Dyshimet se shërbimet inteligjente amerikane kanë përgjuar telefonatat e kancelares gjermane Merkel dhe raportimet e gazetës “Lë Mond”, sipas të cilave, NSA ka vëzhguar rreth 70 milionë telefonata të francezëve, ka bërë që çështja e spiunazhit të zërë vendin kryesor në samitin e sotëm të liderëve të BE-së.
Në fakt, mbrëmë, Merkel i ka telefonuar personalisht Obamës për t’i kërkuar shpjegime mbi këtë çështje. Biseda mes dy udhëheqësve u zhvillua pasi revista e njohur gjermane “Der Spiegel” raportoi se NSA e spiunon prej vitesh shefen e ekzekutivit të Gjermanisë. Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhei Karnei tha se Presidenti Obama e ka siguruar kancelaren Merkel se SHBA-ja nuk e ka përgjuar dhe nuk do ta përgjojë asnjëherë. Sipas tij, Uashingtoni e vlerëson lart bashkëpunimin me Gjermaninë dhe ndan me të shqetësimet për sfidat e sigurisë.
Në lidhje me këtë, Berlini zyrtar thirri për shpjegime edhe ambasadorin amerikan në Gjermani.
Kancelarja gjermane Merkel është liderja më e fundit, që dyshohet se është përgjuar nga autoritetet amerikane. Më parë, raporte të ngjashme nga mediat kanë dalë për përgjimin edhe të Presidentes së Brazilit Dilma Rusef dhe kreut të shtetit të Meksikës, Enrike Penja Nieto. Ndërsa pas shpërthimit të skandalit për spiunimin e shtetasve francezë, Obama garantoi homologun Holond se do të rishikonte politikën e mbledhjes së informacioneve nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë.