SHBA kush votuan te paret dhe kush te fundit

SHBA, kush votuan të parët dhe kush të fundit
Pas një fushate elektorale që ka nisur dy vjet më parë, më në fund Shtetet e Bashkuara të Amerikës votuan për të përcaktuar njeriun që do pasojë Xhorxh Bushin në Shtëpinë e Bardhë. Sondazhet e shohin kandidatin demokrat, Barak Obama, në avantazh të ndjeshëm ndaj republikanit Xhon MekKein, ndërkohë që fitorja e të parit do t‘i jepte Amerikës për herë të parë në historinë e vet një President me ngjyrë. Një zhvillim me përmasa historike për këtë komb gjatë këtyre 232 viteve.

Siç e do tradita elektorale amerikane, rezultati i parë mbërriti nga qendra elektorale e Diksvill Nortç i Nju Hemshairit, ku 21 zgjedhësit votuan që të gjithë njëherësh në mesnatën e mbrëmshme: 15 prej tyre ia dhanë votën Obamës, 6 MekKeinit. Kandidati me ngjyrë fitoi edhe në Hart‘s Lokeishon, një tjetër zonë mikroskopike e Nju Hempshairit, e cila gjithashtu, sipas traditës, voton menjëherë pas mesnate: 17 vota për Obamën kundër 10 të MekKeinit. Në orën 05:00 të mëngjesit (ora 11:00 në Shqipëri) u hapën qendrat e votimeve në shtetin Vermont. Rezultatet e para domethënëse, falë të cilave do mund të krijohet një ide mbi fituesin, pritet të bëhen publike në orën 19:00 (ora 01:00 e mëngjesit të së mërkurës në Shqipëri), kur gjashtë shtete do kenë përfunduar procesin e votimeve.

Votimi në Nju Hempshair

Për të ruajtur rekordin e zonës elektorale, që shpall rezultatet e para ndër të tëra, që të gjithë zgjedhësit e Diksuill Notçit- i cili përbëhet nga 75 rezidentë -votojnë njëherazi në mesnatë. Për t‘ua mundësuar këtë, secili votues ka kabinën e vet. Fletët e votimit futen sa më shpejt të jetë e mundur në kutinë e votimit, ndërkohë që po me kaq urgjencë bëhet edhe numërimi. Për t‘u vërejtur është se numri i reporterëve që e ndjekin këtë operacion është tri herë më i madh se ai i votuesve.

Diksuill Notç e ruan që prej disa zgjedhjeve presidenciale këtë rekord. Zakonisht votat republikane në këtë zonë i kalojnë ato të demokratëve dhe rezultati i kësaj qendre zgjedhore konsiderohet absolutisht pa asnjë lloj peshe si tregues i prirjeve zgjedhore në rang kombëtar. Është pikërisht kjo arsyeja për të cilën fitorja e ndjeshme e kandidatit me ngjyrë nuk mund të kalonte pa njëfarë jehone. Për disa ishte zanafilla e një dallge votash pro Obamës, ashtu siç tregojnë edhe të gjitha sondazhet, duke e bërë kandidatin demokrat të parin President me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Radhët e gjata të votuesve

Në një numër të madh qendrash votimesh nëpër mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës u regjistruan radhë të gjata zgjedhësish në pritje për të dhënë verdiktin e atyre që konsiderohen tashmë si zgjedhjet të cilat do ndryshojnë Amerikën: në Nortgolk të Virxhinias, një numër i madh votuesish u vunë në radhë qetësisht që në orën 04:00 të mëngjesit, pavarësisht se qendrat nuk ishin hapur ende dhe kjo ishte një skenë që u përsërit vazhdimisht në disa prej shteteve amerikane. Në Virxhinia, një prej shteteve barometër, rezultatet e së cilës konsiderohen si të përafërta me ato përfundimtaret në gjithë Amerikën, qendrat e votimeve mbyllen në orën 19:00 (01:00 e mëngjesit me orën shqiptare). Në këtë orë parashikohet të mbyllen votimet në 6 shtete. Ndërkohë që pikërisht në Riçmond, kryeqytetin e Virxhinias, u prishën rreth 700 makina elektorale, duke ndaluar në disa qendra procesin e votimit.


Oraret e mbylljes së qendrave të votimeve


Rezultatet e votimeve në zgjedhjet amerikane nisën të mbërrijnë gjatë orëve të vona të natës dhe në vazhdim gjatë ditës së sotme. Ja edhe disa nga parashikimet e dorëzimit të rezultateve:

Ora 18:00 (24:00 me orën shqiptare), rezultatet e Indianës (të pjesës më të madhe të këtij shteti) dhe ato të Kentakit (pjesës lindore).

Ora 19:00 (01:00 e së mërkurës me orën shqiptare), rezultatet e Floridës (pjesës më të madhe të këtij shteti), Xhorxhias, Indianës (rajonet lindore), Kentakit (Pjesa perëndimore), Karolinës së Jugut, Vermontit, Virxhinias.

Ora 19:30 (01:30 e së mërkurës me orën shqiptare), rezultatet e Karolinës së Veriut, Ohajos dhe Virxhinias Perëndimore.

Ora 20:00 (02:00 e së mërkurës në mëngjes me orën shqiptare), Alabama, Konektikati, Delauer, Distrikti i Kolumbias, Florida (pjesa perëndimore) Ilinoisi, Meini, Marilandi, Masaçusetsi, Miçigani (pjesa më e madhe e shtetit), Misisipi, Misuri, Nju Hempshairi, Nju Xhërsi, Oklahoma, Pensilvania, Dakota e Jugut (pjesa lindore), Tenesi, Teksasi (pjesa më e madhe e shtetit).

Ora 20:30 (02:30 e mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare), Arkansasi.

Ora 21:00 (03:00 e së mërkurës në mëngjes me orën shqiptare), Arizona, Kolorado, Kansasi, Luiziana, Miçigani (zona e vogël e Gadishullit të Sipërm), Minesota, Nebraska, Nju Meksiko, Nju Jorku, Rhode Ajsland South Dakota (Pjesa perëndimore), Teksasi (zona e El Pasos), Uiskonsi, Uajoming.

Ora 22:00 (04:00 e mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare), Idaho (pjesa më e madhe), Ajoua, Montana, Nevada, Dakota e Veriut (rajoni lindor), Oregoni (rajoni lindor), Jutah.

Ora 23:00 (05:00 e mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare), Kalifornia, Havai, Idaho (pjesa tjetër), Dakota e Veriut (rajoni perëndimor), Oregoni (pjesa më e madhe e shtetit), Uashingtoni.

Ora 24:00 (06:00 e mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare), Alaska (pjesa më e madhe e shtetit).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama