Një 13-vjeçar, i cili ishte duke mbajtur një armë lodër tip pushke, është qëlluar për vdekje nga policia e shtetit të Kalifornisë. Oficerët në qytetin e Santa Rosa-s thanë se hapën zjarr ndaj të riut, pasi ai kishte refuzuar ta hidhte pushkën, që ata kujtuan se ishte e vërtetë. Ngjarja e së martës ka nisur të hetohet tashmë. Ajo ndodhi vetëm 1 ditë pasi një 12-vjeçar në Nevada qëlloi për vdekje një mësues matematike në shkollën e tij dhe plagosi dy nxënës të tjerë, përpara se të vetëvritej.
Në incidentin e fundit, 2 zëvendës sherifë panë adoleshentin “me një armë, që dukej si pushkë”, thuhej në një deklaratë informuese nga zyra e rajonit të policisë. Ata kishin thirrur përforcime dhe në mënyrë të përsëritur i kishin kërkuar djalit të ulte poshtë armën, përpara se ta qëllonin me disa plumba, tha policia.
Djali, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje, u identifikua më vonë nga familja e tij si Andy Lopez. Babai i tij, Rodrigo Lopez tha se arma lodër i përkiste një shoku të tij. Zyra e sherifëve njoftoi gjithashtu se një armë dore plastike u gjet në rripin e mesit të të ndjerit.
Dëshmitari Brian Zastrow tha për mediat lokale se kishte dëgjuar 7 të shtëna. “Fillimisht dëgjova sirenën dhe brenda pak sekondash edhe 7 të shtëna”, tha ai. Shefi i policisë, Dennis O’Leary, tha se sherifëve u është dhënë pushim administrativ nga puna, deri sa të përfundojnë hetimet. Sherifi Steve Freitas tha se kjo ngjarje është një tragjedi dhe premtoi se hetimet do të jenë transparente dhe të thella.