Dhe në fakt, ne të gjithë varemi shpesh nga vendimet e vështira të të tjerëve, duke filluar nga ato të liderëve tanë politikë, që na prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën aktuale dhe të ardhmen tonë. Por një tjetër veçori e vendimeve të rëndësishme dhe të vështira është se gjithsesi, ato në rast se janë marrë në mënyrë të gabuar, paguhen nga ata që janë më të dobët dhe më të varfër. Ose më mirë të themi, ndihen më shumë prej atyre që janë të pambrojtur. Por vendimet janë të vështira dhe kushtojnë edhe në rastin se i marrim vetë. Kjo, sepse mundimi i përditshëm për të vendosur, shumëzuar me nevojën për të shpenzuar sa më pak, i mban njerëzit larg nga ajo lloj pune si studimi apo puna që mund të ndikonin për mirë në kushtet e tyre. Pra, nëse puna të lodh në vetvete, mundi që bëjmë për të marrë vendime të lodh edhe më shumë. Dhe është fakt që shumë prej nesh shpesh heqin dorë nga të vendosurit vetë ose e shtyjnë kohën e marrjes së një vendimi. Në këtë mënyrë preferojnë që një situatë, në vend që të zgjidhej nga vendimi, të vazhdojë të qëndrojë pezull.
Arti i marrjes së vendimeve ka ndarë në dy pjesë filozofët dhe shkencëtarët që prej shumë e shumë kohësh. Por tani së fundi, një gazetar i “New York Times”, John Tierney ka vendosur pikërisht që të shohë më qartë këtë argument në një libër që ka botuar këto ditë me titullin: ”Forca e vullnetit – forca më e madhe e njerëzimit”. Nuk është një ekzagjerim. Mendoni për shembull, për gjithë polemikat dhe diskutimet e këtyre ditëve duke filluar që nga kriza financiare globale dhe probleme të tjera, të cilat kanë në bazë të tyre pikërisht probleme shumë të mëdha të njerëzve të fuqishëm për të marrë vendime.
Bushit i pëlqente që ta quante veten “vendimmarrës” dhe pikërisht në librin e tij “Pika e vendimmarrjes”, është përpjekur që t’u tregojë të tjerëve se si të marrin vendime dhe se sa e rëndësishme është të marrësh një vendim. Por Bush, sigurisht nuk ka pasur parasysh pasojat e vendimeve të tij, sepse nëse do të ishte i ndërgjegjshëm për këtë, do të kishte shtuar edhe se të marrësh vendim është e rëndësishme, por nëse rezultati është shkatërrimtar, më mirë të mos marrësh fare. Megjithatë, në këtë rast nuk bëhet fjalë shumë për përmbajtjen e vendimeve, por për atë që ka më shumë rëndësi, procesin e vendimmarrjes. Në këtë rast, përfundimi i studiuesve është i patjetërsueshëm:
Nuk ka rëndësi se sa racional apo i ndriçuar kërkon që të jesh. Ajo që duhet të kuptosh mirë në rastin e një vendimmarrjeje është se gjithmonë duhet të bësh një kompromis, që do të thotë se gjithmonë duhet të heqësh dorë nga diçka apo të humbasësh diçka. Në fund të fundit, mund të paguash edhe një çmim biologjik. Stresi nga vendimmarrjet është emëruesi i përbashkët i menaxherëve të ndryshëm në fundin e një dite pune. Ata deri në fund duhet që të kenë kthjelltësinë për të marrë vendimin e duhur, duke qenë në sulm, por edhe elastikë me kundërshtarin. Po, a mos kemi vallë të bëjmë me një lodhje të zakonshme? Kështu, disa studiues vunë re se për të njëjtin krim dhe për të njëjtat rrethana, disa njerëz merrnin më shumë dënim dhe të tjerët më pak. Pas disa studimeve u vu re se me vendimin kishte të bënte shumë edhe ora e marrjes së tij nga ana e gjykatësit. Pasdite gjyqtarët janë tepër të lodhur për të marrë përgjegjësi dhe për të gjykuar mbi lirinë apo dënimin e një individi. Ky është një mekanizëm që na prek të gjithëve.