdhenj gjatë viteve të kaluara. Një mik i njeriut të thjeshtë. Banka u kishte dhënë shumë kredi klientëve me siguri të vogla.
Në një përpjekje të dëshpëruar shpëtimi banka ndaloi javën e shkuar biznesin e ri dhe bëri reduktime radikale në personel. Plot gjysma e 7200 vendeve të punës u shkurtua. Kriza e bankës, e cila pati shumë humbje gjatë krizës në tregun e pasurive të patundshme bëri që kursi i aksioneve të bankës në bursën Walll Street-it të binte në nivel shumë të ulët. Tani ato janë fare pa vlerë.
Pas falimentimit të dytë më të rëndë në historinë e bankave në SHBA, “IndyMac” do të drejtohet në të ardhmen nga autoriteti për sigurimin e depozitave dhe pritet të hapet sot sërish. Gjatë muajve të ardhshëm do të kërkohet një blerës për gjithë bankën ose për elementë të caktuar të saj. Zëdhënësi i autoritetit për sigurimin e depozitave David Barr u shpreh: "Banka është nën kontrollin e autoritetit për sigurimin e depozitave. Ajo do të përpiqet gjatë 90 ditëve të ardhshme ta shesë atë. Deri atëherë për klientët që kanë më pak se 100.000 dollarë nuk ndryshon asgjë".
Sipas stilit hollivudian, është edhe kërkimi publik për fajtorët e falimentimit. Për mbikëqyrjen bankare fajtori është Senatori demokrat i Nju Jorkut, Charles Schumer, i cili me shprehjen publikisht të dyshimeve të tij ndaj aftësisë paguese të bankës “IndyMac” çoi në rrënimin e saj. Por Senatori thotë se mbikëqyrja bankare ka dështuar në punën e saj dhe ky nuk është rast unik.
Pas falimentimit të “IndyMac”, sektori bankar druhet se do të ketë edhe të tjera. Të premten pati zëra sipas të cilave Freddie Mac dhe Fannie Mae, dy financuesit më të mëdhenj të hipotekave në SHBA, do të merreshin në mbrojtje nga shteti për shkak të problemeve akute të likuiditetit.
Për momentin, investitorët nuk po guxojnë aspak. Pas falimentimit të “IndyMac”, e shtata bankë që dështon që nga momenti kur nisi kriza e kredive në verë të vitit që kaloi si dhe banka e dytë më e madhe që falimenton në historinë 75-vjeçare të Federal Deposit Insurance Corp, aksionet në pothuajse të gjithë bankat e Amerikës pësuan një rënie të menjëhershme të hënën, duke përfshirë edhe kursimet dhe huatë në vend.
Nga : Gazeta Metropol