Vetëm një javë stërvitje dhe paraqitje e shkëlqyer në debutimin kundër Austrisë së Vjenës. Mesfushori Sabien Lilaj është një prej tre lojtarëve të huazuar te Kukësi nga kampionët në fuqi të Skënderbeut. Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", Lilaj tregon për ditët si kuksian, diferencat që kjo skuadër ka me Skënderbeun, si dhe shanset për kualifikimin ndaj austriakëve. Korçari beson se me pak fat dhe me mbështetjen e tifozëve, Kukësi do të kalojë turin.
Sabien, nga Skënderbeu te Kukësi. Sa e vështirë ishte përshtatja me skuadrën e re?
Mendoja që do e kisha më të vështirë përshtatjen te Kukësi, por nuk ndodhi kështu. Të them të drejtën u ambientova mjaft mirë dhe shumë shpejt, pasi duke filluar nga presidenti, trajneri dhe shokët e skuadrës, na pritën mirë, si mua ashtu edhe Latifin e Fukuin. Kjo na ka bërë të punojmë me dëshirë dhe vullnet në këto 8 ditë stërvitje.
Humbët 1-0 ndeshjen e parë ndaj Austrisë së Vjenës, tashmë sa shanse mendon se ka Kukësi për të kaluar turin?
Edhe pse luajtëm një pjesë të dytë të mirë në Vjenë, mendoj se rezultati 1-0 është i keq. Na pret një ndeshje shumë e vështirë, por nga ana tjetër, gjëja më e mirë është që të gjithë në ekip jemi mjaft optimistë. Ka një dëshirë të jashtëzakonshme për ta kaluar turin dhe kjo është mjaft pozitive. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin për ta kaluar këtë tur. Mirëpo, duhet të shpresojmë dhe pak te fati, pasi këto ndeshje zgjidhen nga episode të veçanta, kështu që duhet edhe pak fat për të arritur kualifikimin ndaj austriakëve.
Kukësi ka shkuar deri në turin e katërt në Ligën e Europës, është një avantazh psikologjik në prag të kësaj ndeshjeje?
Ne kemi përpara një ndeshje të madhe që duam të kalojmë dhe nuk duhet të mendojmë për të ardhmen. Si unë ashtu dhe të gjithë shokët, jemi të përqendruar vetëm te kjo sfidë. Pastaj, nëse e kalojmë këtë tur, atëherë çdo gjë vjen gradualisht. Shpresoj që t'ia dalim dhe jam i bindur se më pas çdo gjë do të ecë mirë për gjithë skuadrën.
Çfarë i mungon këtij Kukësi për të bërë hapin e madh si Skënderbeu, i cili shkoi deri në grupet e Ligës së Europës?
Ka mjaft gjëra që janë ndryshe, duke nisur që nga fusha stërvitore. Kukësi nuk e ka një fushë të sajën, një ambient ku lojtarët të qëndrojnë gjatë gjithë kohës, duke zhvilluar ndeshjet. Ata stërviten në Tiranë dhe natyrshëm në kryeqytet shkojnë në disa komplekse apo fusha stërvitore. Këto janë gjëra që shpërqendrojnë lojtarët, pa harruar cilësinë e fushave ku stërviten.
Mendoni se këto detaje të vogla mund të bëjnë diferencën mes dy klubeve?
Natyrisht, sepse në pamje të parë kjo gjë duket e vogël, por që është mjaft e rëndësishme. Diçka tjetër që Kukësi nuk e ka është se edhe Skënderbeu ka pasur fatin që të fitoj disa tituj rresht. Pra, ka pasur vazhdimësi dhe është ndryshe të fitosh kampionatin dhe ndryshe të dalësh i dyti, si nga ana ekonomike, si nga grupi dhe nga shumë gjëra të tjera. Kur fiton titullin, të shtohet uria për më shumë.
Ju sa e gjeni veten me stilin e lojës së Kukësit?
Mendoj që Skënderbeu luan një futboll tjetër nga Kukësi, ku mua më pëlqen shumë, por që secili ekip zgjedh strategjinë e vetë për të arritur te suksesi. Janë dy skuadra të ndryshme dhe normalisht nuk kanë stil të njëjtë loje, por gjithsesi, kanë një gjë të përbashkët, lojtarë me kualitete dhe me shumë dëshirë për të fituar.
Jeni tre lojtarë të huazuar te Kukësi nga Skënderbeu. A ka një tjetër futbollist që do të dëshiroje ta kishe nga korçarët në këtë aventurë?
Nuk mund të them asnjë emër, sepse i bie që mos të respektoj lojtarët aktual të Kukësit. Gjithsesi, unë dua të theksoj se në pjesën e dytë kundër Austrisë së Vjenës, treguam se mund të luajmë shumë mirë në grup, edhe pse ne ishim të sapoardhur në këtë skuadër. Kukësi ka lojtarë me kualitete, por duke qenë se dhe në ndeshjen e parë topin e ndali shtylla, këtë herë ishalla hyn gol, që të kualifikohemi.
Në ndeshjen e kthimit do të keni edhe mbështetjen e tifozëve, mendoni se kjo do të jetë një armë plus kundër Austrisë së Vjenës?
Normale që është një gjë e mirë, pasi do të jetë një mbështetje e madhe për ne në fushë. Nuk kam luajtur ndonjëherë përballë tifozëve të Kukësit, por shpresoj që të jenë sa më të shumtë, në mënyrë që të na mbështesin, pasi kjo është një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne dhe ata vetë.
SKERDILAID SULOZEQI