SHBA-ja ka paralajmëruar sot qytetarët e saj që "Euro 2016" që do të zhvillohet këtë verë në Francë është një nga 'objektivat e mundshëm për terroristët".
Ky paralajmërim vjen pas lajmeve që janë publikuar më herët nga mediat evropiane se 'Euro 2016' është i rrezikuar nga terrorizmi.
Kampionati fillon në Paris më 10 qershor dhe eventin pritet ta ndjekin nga afër qindra mijëra tifozë.
Deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit pasqyron një paralajmërim të ngjashëm nga Presidenti Francois Hollande dhe vjen pasi policia e mjekësisë ligjore dhe policët e armatosur kanë marrë pjesë sot në një stërvitje për të qenë të përgatitur nga sulmet terroriste, jashtë stadiumeve të futbollit në Paris dhe Lion.
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet: 'Stadiumet e Euro Cup, zona e tifozëve dhe objektet argëtuese paraqesin objektivat e mundshëm për terroristët.
Ne po lajmërojmë qytetarët amerikanë për rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste në të gjithë Evropën, duke synuar evente të mëdha, vendet turistike, restorante, qendra tregtare dhe të transportit. Numri i madh i turistëve që vizitojnë Evropën në muajt e verës do të paraqesë objektivat më të mëdha për terroristët që planifikojnë sulme në vende publike, sidomos në evente të mëdha."