Sa shume e dua... Shqiperine

Sa shumë e dua... Shqipërinë
Vetëm kështu fotoja është gati për të dëshmuar çastin, për të dokumentuar atë që ishte kur koha ndali në një shkrepje. Këtë provon edhe Robert Hackam, fotografi britaniko-australian, i cili me fotot e realizuara në Shqipëri e Kosovë provoi të tregonte gjithë sa pa e njohu në këto dy vende, me një histori kaq komplekse. Sepse fotografia është një dëshmi e madhe, dëshmi të cilën Robert Hackman tentoi ta sillte ndryshe. Robert Hackman ka zgjedhur të prezantohet ndryshe. Ai preferon një tjetër mënyrë të fotografuari. Rob (kështu e thërrasin shkurt) ka zgjedhur të shikojë të bukurën, realen. Ai kështu dëshiron t‘ia prezantojë botës krijimet e tij. Rob zgjedh të përcjellë anën humane të shoqërisë. Në fotot e Robertit personazhet, ata që vuajnë, janë shpesh edhe më kurajozët. Ai i sjell ata të fortë, gati të përballojnë të gjitha vuajtjet. Sipas Hackman-it, fotoja duhet t‘i përgjigjet shprehjes së famshme "një foto vlen njëmijë fjalë". Kështu ajo tregon se sa e vërtetë është.

Robert gjithnjë ka për të treguar mbi Shqipërinë e Kosovën e nuk rresht së foluri për këto vende. Ai flet me aq pasion për Shqipërinë dhe Kosovën, shqiptarët e këtyre dy shteteve, sikur të kishte lindur aty. Ai ka vizituar e fotografuar shumë vise shqiptare gjatë shtatë viteve të fundit... Sa shumë? As atij nuk i kujtohet. Sa shumë kujtime nëpër Shqipëri, gjithnjë i shoqëruar nga aparati fotografik, gjithnjë duke fiksuar imazhe e personazhe... Sa shumë detaje Shqipërie e Kosove. Në secilën prej tyre ai është një histori më vete, në secilën prej tyre gjen mesazhin njerëzor. Atje është bota njerëzore që i intereson, është ajo që Roberti kërkon të njohë më thellë. Këtë ka synuar kudo ku ka shkuar.

Ai asnjëherë nuk i thotë jo një ftese për të biseduar mbi Shqipërinë dhe dashurinë që lindi për të. Nuk më refuzon. Takohemi në rrugën "Oxford". Së bashku zgjedhim të ulemi në një bar kafe, e cila ndodhet në katin e 13-të të një hoteli. Prej këtej, Londra shihet si në pëllëmbë të dorës. Ai nuk i ndahet dot së bukurës, e kërkon atë kudo qoftë, edhe në një bar kafe. Këtu biseda rrjedh natyrshëm... "Shqipëria për mua nuk ishte një vend fare i panjohur. Kur isha fëmi, në dhomën time të gjumit kisha një hartë të madhe të botës. Kam pasur gjithnjë kureshtje të njihem me vende të ndryshme e nëpërmjet kësaj harte u njoha me shumë prej tyre, kështu ndodhi edhe me Shqipërinë, sepse kisha studiuar të gjitha vendet e Evropës". Megjithatë, për herë të parë në Shqipëri ai mbërriti në vitin 2001, si i dërguar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të fotografuar largimin nga Shqipëria të refugjatëve të luftës së Kosovës.

Organizata në fjalë i besoi Robertit dokumentimin përmes fotove të gjurmëve që kishte lënë te këta viktima të luftës jo vetëm konflikti, por dhe realiteti i ri me të cilin do të përballeshin pas tij. Do të ktheheshin në Kosovë për të ndërtuar gjithçka nga e para. Si do të ishte reagimi? Fotot e Robert Hackman-it do të arkivoheshin në arkivin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

"Pas disa mesazheve me përfaqësues të OKB-së në Tiranë, gjithçka ishte gati për udhëtimin tim drejt Shqipërisë. Dita e parë në Tiranë për mua nisi me takimin në aeroport me një punonjëse të OKB-së, Mariola. Tani ajo është bashkëshortja ime", kujton ai. "Pashë njerëz gjithë energji dhe kjo më bëri të ndihem shumë mirë. Kuptova që shqiptarët ishin njerëz të cilëve nuk u kishte humbur shpresa dhe kjo përcillte tek unë një atmosferë vërtet pozitive. Pavarësisht të gjithave, ky pozitivitet ndihej ngado. Për mua Tirana ishte vërtet tërheqëse, e zhurmshme, e ndryshme nga qytetet e tjera nëpër botë, me të cilat isha njohur më parë", thotë Robert për ditën e parë në kryeqytetin shqiptar.

Për Robert, projekti i realizimit të fotove ishte një mision disi i vështirë, pasi në Shqipëri kishin mbetur shumë pak refugjatë lufte. Shumica kishin lënë kampet ku kishin qëndruar dhe ishin kthyer në Kosovë. Sipas tij, për një fotograf është e lehtë të fotografojë pamje klishe, apo mizorie të njerëzve të kthyer në refugjatë si pasojë e luftës. Por ai që në fillim të këtij projekti donte të tregonte anën tjetër të medaljes. Përpjekjet e këtyre njerëzve në ndërtimin e jetës së re, duke lënë kampet e refugjatëve ku kishin jetuar. Kjo është edhe vështirësia.

