Arsyeja?
Ai rimori me mend lodhjen e tij si lexues dhe më pas si lexues i kultivuar, asaj kohe kur letërsia nuk lexohej e zhveshur apo e ndarë nga ideologjia. Tashi kur, dora dorës, me rënien e një ideologjie që e shoqëroi po edhe e helmoi letërsinë shqipe, ajo mbetet për t'u parë jo veç në rrjedhën historike. Ajo ka brenda fenomene e probleme të veçanta. Për shembull një nga "fenomenet e veçanta" i trajtuar tek "Albanizmat" është fenomeni kulturor i teksteve françeskane. Pater Zef Pllumi dhe vepra e tij është në brendësi një kapitull më vete. Në 11 kapituj të tjerë trajtohen letërsia monumentale, letërsia autobiografike, letërsia okazionale, letërsia misionare (ky kapitull trajton edhe mungesën e realizmit në letërsinë shqipe, temës që tërhoqi vëmendjen e të pranishme dje), Sami Frashëri: Alteriteti kulturor, Zef Zorba: Alternativa moderne, Eqrem Çabej: Romantizmi e modernizmi, Kritika letrare etj.. "Është një libër jo thjesht mbi letërsinë shqipe, por një libër mbi botën shqiptare", tha Marku Marku, "sepse Sabri Hamiti është në një dialog të gjatë me botën shqiptare. Ai ka shkuar drejt fillesave të kësaj bote, drejt thelbit kontradiktor të historisë së kësaj bote dhe drejt specifikave të saj."
Për Agron Tufën, "Albanizma" i afrohet synimit për një poetikë historike të letërsisë shqipe, jashtë skemave të metodologjisë së deritanishme. "Unë punoj për një sistem të letërsisë shqipe", tha dje Hamiti. "Ndjej nevojën ta lexoj dhe ta rilexoj letërsinë shqipe." Ai theksoi se letërsia shqipe s'është botuar ende e plotë, as librat s'janë rimarrë, as dorëshkrimet e saj. Po ashtu do të ishte e nevojshme një enciklopedi e letërsisë shqipe, vlerësimet e të cilës do të nxirrnin mbi ujë autorë dhe vepra. Nëse nuk e bëjnë studiuesit këtë punë, as koha që provon shumë gjëra, vetiu nuk ka për ta bërë.
Çfarë janë Albanizmat?
Është titulli dhe kapitulli fillestar i këtij libri që në të vërtetë ka të bëjë me një nocion që përfshin identitete kulturore dhe letrare shqipe, domethënë, karakteristika të përsëritshme dhe të përsëritura të kësaj kulture dhe të kësaj letërsie të cilat duken në shoqëri dhe reflektohen në letërsi. Këto janë albanizmat.
Projekti për një poetikë historike të letërsisë shqipe pjesë e të cilit është edhe ky libër, kur ka nisur, nëse do t'i referoheshim një kufiri kohor dhe motivesh?
Leximi singular i veprave ose i autorëve të veçantë, është punë e një kritike letrare që e kam bërë në gjithë këto dekada. Përherë ka qenë tendenca që të shihet e veçanta dhe qysh do të dukej në një sistematikë të vlerave të letërsisë shqipe. Prandaj ata libra atëhere kanë pasur nëntitullin "sprova për një poetikë". Në tre librat e fundit, të cilët do të lexohen bashkë, "Bioletra", "Tematologjia" dhe "Albanizma", në të vërtetë unë pretendoj që kam arritur në nivelin e sublimimit të karakteristikave themelore të letërsisë shqipe të para si ndërtim dhe si domethënie, pra si poetikë. Ende nuk i kam vënë emrin formalisht "poetika historike e shqipes", por funksionalisht, ky trelibërsh, e krijon një variant të asaj që unë e quaj poetika historike e shqipes.
Cilat janë ndër "sprovat" e para duke pasur parasysh interesat tuaja të fillimit?
