SHBA mendon te amnistoje dekonspiruesin

SHBA mendon te amnistoje dekonspiruesin

Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) e SHBA-së po vlerëson mundësinë e ofrimit të amnistisë për ish-punonjësin e CIA-s Eduard Snouden (Edward Snowden) nëse ai pranon të ndalojë shpërndarjen e dokumenteve sekrete, thanë zyrtarët.

Përgjegjësi në NSA, që po vlerëson dëmet e pësuara nga shpërndarja e dokumenteve sekrete në publik, të cilat Snouden i publikoi pasi e konsideronte si të padrejtë përgjimin masiv të popullsisë nga autoritetet, tha se është i gatshëm të pranojë një marrëveshje amnistie.

Dokumentet e rrjedhura kanë vënë në vështirësi qeverinë amerikane, pasi zbulojnë sesa imtësisht po kontrollohet jeta e qytetarëve amerikanë përmes metodave të përgjimit elektronik, ndërkohë që Uashingtoni ka hyrë në telashe me vendet aleate, pasi u zbuluan programe përgjimi të udhëheqësve të huaj. Snouden gjendet aktualisht në strehim politik në Rusi. Ai zyrtarisht është në kërkim në SHBA për spiunazh. Por jo të gjithë zyrtarët janë dakord me idenë e amnistisë.

Një gjeneral i NSA-së kundërshtoi prerazi. “Kjo është njësoj sikur dikush të marrë 50 vetë peng, të vrasë dhjetë prej tyre dhe në fund të thotë: ‘më amnistoni që të liroj 40 të tjerët’”, tha ai.

Snouden ka marrë rreth 1.7 milionë dokumente nga NSA-ja dhe shumë prej tyre besohet se janë shumë të dëmshme për qeverinë amerikane. Një gazetar britanik, që ka punuar me dosjet e Snouden, thotë se deri tani ka dalë vetëm 1 për qind e të gjitha dokumenteve. Departamenti i Shtetit, ndërkohë, vijon me qëndrimin zyrtar që kërkon ekstradimin dhe gjykimin e Snouden për vjedhje dhe spiunazh. Secila prej akuzave dënohet me deri në 10 vjet burg.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama