Sa gjuhe mund te flasim me femijet? Nje dy apo me shume…?

Sa gjuhe mund te flasim me femijet? Nje, dy apo me shume…?
Njerëzit kanë ide nga më të ndryshmet mbi faktin se si ndikon një gjuhë e dytë ose e tretë në zhvillimin e fëmijës. Kjo gjë ndikon edhe profesionistët, mjekët, psikologët, edukatorët, mësuesit, terapistët e të folurit mbi rekomandimet që u japin prindërve dhe fëmijëve të cilët rriten në një mjedis dygjuhësh.

Shpeshherë prindërit tremben mbi pasojat që mund të ketë një gjuhë e dytë apo e tretë në rritjen e fëmijës, si pasojë krijohen mite.

Dygjuhësia shpeshherë është një nevojë, dhe jo një zgjedhje

Me idenë që mjedisi dygjuhësh është një zgjedhje e prindërve për fëmijët e tyre, ka mjaft debate mbi avantazhet dhe disavantazhet e dygjuhësisë.

Por shpeshherë të rritesh në një mjedis ku përdoren dy gjuhë nuk është një zgjedhje. P.sh. marrim rastet kur fëmijët shqiptarë së bashku me familjet e tyre emigrojnë në Greqi apo Itali. Atëherë fëmijët në shtëpi dëgjojnë e flasin shqip, ndërkohë që në rrugë, kopsht apo dyqane dëgjojnë dhe duhet të flasin greqisht apo italisht. Të tjerë mund të rriten në vende ku flitet më shumë se një gjuhë, p.sh Zvicër. Të gjithë këta individë e kanë të nevojshëm mësimin dhe përdorimin e dy apo më shumë gjuhëve.

Dëgjimi i një apo më shumë se dy gjuhëve në fëmijërinë e hershme nuk është shkaku i problemeve gjuhësore apo vonesës në të folur.

Disa terapistë të të folurit apo mjekë i këshillojnë prindërit që flasin më tepër se një gjuhë me fëmijët e tyre të vegjël, të ndalojnë së përdoruri njërën prej tyre. Zakonisht gjuha e cila duhet ndaluar së përdorur me fëmijën është gjuha më pak e përdorur në mjedisin përreth fëmijës dhe familjes. P.sh. terapistët e të folurit në Greqi mund t’i këshillojnë prindërit shqiptarë të mos u flasin fëmijëve shqip në shtëpi për të favorizuar të mësuarit e greqishtes.

Ka dy arsye pse jepen këto këshilla. Së pari, specialistët besojnë se të dëgjuarit e më shumë se dy gjuhëve në fëmijëri mund të bëjë fëmijën konfuz dhe shkakton probleme të rënda në përvetësimin e gjuhës. Së dyti, specialistët besojnë se përvetësimi i gjuhës kryesore që përdoret në mjedisin përreth ose shtetin përkatës ka më tepër mundësi të ndodhë mirë dhe shpejt në rast se nuk konkurrohet nga gjuhë të tjera.

Gjithsesi, nuk ka fakte shkencore se dëgjimi i dy apo më shumë gjuhëve shkakton vonesë ose çrregullime në të folur. Shumë fëmijë në mbarë botën rriten në një mjedis ku dëgjojnë dy apo më shumë gjuhë dhe nuk shfaqin asnjë shenjë të vonesës apo çrregullimeve të të folurit. Këta fëmijë janë prova e gjallë që nuk ka një lidhje shkakore midis mjedisit dygjuhësh dhe problemeve gjuhësore.

Gjithashtu nuk ka fakte shkencore që ndalimi automatik i të folurit të një gjuhe ka efekt pozitiv në mësimin e gjuhës tjetër. Në fakt, teknika mësimore kanë treguar se ndërtimi i shprehive të fëmijës në një gjuhë ndihmon përvetësimin e një gjuhe të dytë.

Nga ana tjetër, gjuha është ngushtësisht e lidhur me emocionin, ndjenjat dhe identitetin. Në rastin kur nëna e një 3-vjeçari ndalon së komunikuari me të në gjuhën tipike të përdorur më parë në familje, veçanërisht në rast se nëna nuk i përgjigjet kërkesave që fëmija bën në atë gjuhë, kjo situatë mund ta bëjë fëmijën të ndihet emocionalisht i braktisur dhe krejtësisht i humbur. Në fakt, ndalimi brutal i të folurit të gjuhës së përdorur më parë nga prindërit në shtëpi, mund të shkaktojë vështirësi të mëdha emocionale dhe psikologjike tek prindërit dhe fëmijët.

Përdorimi i dy gjuhëve brenda fjalisë nga ana e një fëmije nuk është shenjë konfuzioni. Shpeshherë vihet re se fëmijët të cilët mësojnë më shumë se sa një gjuhë kalojnë një fazë miksimi dhe konfuzioni të këtyre dy gjuhëve. Përdorimi i dy gjuhëve brenda së njëjtës fjali nga ana e fëmijës, shpesh, merret si pamundësi e fëmijës për të dalluar midis dy gjuhëve. Në realitet, kjo nuk është shenjë konfuzioni, por tregues i aftësive të përparuara gjuhësore. Fëmijët të cilët janë në gjendje të përdorin dygjuhësinë brenda fjalisë, gjithashtu, mund të përdorin fjalë njëgjuhëshe, pra është një evidencë e aftësisë së tyre për të dalluar dhe veçuar gjuhët nga njëra-tjetra.

Atëherë në cilat rrethana fëmija përdor fjalë të të dyja gjuhëve brenda së njëjtës fjali?

Fëmijët flasin në dy gjuhë gjatë një bisede me dikë i cili mund të njohë këto dy gjuhë dhe i cili nuk bezdiset nga një gjë e tillë (lidhje emocionale). Pra, është mjaft i rëndësishëm konteksti social ku fëmija e realizon miksimin e gjuhëve brenda së njëjtës fjali apo bisedë. Kjo gjë vlen për fëmijët, njëlloj si për të rriturit, ata përdorin dy gjuhët vetëm në raste socio-gjuhësore të përshtatshme.

Rekomandime për prindërit

Meqenëse gjuha në 10 vitet e para të jetës është një bazë mjaft e rëndësishme për arritjet shkollore dhe shprehitë sociale të fëmijës, nuk është e tepërt të reflektojmë se çfarë është e rëndësishme në mësimin e gjuhës, pavarësisht nëse është një, dy apo më shumë gjuhë.

Prindër, ju rekomandojmë disa metoda për të lehtësuar këtë proces tek fëmijët tuaj:

1. Përdorni atë/ato gjuhë të cilat ju vijnë natyrshëm në familje. Sigurohuni që fëmija t’i dëgjojë të gjitha gjuhët në mënyrë të vazhdueshme dhe në rrethana nga më të ndryshmet. Krijojini mundësi fëmijës që t’i përdorë të gjitha gjuhët që dëgjon. Lexojini fëmijës vazhdimisht kur e vini në gjumë, kur keni kohë të lirë, kur ka një detyrë shkollore. Lexoni së bashku me të libra në të gjitha gjuhët që janë të rëndësishme në jetën e tij.

2. Flisni me fëmijët tuaj të njëjtën ose të njëjtat gjuhë. Gjuha është e lidhur me emocionet. P.sh. nëse ju përdorni një gjuhë me djalin e madh (shqip) dhe një gjuhë tjetër me djalin e vogël (italisht), ndonjëri prej tyre mund të ndihet i përjashtuar ose inferior, gjë e cila do të ndikonte në reagimet dhe sjelljet e tyre.

3. Shmangni ndryshimet brutale në mënyrën se si ju flisni me fëmijët tuaj, veçanërisht kur ata janë më të vegjël se sa 6 vjeç. Mos vendosni papritur t’u flisni atyre anglisht, kur ju keni përdorur më parë vetëm shqip. Pra, bëni kujdes kur një profesionist (p.sh. mjek, mësues) ju thotë të ndaloni menjëherë së foluri në një gjuhë të caktuar me fëmijët tuaj.

4. Nëse ju ndiheni mirë kur komunikoni me fëmijën tuaj në një gjuhë të caktuar, p.sh. në shqip, kërkojuni atyre ta përdorin këtë gjuhë sa herë ata janë me ju. Nga ana tjetër, inkurajojini ata të përdorin edhe gjuhën tjetër, p.sh. gjuhën gjermane, por kërkojuni atyre të përsërisin bisedën në gjuhën shqipe. Ndihmojini fëmijët në të tilla raste, duke ju paraqitur fjalë dhe shprehi të përshtatshme të gjuhës tuaj (shqip), sipas tematikës. Kjo do të ishte një ndihmë për ta dhe aspak e palogjikshme. Është njëlloj sikur u kërkoni atyre të thonë “Të lutem!” përpara se t’u jepni një çokollatë.

5. Mos e bëni gjuhën një çështje madhore. Mos privoni, as mos i ndëshkoni fëmijët tuaj për përdorimin apo mospërdorimin e një gjuhe. Nëse ju ndjeni se fëmija juaj nuk flet ashtu sikurse duhet të bënte një parashkollor, provoni të bëni një test dëgjimi, edhe nëse edukatorja apo mësuesi ju thonë se dygjuhësia është shkaku i çdo lloj vonese gjuhësore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama