Ky kombinim faktorësh, pra rritja e prodhimit dhe rënia e konsumit, kanë sjellë Shtetet e Bashkuara në mënyrë të papritur pranë objektivit që ka persekutuar të gjithë presidentët që nga koha e Niksonit: pavarësia energjetike nga burimet e huaja, një objektiv që mund të ndryshojë politikën e jashtme të SHBA-ve, ekonominë e shumë gjëra të tjera. Gjatë vitit të kaluar, SHBA-të importuan vetëm 45 për qind të sasisë së energjisë që konsumuan, shumë më pak se sa maksimumi prej 60 për qind i shënuar në vitin 2005.
“Nuk ka asnjë dyshim që shumë politikbërës të sigurisë kombëtare do të ndjehen shumë më rehat dhe do ta shohin botën shumë më ndryshe në rast se Shtetet e Bashkuara importojnë më pak naftë,” shpjegon Michael A. Levi, një ekspert energjie. “Për shumë dekada konsumi u rrit, prodhimi ra dhe importet u rritën, ndërkohë që tani po ndodh krejt e kundërta.”
Shkaqet e kësaj kthese të madhe lidhen pjesërisht me politikat ndihmuese për industrinë që ndërmori presidenti Bush dhe që u mbështetën edhe nga Obama. Shumë probleme mjedisore u injoruan ndërkohë që avantazhi teknologjik lejoi nxjerrjen e naftës dhe gazit nga burime që dikur konsideroheshin tepër të vështira dhe tepër të shtrenjta për t’u arritur. Por kthesa i detyrohet edhe ekonomiksit kompleks të energjisë. Ekonomiksi i thjeshtë sugjeron që një vend që prodhon më shumë energji, krijon hapësirë për çmime më të ulëta. Por nafta bruto dhe benzina e nafta diezel që del prej saj, janë mallra globale dhe i binden kërkesë-ofertës globale.
Gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që kanë reduktuar importet e naftës nga vendet anëtare të organizatës OPEC me 20 për qind, por për herë të parë në shumë dekada kanë një bilanc tregtar pozitiv për produktet e rafinuara si nafta diezel apo benzina. Prodhimi kombëtar i naftës në SHBA shënoi pikën më të ulët më 2008 me mesatarisht 4.95 milionë fuçi në ditë. Në vitet ’70, në këtë vend prodhoheshin deri në 9.6 milionë fuçi në ditë. Tani prodhimi është rritur në 5.7 milionë fuçi.
Kjo rritje prodhimi nuk ka ardhur pa probleme. Teknologjia e përdorur aktualisht njihet si teknologjia e copëzimit hidraulik, ku uji me presion të lartë, rëra dhe lubrifikantë kimikë futen nën tokë për të bërë të mundur nxjerrjen e një sasie më të madhe nafte nga sa nxirrej me teknologjitë e vjetra. Ekspertët e mjedisit po ankohen për probleme të rënda të krijuara nga kjo teknologji. Pavarësia më e madhe energjetike “është një arritje që është synuar prej shumë kohësh nga strategët e mund të sjellë shumë përfitime ekonomike dhe në sigurinë kombëtare,” thotë Jay Hakes, një zyrtar i lartë në Departamentin e Energjisë gjatë administratës Clinton. “Por ne duhet të punojmë më shumë nëlidhje me problemet mjedisore,” shton ai. Marrë me shkurtime nga New York