SOS bota nenujore ne rrezik

SOS, bota nënujore në rrezik
Bota nënujore, e cila është më shumë se 6 mijë metra e thellë, e që është cilësuar si "bodrumi i krijimit", edhe pse shkenca e teknologjia kanë përparuar jashtëzakonisht shumë, është ende mbretëria e misterit për njerëzimin.

Por tani nuk është më e vështirë që të bësh zbulime në det. Sa herë që nën dete apo oqeane zhyten robotë dhe telekamera, gjithçka është ndryshe dhe duket një botë e mrekullueshme. Deri në mes të viteve ‘60 mendohej se humnerat ishin një kënetë vdekjeprurëse. Por kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Ekspeditat me nëndetëse kanë treguar se bota nënujore është plot jetë. Por tashmë shumë korale rrezikojnë të shndërrohen në struktura të zbehta dhe inerte: të vdekura. Alarmi vjen nga NASA, që duke kryqëzuar informacionet e mbledhura deri tani, si edhe 1700 imazhe të përfituara nga sateliti Landscape 7, ka ndërtuar "Millenium Coral Reef Mapping Project", një hartë botërore të barrierave koralore.

Duke iu referuar kësaj pune sistematike të bërë deri më tani, situatat nuk janë shumë optimiste: të paktën 2% e barrierave koralore gjenden brenda mjedisit, ku ndikimi i aktivitetit të jetës humane është i kontrolluar. Pjesa më e madhe e këtyre ekosistemeve të gjalla, por shumë delikate, që ngjajnë si një fidanishte në det, vazhdojnë të jenë të ekspozuara nga kërcënimet e shkatërrimit sistematik, nga përdorimi i eksplozivëve për peshkim dhe në fund të fundit edhe nga asfiksimi i ngadaltë i ndotjes. Ndër të tjera, sipas kërkuesve të NASA-s, edhe në vendet ku presioni i opinionit publik arrin të krijojë një normativë të mirë të mbrojtjes, jo gjithnjë rezultatet janë të kënaqshme: në shumë raste mbrojtja vjen vetëm në letra (ndërkohë që numri i vendeve bregdetare të mbrojtura rritet, niveli i vërtetë i mbrojtjes mbetet i ulët); në të tjera zona mbikëqyrja është shumë e vogël për të siguruar një mbrojtje efikase të qenieve që gjenden rreth këtyre ekosistemeve.

"Problemeve tradicionale tashmë i është shtuar edhe kërcënimi i të nxehtit, i lidhur ngushtësisht me efektin serrë", kujton drejtori shkencor në Wwf. "I nxehti global është duke krijuar acidifikimin e oqeaneve, e cila reflektohet në mënyrë shumë të rëndë në gjendjen e barrierave koralore. Sipas të dhënave nga UNEP-i, programi ambientalist i vendeve të bashkuara, rreth 20% e tyre tashmë janë të humbura, 24% të tjera janë në rrezik të vazhdueshëm të kolapsit dhe 26% të tjera janë të kërcënuara nga fundi i ngadaltë. Me pak fjalë, 2/3 e barrierave koralore janë shkatërruar ose rrezikojnë të vdesin përgjithnjë".

Nga 255 mijë kilometrat katrorë të barrierave koralore, 92 mijë prej tyre janë të përqendruara në juglindje të Azisë, ku masa e shkatërrimit ka kapur 38%. 63 mijë të tjera i përkasin Australisë dhe ndodhen në një nivel të mirë mbikëqyrjeje (masa e shkatërruar: 2%). Rreth 27 mijë janë në ishujt e Paqësorit në veriperëndim (masa e shkatërrimit 2%). 19 mijë të tjera ndodhen në Azinë e Jugut (masa e shkatërrimit është shumë e lartë: 45%). 17 mijë në Detin e Kuq (masa e shkatërrimit është 4%). Përveç ngritjes së temperaturave dhe mënyrës së paligjshme të peshkimit, një tjetër shkak shumë i rëndë për shkatërrimin e barrierave koralore është rritja gjithnjë e më e madhe e përbaltjes (turbullimit të ujërave), e cila i heq transparencën dhe pengon rrezet e diellit dhe ul kapacitetin e fotosintezës të algave, që jetojnë në brendësi të koraleve, duke i dhënë ngjyrë atyre.

Peshkimi i paligjshëm

Edhe peshkimi i paligjshëm, i cili në më të shumtën e rasteve bëhet me shpërthime (dinamit dhe lëndë të tjera plasëse) është një nga shkaqet kryesore të shkatërrimit të barrierave koralore

Ndotja e ujërave

Një rastet e degradimit, më të përhapura janë turbullimi dhe përbaltja e ujërave, nga mbetjet e anijeve, që duke hequr transparencën pengon depërtimin e rrezeve të diellit, duke zvogëluar fotosintezën

Intervista

Zhytjet, në mënyrë krejtësisht natyrale


Brischigiaro nxit idenë e eksplorimit të deteve pa bombol oksigjeni


"Një shpërthim jetësor" ose "Ndjesia e të qenit në qetësinë e një akuariumi". Nicola Brischigiaro, një nismëtar i zhytjeve pa oksigjen, i njohur ndryshe si "njeriu që flet me delfinët" dhe themeluesi i "Apnea National School" e përshkruan me shumë emocion zbritjen drejt barrierave koralore.


- Ka qenë një ndjesi më e emocionuese se të tjerat?


Në parkun kombëtar të Ras Mohamed, në Sharme l-Sheik, më është dukur sikur gjendesha në skenarin e një filmi fantastiko- shkencor, isha si në një akuarium ku jeta pulsonte. Normalisht mendohet që detet tropikale janë të mbushura me peshq. Në realitet, në ujëra kaq të ngrohta nuk është e thënë të favorizohet jeta nënujore dhe të gjesh momente entuziaste nuk është e lehtë. Por barriera koralore është tjetër gjë komplet. Është një spektakël gjithnjë i mrekullueshëm.


- Në cilën thellësi duhet të zbresësh për ta shijuar atë panoramë?


Nuk është e nevojshme të arrish në fund. Mjafton maska, lopatat dhe kallami i ajrit. Nuk është e rëndësishme të jesh ekspert për të shkuar deri te koralet. Në Detin e Kuq gjendja e tyre më është dukur e mirë. Nuk kam vënë re përkeqësime.


- Çfarë takimesh mund të bësh mes koraleve?


Duke zbritur në 50 metra thellësi gjendesh përballë peshkut Manta, i cili duket sikur fluturon në ujë. Ai ishte takimi më emocionues. Më pas u përballa me peshkun Napoleon, peshkun Pagliaçio, peshkun neto, Barracuda, por këta të fundit mund t‘i gjesh edhe në ujërat e Mesdheut.


- Çfarë ndryshimi ka të zbresësh pa ndihmën e bombolës së oksigjenit?

Disa peshq tremben pikërisht nga bombolat, të cilat nxjerrin flluska që ngjiten lart. Pa ndihmën e saj është mënyra më e mirë për të shijuar emocionet e fundit të detit. Pa prekur asgjë, duke u përzier bashkë me peshqit.

Kolonitë

Korali është një produkt i formave të vogla të jetës, që gjenden në thellësinë detare në koloni të mëdha. Ato janë të formuara nga polipe që rriten, duke formuar një skelet karbonat kalciumi që lidhet me mbështetjen. Struktura e saj arrin një gjatësi deri në 40 cm.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama