SHBA zhbllokohet shitja e tabletave Samsung

SHBA, zhbllokohet shitja e tabletave 'Samsung'
Ndalimi i shitjes së tabletave të kompanisë “Samsung Electronics” në Shtetet e Bashkuara është hequr nga një gjykatë amerikane. Gjyqtarja Lucy Koh dha vendimin duke shfuqizuar ndalimin që ishte vendosur në kuadër të betejës gjyqësore për patentën e tabletave me “Apple”. Ndalimi hyri në fuqi më 26 qershor. Nga ana tjetër, “Samsung” depozitoi të martën një padi ndaj produktit të fundit të “Apple”, iPhone 5, duke thënë se ka shkelur patentën e tij.

“Apple” dhe “Samsung”, dy kompanitë lider në tregun fitimprurës të smartphone-ve, janë përfshirë në një betejë ligjore lidhur me ekskluzivitetin e ideve për produktet e tyre në të paktën 10 shtete.

Vendimi për të ndaluar shitjen e tabletës “Galaxy Tab” ishte marrë pas një gjyqi njëmujor mes dy kompanive. Në gusht, në përfundim të gjyqit, “Apple” siguroi fitoren për akuzën ndaj “Samsung” se kishte kopjuar iPhone-in dhe iPad-in e saj për të realizuar produktet e veta. Gjithashtu, kompania e themeluar nga Steve Jobs mori edhe një dëmshpërblim prej 1 miliard dollarësh për shkak të dëmeve që i ishin shkaktuar. Gjithësesi, juria këtë herë vendosi se “Samsung” nuk e kishte shkelur patentën, që u bë motivi kryesor për ndalimin e shitjes së tabletës së saj. Për rrjedhojë, “Samsung” kërkoi që embargoja të hiqej.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama