Gjykata Speciale e krimeve të luftës në Kosovë do të jetë funksionale në vjeshtën e këtij viti. Ajo do të trajtojë çështjet e disa prej udhëheqësve kryesorë të UÇK-së, thonë burime të "Gazetës Express".
Të njëjtat burime kanë saktësuar se numri i komandantëve që pritet të merren nga kjo gjykatë nuk do të jetë aq i madh. Një zyrtar i lartë qeveritar ka treguar për “Gazetën Express” se drejtuesit e Taskë Forcës së BE-së, që po përgatit krijimin e Gjykatës Speciale, tashmë ka treguar afërsisht numrin e të dyshuarve për krime lufte dhe profilin e tyre.
“Gjatë takimeve me zyrtarët e kësaj trupe, na është thënë se Gjykata duhet të trajtojë disa raste specifike”, ka thënë zyrtari i qeverisë.
Ambasadorja amerikane ka thënë se kjo gjykatë do të merret me 10 raste, ndërkohë mediat kanë spekuluar se numri i të dyshuarve mund të jetë mbi 100. Por zyrtari që foli për "Express" tha se, numri do të jetë shumë më i vogël.
“Bëhet fjalë për fare pak të dyshuar”, tha ai.