Nga BESNIK DIZDARI
Dhe asgjë tjetër. Kësisoj, 90 minuta para mbarimit, Kampionati i Shqipërisë 2015- 2016 ka "publikuar" pra vetëm këto tre vendime të paapelueshme të tij:
Sportklub Tirana në vendin e 5-të, Tërbuni i Pukës në vendin e 10-të, i fundit; dhe Vllaznia e Shkodrës që shpëton. Ky verdikt i mosrënies do të thotë se skuadra shkodrane, tejet e rrezikuar gjatë gjithë kampionati, ka shpëtuar "për mrekulli", siç thoshin Anton Mazreku e Ismet Bellova dikur...
E, pra, në 35 javë, plot 13 herë Vllaznia është renditur për rënie. Dhe pa harruar se plot 7 herë ka qenë e fundit dhe bukur nja 8 herë në mundësi rënieje (e 8- ta).
Mandej, më 30 janar 2016 me fitoren 1-0 ndaj kampiones Skënderbeu në Shkodër - në ndeshjen e parë të trajnerit Armando Cungu - Java 19, ajo me gjithë peripecitë e shkëmbyera, ka ardhur duke iu shmangur fundit, por jo shpëtimit përfundimtar, i cili mbërriti këtë të shtunë në mbrëmje falë barazimit 0-0 të Flamurtarit në Ballsh.
E pra, si ta përcaktojmë këtë kampionat 2016? Si Kampionatin e rimëkëmbjes së madhe të Partizanit në titullin e parë mbas 23 vjetëve?...
Si Kampionatin e titullit të 6-të rresht të fenomenit tonë të tashëm Skënderbeut të Korçës?...
Si Kampionatin e mbetjes pa titull të Sportklub Tiranës për të 7-tin vit me radhë (qysh nga 2009)?...
Si Kampionatin e rrezikut të madh të rënies për dy ndër skuadrat më të dëgjuara të Shqipërisë siç janë Vllaznia e Flamurtari?...
Si Kampionatin e qëndrueshmërisë së një spektatori që, edhe pse ashtu tejet i paktë në praninë e tij gjithnjë e më shteruese, veç shan deri në turp në çdo ndeshje?...
Si Kampionatin e vazhdimësisë së thyerjes së stolave të tribunave (pati edhe këtë javë apo jo?)?...
Si Kampionatin ku shpesh fusha e blertë kthehet gati në "fushë lufte" e manifestimesh të egra, kur me rregullore ndalohet hyrja në të e të tjerëve edhe mbas mbarimit të ndeshjes?...
Si Kampionatin ku përgjegjësa klubesh, pa i marrë leje askujt, sapo mbaron ndeshja sulen në këtë fushë o për gëzim, o për hidhërim pa i marrë leje askujt?...
Si Kampionatin e ndërrimit të vetëm 26 trajnerëve për 10 skuadra?...
Si Kampionatin ku përsëri kampione të shquara si Vllaznia e Flamurtari kanë përsëri nga mbi 40 pikë më pak nga skuadra e parë?...
Por kjo "poezi" "epike" (dhe kurrsesi "lirike") të mos na e humbasë baraspeshën e komentit. Dhe ndoshta më shumë se kaq do ta mbajmë në mend si Kampionatin ku, deri 90 minuta para mbarimit, nuk u përcaktua titulli kampion.
Si Kampionatin ku, 90 minuta para mbarimit, nuk u përcaktua se cila do të jetë skuadra e dytë që do të marrë pjesë në Kupën e Ligës së Europës.
Dhe, çuditërisht, ndoshta do ta mbajmë në mend edhe si Kampionatin ku, 90 minuta para mbarimit, nuk u përcaktua skuadra e dytë që do të zbresë së bashku me një debutues shpesh të padorëzueshëm me emrin Tërbuni i Pukës.
Ndoshta këto moszgjidhje të lëna për t'u zgjidhur në 90 minutat e fundit përbëjnë vlerën publike, tërheqëse, të këndshme të këtij Kampionati.
Doemos kurrsesi vlerën cilësore të futbollit të tij i mbetur po aty si në gjithë këto vite: në një nivel shpesh mediokër, pa ritmikë e shpërthime talentesh dhe me shterimin historik të lojtarëve të dalë prej tij për Kombëtaren e Shqipërisë.
Madje, për të gjithë kategoritë e Kombëtareve të Shqipërisë. E kjo e fundit si asnjëherë tjetër në gjithë historinë! E pra, çka do të mund të ndodhë në 90 minutat e fundit? Kjo është pyetja më e bukur, më tërheqëse që mund t'i jetë bërë këtij Kampionati të një fundi spektakolar.
Thuajse në çastin e fundit, në stadiumin e Korçës, ai dhuroi një ndeshje vërtet të pashlyeshme dhe dramatike, teksa Skënderbeun e ndanin vetëm 60 sekonda nga titulli i gjashtë radhazi i tij.
Një goditje fatale dënimi, Vila dhe 1-0 për Partizanin! Dhe dueli për titullin që nis nga e para!... Mandej, drama e rangut të dytë, ajo e Ballshit, ku Flamurtari rrëmben barazimin e çmueshëm, atë të shpëtimit, edhe pse ende nuk e shpëton përfundimisht. Tash do të shohim nëse do të mbesin vërtet "të arta" 2 pikët epërsi të Skënderbeut.
Ose që këto 2 pikë mund të jenë të papërfillshme për ambiciet e një Partizani të rehabilituar plotësisht në autoritetin e dikurshëm madhështor deri para pak të harruar të tij. Më mbeten sytë te dy trajnerët. Te fjalëpaku "monumental" në statizmin e gjakftohtësisë së tij me emrin Mirel Josa - i vetmi trajner që, ashtu si Zihni Gjinali e Rexhep Spahiu, e ka fituar tri herë rresht titullin kampion në krejt historinë e Shqipërisë. Dhe te një italian me emrin Andrea Agostineli i një mendimi të një baraspeshe, kompetence e modestie për t'u marrë shembull.
Të dy e kishin mendjen te 90 minutat e fundit... Dhe?... Partizani, i cili luan në fushën e vet e skuadra korçare jashtë fushës së vet. Vendimet do t'i marrë e mërkura e 18 majit 2016. Motërzimet (variantet) janë të ndryshme: fitore e Skënderbeut në Vlorë dhe 7 herë kampion i Shqipërisë.
Barazim i Skënderbeut në Vlorë dhe fitore e Partizanit me Teutën në Tiranë dhe skuadra që dikur i thoshin "ushtarake" - 16 herë kampione mbas 23 vjetëve "a pari merito" me korçaret.
pikë secili, por në 4 ndeshje Partizani ka fituar 2 përballë vetëm 1 të Skënderbeut. Mandej, tjetra: humbja korçare dhe fitore partizanase, që i sjell kryeqytetit titullin mbas 7 vjetëve.
Tjetër punë fitorja e Skënderbeut në Vlorë që do të zhvleftësonte çdo mundim të kryeqytetasve me emrin Partizani. Ndërkaq, mbërrijmë te fundi.
E pra, a mund të ndodhë që Laçi të humbasë me Tërbunin, që Bylisi të fitojë me Vllazninë e që Flamurtari të humbasë me Skënderbeun? Këtë nuk e di, ndonëse deri diku mua për vete më duken tepër të ngatërruara këto punë.
Dhe befas më kujtohet se ndodhi që Bylis të fitojë mû në Tiranë me Partizanin dhe madje Tërbuni të fitojë mû në Korçë me Skënderbeun!...
Dhe janë këto dy fitore "absurde" që i dhuruan Kampionatit këtë fund tejet të ngjashëm me plot 10 kampionate të tjerë të 20 vjetëve të fundit.
Nuk është një risi pra ky epilog i 2016-ës. Është thjesht një përsëritje e historisë që mund ta tregojmë një herë tjetër...
Dhe, nëse do të ndodhnin humbja e Laçit dhe e Flamurtarit, si dhe fitorja e Bylisit, atëherë Bylisi, KF Laçi dhe Flamurtari do të kishin nga 35 pikë secili. Kësisoj, sipas rregullores së pamëshirshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, në kësi baraspeshe, do të merreshin për bazë rezultatet e 12 ndeshjeve midis kësaj tresheje. Do të bëhej renditja midis tyre që do të ishte kjo:
7. Bylis 12 3 3 2 6-6
8. KF Laçi 10 3 1 4 7-7
9. Flamurtari 10 2 4 2 6-6
Që do të thoshte: Bylisi i 7-ti me 12 pikë, KF Laçi i 8-ti me 10, Flamurtari i 9-ti po me 10 pikë. E për më tej kjo do të thoshte se skuadra, që u gëzua me të drejtë aq fort në Ballsh, pra Flamurtari i Vlorës - një ndër më të famshmet e Shqipërisë - të binte nga kategoria! "Përralla" gazetarësh këto!...
Ndonëse mund të ketë edhe një "hata" tjetër: barazim i Vlorës, fitore e Bylisit, humbje e Laçit dhe Bylisi e Laçi me nga 35 pikë dhe rënie e kurbinasve e shpëtim i ballshiotëve.
Morali i fabulës? Bëjeni pra Kampionatin me 16 skuadra. Lërini të luajnë qytetet më tradicionalë të Shqipërisë me njëri-tjetrin se e varfëruat tejet qytetarinë e futbollit, teksa i keni degdisur deri aty sa s'dihet se ku janë.
Hiqni dorë nga 4 periudha (faza) monotone që në të shumtën sollën përsëri veç mërzi e përsëritje të padobishme. Ndërkaq, të shtunën e të dielën u pa shumë gëzim e hare në mjedisin e futbollit shqiptar. Madje, u pa gëzim edhe në mjedise gazetarie, aty ku duhet të sundojë paanësia dhe mendja në "akull të krésë", siç thoshte Fishta.
E ndoshta me të drejtë, sepse dihet që futbolli nuk është hidhërim, por është gëzim i vërtetë. Mirëpo, nëse gëzimi vjen vetëm ngaqë deri 90 minuta para mbarimit ende nuk janë përcaktuar shumë vendime të një kampionati, atëherë ky gëzim është disi i rremë.
Gëzimet e një kampionati të futbollit janë atëherë kur këto gëzime janë të përjavshme, gëzime që vijnë prej spektaklit të çdo të shtune apo të çdo diele që qetëson shpirtrat dhe çlodh njerëzit.
Sidomos shpirtrat e trazuar dhe njerëzit e lodhur të Shqipërisë. Për fat, as Shqipëria e Kampionatit të saj 2016 nuk e arriti këtë.