Prokurori i Disktriktit Lindor të New York-ut ka paraqitur në gjyq akuzën kundër një grupi të rinjsh që akuzohen si autorë të një skeme mashtruese në uebsajtin e njohur të ankandeve personale “e-bay”. Të pandehurit, gjashtë rumunë dhe një shqiptar, akuzohen se ofronin shitje automjetesh, varka dhe objekte të tjera të shtrenjta, të cilat në fakt nuk i zotëronin. Blerësit që gënjeheshin dhe dërgonin paratë përfundonin pa mallin që mendonin se po blinin. Zakonisht viktimat gënjeheshin me vërtetime e certifikata pronësie fallco.
Udhëheqësi i grupit është shpallur në kërkim nga Interpoli. Ai quhet Nicolae Popescu. Të akuzuarit e tjerë janë rumunët: Daniel Alexe, Dmitru Daniel Bosogioiu, Ovidiu Cristea, Tudor Barbu Lautaru dhe Dragomir Razvan si dhe shqiptari Fabjan Meme. Përveçse në e-bay, grupi postonte reklama për mallra të paqena edhe në uebsajte të tjera shitblerjeje si ‘Cars.com’, ‘AutoTrader.com’, ‘and CycleTrader.com’ etj. Grupi kishte krijuar një numër uebsajtesh të tyre për kompani shitje makinash e mjetesh lundrimi. Në fakt, këto kompani nuk ekzistonin. Faqet e tyre në internet ishin vetëm për mashtrim. Rreth 800 vetë janë gënjyer prej kësaj bande mashtruesish, sipas prokurorit. Dhe banda mashtrusëve ka fituar deri në një milion dollarë për mallra që nuk ekzistonin.