Ligji i shumëdebatuar “Patriot Act” për përgjimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk është miratuar nga Senati. Autoriteti ligjor i Agjencisë Amerikane të Kundërzbulimit për mbledhjen e tabulateve telefonike skadoi në mesnatë kur edhe u votua kundër tij.
Megjithatë, Dhoma e Lartë e Kongresit votoi për avancimin e Aktit të Lirisë së mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, në mënyrë që një formë e re e grumbullimit të të dhënave të mund të aprovohet gjatë ditëve në vijim.
Akti i Lirisë dikton shtimin e kontrolleve pas skandalit të përgjimeve, të ekspozuar nga ish-kontraktuesi i NSA-së, Eduard Snoëden.
Senatori republikan Rand Paul, kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, tha se ligji do të kalojë në seancën e radhës të Senatit.
Pas kësaj, Agjencia Kombëtare e Sigurisë do të jetë e detyruar që të ndërpresë programin e ruajtjes së të dhënave në serverat e saj. Kjo lë SHBA-të zbuluar ndaj çdo kërcënimi terrorist.
“Patriot Act” lejonte përgjimin e çdo kujt pa kërkuar më parë autorizimin e autoriteteve përkatëse. Ai hyri fillimisht në fuqi pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 kur edhe u miratua nga Presidenti republikan i kohës, Xhorxh Bush.