“Secili prej nesh dëshiron që të quhet patriot, sikurse dëshiron që të thirret mentar, trim, bujar, i drejtë e tjera; patriotët janë shkallë-shkallë, dikush i flakët, dikush i zbehtë, dikush i ngrohtë, dhe dikush i vakët, por ata fatzezë që s’kanë fare erë patriotizmi janë fare të ftohtë si akulli”.- qe viti 1930, familjet autoktone tiranase marrin si dhuratë morale e shpirtërore librin “Patriotizma në Tiranë” të mësuesit të tyre Hafiz Ibrahim Dalliu.
Thashë qëllimisht mësues sepse më këtë epiteti ai e vishte me shumë dëshirë veten, e me shumë respekt, pothuajse një shekull më vonë, ne trashëgimtarët e kësaj dhurate vazhdojmë ta respektojmë sot.
Çdo kush dëshiron të quhet patriot e siç thotë Albert Camus “rinjohim atdheun tonë në atë moment kur jemi duke e humbur”. Ndoshta kjo qe një nga arsyet morale që patrioti tiranas shkroi këtë libër. Të jesh patriot do të thotë para së gjithash të kesh ndjenja, dëshirë, krenari për të konservuar traditat, kostumet, identitetin personal duke e shumëfishuar progresivisht më pas në një rajoni, qytet e komb.
“Patriotizma në Tiranë” qe një traktat i vërtetë filozofik e moral për banorët e urtë të një qyteti të sapoçliruar nga Turqia, të një qyteti ku krahinizmi “si një mace e zezë” kish hyrë mes popullit duke i klasifikuar njerëzit në patriotë e rebelë.
Si një himn shpirtëror e ruajtën banorët autoktonë tiranas këtë libër dhe kur regjimi komunist i burgosi mësuesin e tyre, i dogji librat, e bashkë me të to një pjesë të historisë së tyre.
Si një krenari kombëtare është trashëguar sot e kërkohet t’i transmetohet me atdhetarizëm çdokujt që sot etiketohet tiranas.
“Patriot quhet ai njeri, që asht i pajuem me të gjithë vetijat e nalta njerzore dhe kombëtare. Pra pak së paku lypet të jetë: dashamir, këshillues, shërbëtor dhe prijës i kombit në të mbarët”.
Të jesh tiranas sot do të thotë të jesh patriot, dhe të jesh patriot Ibrahim Hafiz Dlliu na mëson se në Tiranë do të thotë të jesh Shqiptar. Shumë pak shqiptarizëm të tillë gjen në jetën e këtij qyteti, krahinizmat rrafin gjoksit duke rreshtuar emra trimash nga vendlindjet e tyre, e mos njohur historinë e vendbanimit aktual, politika e ka harruar duke mos i dhuruar as një muze të tij, media kujtohet veç kur hartohen studime e rinia limitohet në muzike ahengjesh e imitime statusesh sociale.
Shkrimtar, publicist, mësues, rilindas, patriotë, demokrat, anëtar i Partisë Bashkimi, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit, mësues i shkollës Normale të Elbasanit,anëtarë i Partisë Xhoka, i burgosur nga turqit, i internuar në Manastir e Selanik, anëtar i çetës së Serisallikut të Krujës, me një jetë dedikuar kombit e popullit të tij, i burgosur nga regjimi komunist Hafiz Ibrahim Dalliu e shkroi këtë libër ashtu siç thotë dhe vetë për tre arsyeja madhore:
1-Për të ndriçu opinionin publik.
Ne s’kena shkru gja se na vjen si turp me lavderue veten tonë, por e kam ndërmend ..se në Tiranë ka pas ma shumë se kudo patriotë të vërtetë. Mund të numëroj këtu, pa luejtë vendit, afër dyzet vetë të vdek dhe tetë-nandëdhetë të gjallë. Por të padukshëm. 2-Për të mbrojt të drejtën tonë morale.
Asht si rregull e përgjithshme; Ai që s’mundet me e mbrojt të drejtën e vet, ngel gojëthatë nga ajo gjithnoë. Prandaj m’u kanë lutë shpesh herë disa shokë tue më thanë: Mbasi po na mohohet e drejta jonë morale prej shumë njerzve, shkruej dicka mbi patriotizmën e tiranasve, që të paktë, të mos akuzohen kot fëmijët tanë dhe që të jetë ajo si një argument për ata që do të shkruejnë paanësisht historinë e Rilindjes Kombëtare.
3-Për të shporrë mënitë që kanë hy mes tonë.
Nashti ja tue e pa se ka hy një tjetër mace e zezë ndër ne. Dias njerëz egositë e ka marrë rryma e krahinarizmës e po thonë: Ne kemi qenë patriotë e ju rebelë. Kështu janë tu marrë mëni shoqi-shoqin kot masi koti. Ù Mue më duket se asht një detyrë patriotike me e mundue për të crranjos si me të voglën mëni që të ketë hy në mes tonë dhe për të formue nji dashumi e nji bashkim të plotë, pa të cilat s’rron atdheu me lirinë e dëshërueme.
Prandaj lypset të flasim të vërtetën e të themi: Shumica e popullit të cdo qyteti në kohë të sundimit të Tyrqisë, ishin të gabuem me propagandat e forta të Tyrqisë dhe disa ishin interessata, por kishte dhe aso njerëzish, ku më pak e ku ma shumë, që përpiqeshin me e zgjue popullin e me drejtue atë për së mbari. Këta shpirtmirë janë mundue e kanë vuejtë si mo zot ma keq. Nji këto janë fjalë për t’u thanë e jo të pretendohet për ne tiranasit se gjoja kemi qenë halldupa e rebela e të vështrohemi me sy të keq e të merremi mëni”.
Ka kaluar pothuajse një shekull e realizmit social i fjalëve të Hafiz Ibrahim Dalliut është për t’u pasur zili. Një opinion publik i limituar në injorancën e mosdijes së trashëguar komuniste, rrafje gjoksesh për trimëritë e heroit të fshatit mes mundim-fshehjes së të shprehurit në dialektin e lindjes, dhe një e drejtë morale për t’u quajtur Patriotë e që për cdo Tiranas do të thotë të jesh Shqiptar.
Sa patriot janë tiranasit?
Për status mbajtësit “qytetarë-banorë dhjetëvjeçarë të Tiranës” të kurorëzuar si të tillë nga studimi i fundit social me banorët e kryeqytetit, përgjigja do pjesëzohej:
a)- ngritje supesh,
b)-indiferentizëm,
c)- përgjigje negative.
Bindja e një arsyetimi të tillë nuk ka nevojë për anketime institutesh e fonde të huaja në publikim. Është e mjaftueshme marrëdhënia e përditshme krijuar mes status mbajtësve ”qytetar-banorë dhjetëveçarë të Tiranës” e tiranasve vendalinj shekullvjeçarë që një studim i tillë, për fat nuk ka aftësinë t’i gjykojë. Po aq e mjaftueshme është kronika e jetës, që puna mediatike, opinionistët, politika na prezanton çdo ditë. Kur flitet për status jemi të gjithë tiranas, por pse jo dhe tironca, në fund të fundit e ka thënë dhe studimi: “dhjetë vjet e je tiranas i vjetër”. Kur flitet për patriotizëm më të ndershmit ngrejnë supet, hileqarët anketues tregojnë me gisht vendlindjen e heroin e fshatit me të cilin ka lidhje gjaku.
Kur e drejta me të padrejtën takohen shkarkohet një shkëndijë që quhet polemikë. Polemika kemi boll e tiranasit kurrë nuk i kanë pas qejf. Në momentin kur një alence veshur me ngjyrat kombëtare shëtit nga veriu në jug , nga shteti në shtet për dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar, e kur një institucion social, dhe e riktheksoj social (sociologët mund t’i japin peshën që i takon kësaj fjale) me fonde gjermane trumbeton në faqet mediatike “Dhjetë vjet e quhesh qytetar i vjetër tiranas”, Tironcit e pa anketuar kanë vec një kërkesë: të quhen shqiptarë.
Po Shqiptarë, sepse një shekull më parë në Tiranë shqiptar quhej çdokush që ishte patriot. Patrioti nuk kish frikë nga qeveria turke, nga shtëpia e pasuria e djegme prej saj, nga shndërrimi tregtarë në bujk, nga burgu, rrahja e vdekja. Patrioti punonte e përpiqej me ç’të mundte për dinjitetin e tij si njeri, si vendali e si shqiptar.
Sot asgjë nuk ka ndryshuar e autoktonët vazhdojnë të respektojnë e t’i japin këtë emër çdokujt që i hidhërohet zemra kur shef se i merret nëpër këmbë e drejta, e mundohet për ta çuar në vend për nderin e tij, të qytetit e të kombit, quajnë patriot çdokënd që punon për harmoninë sociale e fetare në këtë qytet .
Ndërsa anketuesit thurin studime mbi bazën e qerasë së shtëpisë, argëtimit në “bllok” e kërkesës për parkim, Tiranasit shekullorë kërkojnë vec të quhen Patriot, Patriot tironc! Kjo është gjëja më e lehtë e realizueshme, për hir të një historie shqiptare të pashkruar sic duhet, për hir të dokumentave historike të Pavarësisë tonë si shtet, për respekt të atdhetarizmit që mjaft burra trima i kanë sjellë këtij kombi.
Status mbajtësit “Tiranas të vjetër - banorë dhjetëveçarë të Tiranës” ndoshta me pak mundim, mund ta shndërrojnë -a në -o në gjergun e përditshëm të tyre, por sigurisht nuk do dinë se dhe o-ja kthehet në –a kur kërkojmë të blejmë “damote”, vështirë se do t’i thërrasin kurrë babës së tyre tatë e nënës ije, lehtë do kërcejnë dhe Napolonin duke humbur më pas në rrethin dorë për dore, që kjo valle se ka njoftë kurrë, dikush do ja mësoj ku ndodhet Selvia, apo ku ishte shëtitej dikur tek Broadway, por askush nuk ka për të mund t’i quaj dot patriotë tironc.
“Këtu në Tiranë , posa t’i diktohej ndonjanit erë patriotizmi , i thojshin shqiptar- shkruan Hafiz Ibrahim Dalliu.
“Patriot quhet ai njeri, që asht i pajuem me të gjithë vetijat e nalta njerzore dhe kombëtare. Pra pak së paku lypet të jetë: dashamir, këshillues, shërbëtor dhe prijës i kombit në të mbarët; duhet të punojë me mish e me shpirt për ta nxjerrë kombin prej errësinës së padijes,në dritë të ditunisë dhe prej gëthetrës së sundimit të huej në lirinë kombëtare.
Patriotizma është një fjalë e shenjtë që përfshin shpirtin e gjithë virtyteve njerëzore dhe kombëtare. Prandaj ai fatbardhë që cilësohet me fjalën patriot, asht tepër i lavdërueshëm, kudo dhe prej kujtdohit rrëfehet me gisht”.
Sa patriot janë Tiranasit?
Atyre që sot thojnë jo, apo që dashakaqesisht e mohojnë këtë, fjalët më të mira zejnë vend në përgjigjen një shekullore të mësuesit tonë:
“Një ditë më tha z. Mithat Frashëri si për qesëndi:
- Hafiz! Ke pas këtu ndonjë shok Tiranas?!
Me buzë në gaz i thashë:
-Z. Mid’hat! Mjerohem kur ndigjoj këto pyetjesh prej gojës së zotnisë sate. Po le të thonë si t0ju vijë për gojësh ata që s’dinë e që s’kanë pas erë shiptarizmi, port y s’të kanë hije fare, sepse ti ke qenë edhe i zoti i gazetës “Liria” në Selanik, ku keni pas shkrue aty se çfarë edepsezllëqesh banë zhonërit për të mbyllë klubin “Bashkimi” në Tiranës. A hapej klubi atëherë me nji a dy vetë? Bolbë e modhe!-I thashë. Nji palë njerëz nuk dinë e thonë: Tiranasit janë krejt rebela. Dhe një palë të tjerë, të cilët s’kanë pas erë patriotizmi, duen me ia mohue atë cilësi të naltë, jo vec tiranasve, por gjithë kombit arbnuer. Përgjgjen ia dha sic thotë ai vetë me një nga strofat e poemës satirike “Dokrrat e Hinit” (1922):
A ksisoj janë dhekatarët
Që t’hanë opengat e thata
Sikur me hangër patata?
Kta janë njolla për shqipatrët
Sot tue qenë vatan i ngratë
Që linde si anije pa vela
Kta kërkojnë vetëm për gjela.
Posi dhelpnat ditë e natë
Kërkojnë, po, vec me fà xhangën*:
Thonë jemi nasionistër,
Duen me u ba të tanë ministër
T’kem se si t’ua pëllcas dangën*
Ku qenë ma parë kta lole?
Silleshi qark Anadollit
Tue sha shqipen gjithë Stambollit
Turkut kta ja bojshin qole,
Dikush, bile në kohë të Durgutit
Kanë mbyll shkolla edhe klube
Tue ndihmue cështjes halldupe
Tue sha shqipen n’farz t’cifutit.
Sot kanë ardhë si patriota,
Janë ngerfoz si firaunët
E t’i kanë shti n’dorë t’gjitha punët.
Ti rri e më fol fjalë të kota
Dhe unë, pra jam dhekatar*
Pra se kam nderue bajrakun.
Le t’ma apin dhe mue hakun
Se kam pas qënë tksildar.
Përse t’na e ngrenë lugën n’tratë?
T’I thonë kot të mjerit gegës,
Hiqu ti se s’je prej degës;
T’na lanë gjithmonë me gojë thatë?
Apo kan t’mirat morale?
Jo hangshin vetveten m’dhamë
Kanë në dorë falso nji diplomë
Por se dinë një kokër fjalë…
(* xhungën - stomaku, danga-njolla, dhelatar - mbledhës të të dhejtave e në këto rreshta ka kuptim ironic. njerëzit e korruptuar)
Sa patriot janë tiranasit? Fillesën si një opionon i qartë atdhetarizmi e ka zyrtarisht më datën
28 qershor 1878 , kur shqiptarë të ditur në Stamboll protestojnë kundër Kongresit të Berlinit për copëtimin e Shqipërisë. Midis nëntë vulave nënshkruese të këtij dokumenti është dhe vula e e M.S. Seit Toptanit. “Pra që para asaj kohe asht mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në Tiranë e ka zanë rranjë në zemnat e tiranasve”. Libri “Patriotizma në Tiranë” mbart një dokumentacion të rëndësishëm historik të epokës së Rilindjes e të një periudhe historike ku patriotët tiranas sakrifikoheshin për idën e një kombi, për përhapjen e një gjuhe e pavarësinë e shumëkërkuar.
Po kush janë veprat patriotike të tiranasve? Për të qënë patriot ashtu sic e kuptojnë tiranasit këtë fjalë e për të mos rënë në banalitetitn e anketave pseudosocilae e fondthtithëse, mjaftojnë të lexosh pyetjet që në fund të veprës së tij Hafiz Ibrahim Dalliu i bën çdo lexuesi:
1- Sikur u panë emrat, deri në kohë të okupacionit të Austrisë, në Tiranë ka pasë njëqind e pesëdhjetë e ca shqiptarë. Pra në krahasim me ato qytet që kishin një sasi frymësh baras me Tiranën, a nuk ka pas këtu më shumë shqiptarë se kudo?
2-Cili qytet i Shqipërisë ka pasë pesëmbëdhjetë hoxhallarë shqiptarë si Tirana?
3- Në çfarë vendi u dënuen me nga dhjetë vjet burg të rëndë pesë vetë për çështje shqiptarizme, përveç tiranasve?
4- A nuk qenë shqiptarët e Tiranës që formuen një qendër komite në Mirditë për komitat e gjithë kësaj ane?
5- Apo s'qenë tre tiranas që sakrifikuen avenirin e vet e duelën në Delvinë ku formuan komitetin e asaj ane dhe tre të tjerë shkuan në Zerqan?
6- A thue se mburrën mndihma nga jashtë tiranasit shqiptarë për t'i ba ato punë?
7- Kush mundi me nxjerrë deputetë kundër shtarë të qeverisë së ittihade përpos Tiranës?
8- Anuk qenë shqiptarët e Tiranës që shpallën indipendecën kombëtare dy ditë para çdo vendi?
9- Apo s'qenë tiranasit ata që shkuen në Vlonë me Ismail Qemalin për të ngrejtë flamurin e Shqipnisë?
10- Kush ka pasë guximin me i thanë zyrtarisht komandantit serb:- "Ne s’e duem serbin, se jemi shqiptare", përveç tiranasve?
11- Kush ka mund me qëndrue në ngushticë pa u kthye ne u ba ittihadci, përveç tiranasve?
Pra simbas këtyne pikave që u përmendën , s'asht fare e udhës që të thuhet ma:Tirana rebele. Por përkundrazi, duhet me thanë pa farë ndroje gabimi se shqiptarët e Tiranës kanë qenë ma të flakët se të çdo vendi tjetër të Shqipnisë dhe ma të shumtë.
I qofshim falë Perëndisë që ia mbërritëm qëllimit tonë.
Nga burgu ku e mbylli pushteti i kuq, Hafiz Ibrahim Dalliut nuk kurseu urrejtjen e tij ndaj një regjimi që mbi të gjithçka të mohonte të drejtën për të qenë patriot. Vargjet e tij patriotët tiranas antikomunist të djeshëm e të sotëm i kanë kthyer në himn:
Komunistët
Po kërkove bukën, të japin urinë,
Po kërkove jetën, të japin patërdinë,
Po kërkove nderin, të japin llaftarinë,
Po kërkove shokun, të japin pabesinë,
Po kërkove besën, të japin tradhëtinë,
Po kërkove mëshiren, të japin gjakësinë,
Po kërkove njeriun, të japin kafshërinë,
Po të jesh shenjtor, të bashkojnë me qenërinë,
Po kërkove driten, të japin erresirën,
Po deshe shijen, të japin te veshtirën,
Po kërkove fene, të japin mundimin,
Po kërkove dhimbjen ,te japin acarimin,
Po të duash paqen, të bashkojne me krimin,
Po të duash familjen, të japin burgimin,
Po kërkove rregullin, të japin kukudhin,
Po kërkove Zotin, të japin të paudhin.