SIDA vaksinat nen akuze
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Ky është një zhgënjim ndërkombëtar: ndërkohë, nga njëra anë autoritetet bëjnë thirrje për reflektim, ndërsa, nga ana tjetër, duket një entuziazëm i jashtëzakonshëm dhe një sfidë e re. Duket se bota e shkencës është ndarë në dy pjesë (ka nga ata që sugjerojnë që paratë të shpenzohen më mirë, duke studiuar strategji të tjera parandaluese) dhe debati mbi vaksinat u hap ditën e diel në Konferencën Ndërkombëtare të SIDA-S, në qytetin e Meksikës.
Një nga autoritetet më të rëndësishme botërore për kërkimin e SIDA-S, Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit, ka shkruar për numrin e fundit të revistës shkencore "Science", se ka të ngjarë që rruga e përshkuar deri tani nuk është ajo e duhura dhe se nevojiten ide të reja për të krijuar një vaksinë efikase. Pra, me sa duket gjithçka ka filluar sërish nga zeroja. "Nuk shoh kaq shumë negativitet. Ndoshta njerëzit skandalizohen, por nuk duhet të harrojmë që pas shumë vitesh studime, ende nuk e kemi përftuar vaksinën e duhur kundër virusit vdekjeprurës. Edhe pse tingëllon qesharake, njeriu mund të mësojë si nga dështimet, edha nga parandalimet, sepse një sëmundje infektive eliminohet vetëm me vaksinim", thotë një mjek infeksionit, pjesëmarrës në konferencën që u zhvillua në Meksikë.
Anulimi i projektit "Pave" (Partnership for Aids Vaccine Evaluation, një grup i financuar nga qeveria amerikane) erdhi pasi në shtatorin e vitit të kaluar, vaksina parandaluese, e nxjerrë në treg nga industria "Merck" dhe eksperimentuar në nëntë vende te 3000 persona për të parë efektshmërinë, kishte treguar se të vaksinuarit infektoheshin më shumë se të tjerët. Ky nuk është dështimi i parë: para pak kohësh, një tjetër preparat, "Vaxgen", i eksperimentuar në Tailandë, nuk kishte ofruar ndonjë mbrojtje kundër infeksionit. Sipas IAVI (International Vaccines Initiatives), në botë vazhdojnë të qarkullojnë të paktën 35 teste, ku eksperimentohen vaksinat në fazën e parë dhe të dytë, për të vlerësuar aftësinë e tyre, nëse të mbrojnë apo jo nga sëmundja (ky aktivitet verifikohet në fazën e tretë). Në Evropë, sapo ka nisur një tjetër eksperimentim, me një preparat (AT20 KLH) i krijuar nga një mikrobiolog italian. Bëhet fjalë për një vaksinë, e cila është menduar si një kurë që u jepet personave të infektuar, shoqëruar me ilaçe, jo si një parandalues infeksioni. Edhe pse mund të hidhen shumë hipoteza, do të duhen vite të tëra pune për të arritur te një vaksinë parandaluese, ndërkohë që disa studiues sugjerojnë të përdoren fondet e caktuara për kërkimet (ato të identifikuara kushtojnë 1200 milionë dollarë dhe vijnë nga Nih, nga fondacioni Gejts dhe një pjesë e vogël nga Bashkimi Evropian), për të gjetur forma të reja parandaluese kundër SIDA-S.
Çdo ditë, 6500 persona në botë infektohen me virusin HIV. Në vitin 2007, numri i sieropozitivëve dhe i të sëmurëve ishte rreth 33 milionë (gjysma prej të cilëve femra). Duke qëndruar sërish te 2007-a, numri i të vdekurve ishte 2.1 milionë. "Momentalisht nuk kemi asnjë alternativë për t‘i ulur këto shifra. Është e pamundur të veprojmë", shpjegon një studiues. Po parandalimi me ilaçe? "Disa studime, vazhdon ai, tregojnë se dhënia e antiviralëve si tenofovir, parandalon infeksionin te personat e rrezikuar. Por, një ilaç i tillë, cilit person do t‘i jepet më parë? Vajzave në Afrikë, apo personave të tjerë nëpër botë?"
Konferenca Ndërkombëtare Brazili, model për të gjithë botën
Brazili ishte protagonisti i Konferencës Ndërkombëtare të SIDA-S që u mbajt të dielën, datë 03.08.08 në Meksikë. Në fakt, për 10 vjet Brazili është bërë model botëror i luftës kundër SIDA-S. Numri i sieropozitivëve është ulur me 15 për qind dhe sot të prekurit nga SIDA në Brazil janë 570 mijë. Programi brazilian është bërë lëndë studimi për të gjithë.
Gazeta: Shqip