Qarqet e shqiptarëve të dëbuar përshëndetën sot këtu djalin 22-vjeçar të mbretit, si “Princi Trashëgimtar” Leka, pasuesi i fronit mbretëror shqiptar. Shqipëria drejtohet nga komunistët që pas Luftës së Dytë Botërore (1945). Përpara dëbimit të tij, jeta e Zogut ndoqi një rrugë të mundimshme përballë intrigave të Ballkanit dhe politikave të ekzekutimeve dhe grushteve të shtetit. Pastaj, ai i ra kryq e tërthor botës, madje duke qëndruar për pak kohë dhe në “Long Island” në Nju-Jork. I lindur më 8 tetor 1895 në Burgajet të Matit, Zogu rridhte nga familja e njohur e Zogollit, një nga katër familjet sunduese në zonën e Matit. Babai i tij, Xhemal Pashë Zogu, i cili kishte dhënë ndihmesën e tij në zmbrapsjen e Perandorisë Otomane duke shpëtuar krahinën e Matit, u helmua pak kohë më vonë në Stamboll.
Ndërsa nëna e tij, Sadie Toptani, ishte një grua e thjeshtë fshatare. Zogu u arsimua në shkollat ushtarake në Manastir (shkolla turke e oficerëve), Kostandinopojë (Akademia Ushtarake e Konstandinopojës, Stamboll) dhe ndoqi Akademinë Ushtarake Britanike të “Sundhurst”-it, vendi i preferuar i arsimimit ushtarak për mbretërit. Që në rininë e tij, ai kujtohet si një i ri tepër aktiv në jetën publike shqiptare dhe luftoi për herë të parë si kolonel në vitin 1912, në betejën kundër Serbisë dhe Malit të Zi, që tashmë janë pjesë e shtetit të Jugosllavisë. Drejt fundit të Luftës Ballkanike, Zogu mori pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë si një përfaqësues i krahinës së Matit. Por ai do të detyrohej shumë shpejt të arratisej drejt Vjenës pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania dhe Austria në Luftën e Parë Botërore.
Ai u kthye në vendlindje vetëm pas fundit të luftës dhe në vitin 1920 Zogu thirri një asamble në mënyrë që ta shpëtonte vendin nga copëzimi. Asambleja e zgjodhi atë ministër të Brendshëm, një ministri që e ndihmoi Zogun të konsolidonte shtetin dhe të shtypte një sërë kryengritjesh. Tre vjet më vonë, në vitin 1923, atij iu kërkua të formonte një qeveri, por u detyrua të dorëhiqej për shkak të një tentative për t i marrë jetën. Pas dorëheqjes së tij, vendi u përfshi nga një revolucion. Por këtë revoluciuon Zogu do ta shtypte, gjë që më pas do ta detyronte të dorëhiqej. Pas shtypjes së revolucionit, ku ai luajti rolin e tij, asambleja e zgjodhi atë President të Republikës së Shqipërisë në vitin 1925. Si president ai i solli vendit paqen, në një kohë që Shqipëria ishte përfshirë nga trazirat dhe vendosi një regjim solid. Tre vjet më vonë, në shtator 1928, ai u vetëshpall Mbreti Zog i Parë i Shqiptarëve. Zogu përdori fuqitë e tij të reja si mbret për të prezantuar reforma gjithëpërfshirëse në mbretërinë e prapambetur, por ai ishte vazhdimisht nën presion nga fqinjët e Jugosllavisë dhe Italisë.
Me pushtimin e vendit të tij, në Adriatik, nga Italia, Zogu u arratis për në Britani, ku kaloi kaloi vitet e Luftës së Dytë Botërore. Një asamble e kontrolluar nga komunistët mori pushtetin e Shqipërisë në dhjetor të vitit 1945 dhe një muaj më vonë vendi u vetëshpall Republikë, duke u ndarë njëherë e mirë me monarkinë. Zogu dhe shoqëruesit e tij shkuan në Angli dhe lundruan drejt Egjiptit, ku iu vu dhe një shtëpi në dispozicion nga një miku i tij, ish- mbreti i Egjiptit, Faruk. Kur Farukut iu hapën probleme me shtetin e Egjiptit, Zogu u largua nga ky vend. Tashmë qeveria e re revolucionare egjiptiane nuk mund ta përjashtonte nga taksat ashtu siç bënte miku i tij Faruk. Ai bleu një pasuri të paluajtshme prej 95 akrash në Syosset të Long Island-it dhe një shtëpi të madhe me 30 dhoma për vete dhe mbretëreshën e tij e njohur si “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”. Ata e vizitonin shtëpinë vetëm për pak kohë dhe gjatë mungesës së tyre huliganët e dëmtuan.
Nga viti 1955, ish- familja mbretërore jetonte në një vilë me qira afër qytetit të Kanës në rivierën franceze, pa shërbëtorë dhe refuzoi çdo ftesë që i erdhi nga mbretërit e tjerë. Shtëpinë në Long Island familja mbretërore e shiti për shkak dhe të problemeve që kishte me autoritetet e vendit të Nassau-t. Ai nisi të shkruante dhe veprën e jetës së tij, të cilën nuk do të mund ta përfundonte dot kurrë dhe për shkak të humbjes së një pjese të mirë të punës që kishte bërë pas një bombardimi kur ishte në Angli. Shkrimet e Zogut u përkthyen nga shqipja në frëngjisht nga përkthyesja e tij personale. Mbretëresha e Zogut e mbështeti familjen e dikurshme të pasur mbretërore në vitet e arratisë, duke shkruar histori misterioze jo në emrin e vërtetë të saj, - raportoi Shtypi i Bashkuar Ndërkombëtar.
Autori i Lajmit: Androkli Dralo/ballkan