Një përplasje diplomatike ka ndodhur mes Greqisë dhe SHBA-së, kjo për shkak të përdorimit të emrit Maqedoni gjatë një takimi të mbajtur në ministerialin e NATO-s në Bruksel.
Siç bëjnë të ditur mediat greke, ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, ka braktisur konferencën e mbajtur nga sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, me Ministrat e Jashtëm të vendeve të koalicionit kundër Shtetit Islamik.
Shkak për këtë veprim është bërë vetë Kerri, i cili gjatë përmendjes së emrave të vendeve bashkëpunuese ka thënë “Maqedonia”, duke mos përdorur emrin zyrtar, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Pas konferencës, Ministria e Jashtme Greke i ka dërguar edhe një letër zyrtare palës amerikane, ku ankohej për atë veprim të kryer.
Në letër thuhej se, Venizelos ishte larguar nga konferenca në shenjë proteste, duke qenë se emri i fqinjit verior të Greqisë nuk ishte vendosur ende dhe të dy vendet janë ende në proçes bisedimesh. Për më tepër që edhe në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, emri nuk është vendosur ende. Sipas Greqisë, Kerri nuk ndoqi proçedurën formale duke i thërritur vendet me emrin e tyre zyrtar. Edhe pse pala maqedonase kishte mbërritur në Bruksel me emrin zyrtar me të cilin përfaqësohen ndërkombëtarisht, në deklaratën e përbashkët që lëshuan 60 vendet pas takimit, shënohej Maqedonia. Pas largimit të Venizelosit, Greqia u përfaqësua në konferencë nga i dërguari i saj në NATO, Mihalis Diamesis.