STATISTIKAT/ Gjermani-France Marseja fatsjellesja e gjelave

STATISTIKAT/ Gjermani-Francë, Marseja fatsjellësja e gjelave

Gjermania dhe Franca përballen sot në mbrëmje në gjysmëfinalen e "Euro 2016"-ës.

Untitled-2

Kjo do të jetë sfida e pestë mes Gjermanisë dhe Francës në një turne të rëndësishëm dhe e para në një Europian, sepse 4 të tjerat kanë qenë në Botëror: Franca mori më të mirën në sfidën e parë (6-3 në 1958), ndërkohë që gjermanët më pas iu imponuan me tri fitore radhazi (1982, 1986 e 2014).

- Gjermania dhe Franca kanë fituar 36% të Europianëve ku kanë marrë pjesë deri më sot (5 nga 14): 3 janë sukseset e gjermanëve dhe 2 të transalpinëve.

- Lojtari i fundit francez që ka shënuar ndaj Gjermanisë në një turne ndërkombëtar është Alan Zhires, në gjysmëfinalen e Botërorit 1982.

- Franca ka pësuar gjithnjë gol në 4 ndeshjet e mëparshme ndaj Gjermanisë. Precedenti i fundit zyrtar mes këtyre ekipeve është miqësorja që djemtë e Deshampit fituan në "Stade de France" 13 nëntorin e shkuar, 2-0.

- Gjermania ka arritur në gjysmëfinale në 7 pjesëmarrjet e saj të fundit në Europian dhe Botëror së bashku, një rekord absolut për një skuadër europiane. Por suksesi i fundit i tyre në një Europian është ai i "Angli 1996".

- Gjermania ka fituar 14 nga 18 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar mes Europianit dhe Botërorit (3 barazime, 1 humbje). Humbja e tyre e fundit ka ardhur në gjysmëfinalen e "Euro 2012".

- Kampionët e botës kanë regjistruar një zotërim topi në masën 72% në fazën e grupeve dhe 61% në atë të fazës me eliminim direkt. Ata janë e vetmja skuadër që kanë kryer më shumë se 1 mijë pasime të sakta në këtë Europian. Ata kanë fituar në të gjashta seritë e fundit të penalltive që kanë diskutuar mes Botërorëve dhe Europianëve. Humbja e vetme e tyre nga ruleta e pikës së bardhë, ka ardhur në "Euro 1976" përballë Çekosllovakisë.

- Ndërsa Franca e ka 50% suksesin kur fati i saj vendoset nga 11-metërshat (3 nga 6 raste), por e ka humbur të vetmen precedent deri më sot ndaj Gjermanisë (Botërorin e 1982-shit).

- "Les Bleus" rikthehen në një gjysmëfinale të një turneu ndërkombëtar për herë të parë prej 2006-ës, por tri herët e fundit që kanë ardhur deri këtu, kanë prerë biletën në finale.

- Franca është e pathyeshme në 17 ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi mes Europianëve dhe Botërorëve. Disfata e fundit ka ndodhur në "Euro 1960" (0-2 ndaj Çekosllovakisë).

- Skuadra e Deshamp ka sulmin më të mirë në këtë Europian (11 gola të shënuar). 45% e golave të tyre janë shënuar me kokë (5 nga 11).

- "Velodrom" është një fortesë për "gjelat". Ata kanë humbur vetëm 1 ndeshje nga 12 të fundit që kanë luajtur në Marsejë (8 fitore, 3 barazime). I vetmi precedent i Gjermanisë në Marsejë është një barazim ndaj Francës 1-1 në miqësoren e shtatorit 1968.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama