Në raportin e përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër drogave në botë, që iu dorëzua të mërkurën Kongresit, Shqipëria cilësohet si një vend që shërben si burim i rëndësishëm marihuane dhe si një pikë nga transportohet heroina dhe kokaina e destinuar për tregjet evropiane.
Në raport thuhet se sasia e drogës së kapur dhe numri i arrestimeve u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2014. Kjo u arrit si rezultat i shtimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët rajonalë, veçanërisht me policinë italiane, si dhe shtimit të angazhimit për të luftuar prodhimin e drogës dhe trafikimin e saj nga autoritetet politike dhe ato të rendit të Shqipërisë, që çuan në rritjen e madhe të operacioneve në mbarë vendit, thotë më tej raporti. Me përjashtim të marihuanës, Shqipëria nuk është një prodhues i rendësishëm drogash, apo lendëve për përftimin e tyre ose drogave sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për përdorimin e drogave. Me përjashtim të marihuanës, përdorimi i drogave të tjera nuk duket se është diçka e përhapur.
Sipas policisë shqiptare, sasia e marihuanës së kapur në nëntë muajt e parë të vitit 2014 ishte 101.7 tonë, një rritje e ndjeshme kjo nga sasia e përgjithshme prej 96 tonësh nga viti 2005 deri në vitin 2013. Në mbarë vendin po ashtu u shkatërruan 530,177 bimë marihuane në 2,214 parcela individuale. Shumica e parcelave të mbjella ishin identifikuar nga autoritetet italiane. Policia shqiptare po ashtu ka kapur 63 kg heroine dhe 23 kg kokainë.
Gjatë të njejtës periudhë 9 mujore të raportuar, policia arrestoi 1058 persona për shkelje që lidhen me trafikimin e drogave, duke kaluar numrin total të të arrestuarve për 2013 që ishte 803. Shqipëria ka bashkëpunuar me autoritetet evropiane dhe ato të Amerikës së Jugut për të kapur 250 kg kokainë në portin e Barit në Mal të Zi, që kishte si destinacion Shqipërinë, për t’u transportuar më pas në Evropë.
Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër drogave, përfundon raporti i Departamentit të Shtetit./VOA