Megjithatë ai mundi t‘ia arrinte qëllimit. Pas disa javëve qëndrim në Shqipëri, duke vizituar njëri pas tjetrit qytetet shqiptare, fotografitë "Made in Albania" përcillnin shpresë. Ato i tregonin botës se për shqiptarët e Kosovës jeta vazhdonte. Ata kishin gjetur një strehë të ngrohtë në Shqipëri. Fotot e Robert Hackman-it u ekspozuan në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ndërsa u prezantuan edhe në Tiranë, pranë zyrave të OKB-së. "Ekspozimi i fotove u prit mirë", thotë Robert, duke shtuar se ato tregonin anën pozitive të shqiptarëve të Kosovës. Kjo reflektohej në çdonjërën prej tyre.

"Unë dallova shumë shpresë tek ata njerëz që takova. Këtë shpresë që gjeta mes tyre kërkova ta ndieja përmes fotove të mia. Besoj se ia arrita qëllimit dhe kjo më bën shumë të lumtur", shprehet Rob rreth misionit të parë në Shqipëri... Por ky nuk ishte i fundit.

Eksperienca interesante dhe e suksesshme bëri që fotografi të tundohej për t‘u kthyer sërish në Shqipëri. Vizita e parë e Robert Hackman do të ishte vetëm fillimi i asaj që ai tani e përshkruan si një dashuri për Shqipërinë përmes objektivit të aparatit fotografik, madje edhe si një adhurim për vendin e origjinës së bashkëshortes Mariola, me të cilën ai ka ndërtuar një jetë të lumtur. Robert nuk donte aspak që subjektin e refugjatëve nga Kosova ta quante një kapitull të mbyllur. Ai tregon se ka udhëtuar drejt Kosovës, duke hyrë atje nga pika të ndryshme kufitare, duke fotografuar të rikthyerit nga kampet e refugjatëve në Shqipëri. E ka ende të freskët momentin kur iu desh të përdorte pasaportën australiane për të hyrë në Kosovë. "Unë kam dy pasaporta. Atë britanike, përfshi edhe atë të origjinës, australiane. Pas konfliktit në Kosovë, serbët ishin ende të inatosur me britanikët. Vendosa që herën e fundit të fotografoja në veri të Kosovës, duke hyrë nga një pikë kufitare serbe. M‘u desh t‘u tregoja pasaportën australiane policëve në këtë pikë kufitare dhe ata më lanë të hyja lirshëm në Kosovë". Për Robertin, Kosova është një vend që të ofron shumë për të fotografuar, dhe ai nuk është i vetmi që e ka "shfrytëzuar" kësisoj.

Hackman flet me shumë respekt për punën që kolegët e tij kanë bërë para dhe pas konfliktit, duke i treguar botës realitetin e panjohur të këtij vendi që aspironte për liri. "Do ta quaja epike punën e fotografit Andry Testa. Ai është një shembull i rrallë. E kam takuar disa herë. Imazhet e Testës janë me të vërtetë të fuqishme dhe me siguri që do t‘i rezistojnë kohës", vijon rrëfimin Rob. Por edhe komuniteti rom në Shqipëri ka qenë një tjetër temë që britaniku e ka përcjellë nëpërmjet imazheve. Shpeshherë të përbuzur, të vuajtur e të trajtuar si shtresa më e ulët e shoqërisë shqiptare, por krenarë e punëtorë. Për të gjitha këto arsye Robert tregon se ka shumë respekt për romët. Ai i quan romët shqiptarë si pionierë të ndërtimit të industrisë së riciklimit në Shqipëri. Kjo ka bërë që ata të jenë kaq të pëlqyer nga ai. "Ata janë një shembull tipik i atyre njerëzve që shkëlqejnë përballë vuajtjes. Ata nuk kanë asgjë, por janë të lumtur dhe shpeshherë kthehen në objekt paragjykimi. Duke fotografuar ata dhe pasqyruar jetën e këtij komuniteti, kam dashur të kontribuoj në zhdukjen e paragjykimit ndaj tyre. Është një projekt që ende vazhdon", thotë Rob, tashmë një personazh i njohur dhe shumë miqësor për romët e Tiranës. Një tjetër aspekt që e ka intriguar atë të fotografojë romët ka të bëjë me punën e tyre si mbledhës të mbeturinave për t‘u ricikluar. Ai me të drejtë i quan ata si një pjesë e rëndësishme e industrisë së riciklimit në Shqipëri, duke premtuar se në udhëtimin e ardhshëm në Tiranë përsëri do të ndjekë nga afër jetën e komunitetit rom, parë në aspektin kontribuues që ata japin në shoqërinë shqiptare. Madje ai shton se kjo duhet parë edhe në këndvështrimin global, pasi dita-ditës çështja e riciklimit, që lidhet me mbrojtjen e planetit, është temë dite në kancelaritë e politikës botërore dhe axhendën e politikanëve.

Krahas fotografimit të romëve, Robert do të jetë në Shqipëri gjatë muajit gusht për një tjetër projekt ambicioz, mbi të cilin nuk jep shumë detaje, por thotë se do të mirëpritet, madje që tani ka ngjallur interes për t‘u ekspozuar në disa vende të botës.

"Do të shfrytëzoj bregdetin shqiptar për të shkrepur foto. Ai është ideal për t‘u fotografuar. Kështu, një rrugë e dy punë. Kam bindjen se projekti më i ri me foto nga Shqipëria do të pëlqehet", deklaron Robert. Përgëzimet dhe inkurajimi për këtë projekt nuk kanë munguar nga të interesuarit. Një regjisor shqiptar e ka quajtur si një ide brilante, e cila përveç anës artistike do të ngjallë interes për Shqipërinë dhe si pasojë shtimin e numrit të vizitorëve që do të duan ta vizitojnë.

Nuk ka dyshim që edhe ky projekt, i fotografit Robert Hackman, tashmë më shumë se një mik i shqiptarëve, do të rezultojë i suksesshëm. Kjo është vetëm çështje kohe.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama