Sa peme po presin Bolles+Wilson dhe Atelier 4 tek Parku i Liqenit?

Sa pemë po presin Bolles+Wilson dhe Atelier 4 tek Parku i Liqenit?

Projekti i këndit të lojrave në Parkun e Liqenit vazhdon të publikohet e fantastikohet si i dëshirueshëm për të gjithë fëmijët e Tiranës dhe krejtësisht i padëmshëm për pemët në park.

Një prej imazheve të publikuara për këndin tregon katër fusha basketbolli të vendosura 360 gradë me njëra-tjetrën. Një model të tillë të vendosjes së fushave, mund ta komentojnë ekspertët apo dashamirësit e basketbollit të cilët duhet ta dinë më mirë nëse është e mundur të luhet basketboll me katër kosha ngjitur me njeri-tjetrin. Ne po e pranojmë si një qasje novatore shqiptare ndaj basketbollit.

Ajo çka duket e papranueshme është fakti se këto katër fusha nuk mund të realizohen pa prerë asnjë pemë, sikurse ka deklaruar Kryetari Veliaj. Këtë mund ta verifikojë me sy të lirë kushdo që shkon dhe sheh dendësinë e pemëve në zonën e ndërtimit në park.

Ndaj ose bashkia vazhdon të gënjejë me imazhet që tregon për projektin, ose Kryetari i saj vërtet do të dorëhiqet në 1 qershor.

Një tjetër imazh i propaganduar nga bashkia tregon një mur të kuqërremte betoni që shtrihet përgjatë gjithë gjatësisë të këndit të lojrave. A ka nevojë një kënd lojrash në park për një mur betoni 2 metra të lartë? A është normale që në një park, fëmijët të kacavirren në beton dhe jo nëpër pemë? Edhe këtë po ia lëmë gjykimit të ekspertëve të këndeve të lojrave të bashkisë. Sërish, kjo metodë eksperimentale mund të jetë e pranueshme me shpresën se ky mur do të zbulojë talentet e ardhshëm të kacavjerrjes shqiptare dhe mbase botërore.

Ajo çka është e papranueshme është që një mur i tillë nuk mund të ndërtohet pa prekur pemët që janë aty e rrënjët e tyre.

Sërish, ose bashkia po gënjen me imazhe, ose Kryetari vërtet do të dorëhiqet më 1 qershor.

Në fakt, po të analizohen të gjitha imazhet e publikuara nga Bashkia, kupton se është e pamundur që këndi i propozuar të ndërtohet pa dëmtuar pemët dhe pa urbanizuar atë pjesë të parkut.

Është dëshpëruese por duket e vërtetë që këndi i lojrave është projektuar pa u menduar fare nga Bolles+Wilson dhe Atelier 4, pasi propozimi i tyre nuk ka asnjë lidhje me konfigurimin real të pemëve dhe bimësisë në park.

Është për të ardhur keq që Bashkia dhe Kryetari i saj janë detyruar ta pranojnë një projekt tërësisht të papërputhshëm me terrenin ku do të vendoset këndi.

Bashkia dhe Kryetari i saj po gënjejnë se nuk kanë se ç'të bëjnë, pasi u kanë lënë në derë një projekt tërësisht të papërshtatshëm në çdo aspekt të tij.

Ndaj pyetja kryesore që ngrihet është pse duhet që qeveria të merrte në dorëzim një projekt të dobët dhe të papërshtatshëm?

Pse duhet që të paguhen arkitektë të papërshtatshëm për këtë lloj pune, si Bolles+Wilson, kur projekti është aq i rëndësishëm për qytetin?


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama