Që atëherë studimi kishte "zbuluar" inferioritetin shoqëror dhe ekonomik të personave që kishin datëlindjen në dhjetor dhe në janar, duke përfshirë këtu profesionin, të ardhurat dhe jetëgjatësinë. Tani dy studiuesit, Kasey Buckles dhe Daniel Hungerman, nga Universiteti i Notre Damit në Indiana, theksojnë se faji nuk është i temperaturave, por i pozitave sociale të nënave. Femrat që lindin gjatë muajve më të ftohtë të vitit, janë më të varfra, më pak të përgatitura, shumë të reja dhe pa bashkëshortë. Si pasojë, thonë ata, fëmijët e tyre do të kenë më shumë vështirësi të rriten të shëndetshëm dhe të shkëlqejnë në shkollë dhe punë.
"Me thënë të drejtën, kemi qenë të parët që jemi habitur nga këto të dhëna", tregon Hungerman. 13,2 për qind e nënave të fëmijëve të lindur në muajin janar janë adoleshente, në krahasim me 12 për qind të fëmijëve që kanë lindur në maj. 67,7 për qind e femrave që lindin në janar nuk janë të martuara. "Nuk janë diferenca statistikore shumë të mëdha, por gjithsesi kanë shumë rëndësi", përfundojnë Hungerman dhe Buckles, që nuk arrijnë të shpjegojnë arsyen. Gjithsesi, testet e studiuesve nuk janë bindëse. Familjet e varfra i lindin fëmijët në pranverë, ndoshta sepse gjatë verës është jashtëzakonisht nxehtë dhe nuk kanë kondicionerë, ose kur bëhen festat tradicionale të shkollave (është fjala për mamatë e reja në moshë).
"Kam dhjetë vjet që dëgjoj të flitet për këto teste dhe e vetmja gjë e sigurt është mosrënia dakord e studiuesve", thotë një pediatër. Shpesh studimet janë kontradiktore dhe na ngatërrojnë. Para disa ditësh, Universiteti i Seviljas kishte zbuluar se fëmijët e lindur në dimër jetojnë më gjatë, sepse i ftohti e rrit rezistencën fiziologjike. Sipas studiuesve të Harvardit, të cilët në vitin 1996 i kishin kushtuar një studim çështjes në fjalë, të lindurit në dimër janë më të gjatë, më të shëndoshë, kanë kafkë më të madhe dhe janë më të zgjuar se bashkëmoshatarët e tyre që kanë lindur në verë. "Përgjigjja globale, kanë shkruar psikiatrit dhe antropologët e Harvardit, është se kush lind në dimër është më i fortë fizikisht dhe më i zgjuar". Katër vite më parë, një tjetër studim i bërë nga Universiteti i Bristolit përmbyste sërish bindjen akademike. Fëmijët që kanë lindur në verë dhe në fillim të vjeshtës janë më të gjatë, falë ekspozimit të shumtë në diell të nënës gjatë shtatzënisë. Kjo gjë favorizon sintezën e vitaminës D.
"E kuptoj që statistikat janë shumë të rëndësishme, por nuk duhet të ndikohemi shumë prej tyre", thotë pediatri. Dihet për shembull që fëmijët që kanë lindur në mars dhe prill janë ngjizur gjatë verës. Sipas pediatrit, të vegjlit e lindur në dimër janë më të rrezikuar nga gripi dhe patologjitë e tjera virale. "Nuk duhet harruar se faktorët e vetëm që kushtëzojnë rritjen e një fëmije janë ata gjenetikë dhe ambientalë", përfundoi ai.