Dy avionë mallrash me 17 tonë monedha argjendi dhe artefakte të tjera spanjolle, të gjetur në një anije në fund të detit, janë nisur nga Florida për në Spanjë. Të 594 mijë monedhat janë gjetur në galeonin spanjoll “Nuestra Senora de las Mercedes”, i cili u mbyt nga një luftanije britanike në Atlantik, ndërsa udhëtonte nga Amerika e Jugut, në vitin 1804. Ky thesar konsiderohet nga Spanja trashëgimi kulturore. Thesari u gjet në vitin 2007 nga “Odyssey Marine Exploration”, SHBA. Për pronësinë e tij është debatuar gjatë pesë viteve të fundit, por Gjykata Federale në SHBA vendosi se thesari nuk kishte të bënte me vlerën monetare, por me historinë, dhe kërkoi kthimin e tij në Spanjë. Në kohën e humbjes së tyre, monedha kishin vlerën 500 milionë dollarë. Anija besohet se kishte 200 persona në bord në kohën kur u mbyt.