Nuk kam filluar të shkruaj për veprat letrare duke pasur parasysh një histori letërsie. Kam filluar të lexoj vepra të veçanta si çdo lexues i cili të nesërmen bëhet lexues i kultivuar kur shkruan për letërsinë. Në vitin '68 isha 18 vjeç, moshë kur hyj në studimet e letërsisë.
Që atëhere, në mënyrë sistematike kam shkruar për letërsinë, prandaj vitin 68 e mbaj si vit kufi, kufi i asaj që quhet "shekulli im letrar" ose shekulli im i leximit dhe shkrimit të letërsisë. Gjithë kohën ka qenë një karakteristikë që të lexohet letërsia pa e paragjykuar ideologjinë e saj.
Sepse ju e dini në atë kohë ka qenë e lodhshme që të lexohej letërsia me parashtresën ideologjike që ka qenë e fortë. Rebelimi im, ta quaj personal, ka qenë që t'i kthehem tekstit dhe ta lexoj duke harruar një përkufizim paraprak të letërsisë dhe mendoj që këtë karakteristikë të shkrimit unë nuk e kam lëshuar as sot. Do të duhej të ishte një tip identiteti i shkrimit tim ky insistim.
Për ta ilustruar me autorë dhe vepra?
Lasgush Poradeci, rizbulimi i Lasgushit te brezi im. Është shkrim i asaj kohe.
Shkrimtari Agron Tufa, duke analizuar "Albanizmën", tha se kjo vepër pohon që është krijuar një letërsi moderne në fshehtësi e cila nuk ka komunikuar me lexuesin dhe në këtë rast i humburi është lexuesi. Për çfarë rastesh është fjala?
Ai kishte parasysh studimin për Zef Zorbën, një nga studimet interesante brenda librit, sepse Zef Zorbën e dua shumë. Kemi të bëjmë me një autor që ka shkruar poezi gjatë gjithë jetës. Ka ndërtuar një libër poetik sistematik "Buzë të ngrira në gaz" që është shkruar për dyzetë apo pesëdhjetë vjet. Është libër tipik modern. Mendoj se në Shqipëri është krijuar jeta paralele. Ekziston një libër poetik si i Zef Zorbës që është shkruar në këtë vend - pa marrë parasysh që ai s'ka qarkulluar, humbësi është lexuesi, thotë Tufa, dhe është e vërtetë.
Po të ishte lexuar do të shkonin rrjedhat ndryshe. Një letërsi e tillë ka qenë e skematizuar në njërën anë, në anën tjetër ka prodhuar një libër të tillë. Rasti I Zorbës nuk është i vetmi, por meqë ra fjala, është libri më i sistemuar poetik i poezisë që është krijuar në Shqipëri në dyzetë vitet e fundit, pavarësisht se unë nuk i preferoj shumë ndarjet me kohë. Preferoj që sistematizimi të bëhet në bazë të karakteristikave të letërsisë. Prandaj tek "Albanizmat" fenomenet i shoh në krejt gjatësinë e shkrimit të letërsisë shqipe. Në distancë kohe ndodh që një libër që del sot, rizbulon një traditë shkrimi brenda letërsisë dhe e ringjall dhe krijon qerthullin e librave qoftë si teknikë shkrimi, qoftë si strukturë letrare, qoftë si domethënie dhe filozofi. Prandaj abstenoj ta vlerësoj letërsinë të copëtuar në kohë.
Historia e letërsisë shqipe, thoni ju, nuk mund të shkruhet si një doracak pedagogjik por si një tekst akademik. Përse?
Ju e dini çfarë ka ndodhur. Historitë e letërsisë, kryesisht, janë ndërtuar si nevoja për të mësuar fëmijët, për të mësuar letërsinë. Ky është thjesht libër me efekt përdorues. Unë insistoj që të krijohet historia e letërsisë pa e pasur parasysh funksionin e saj në klasë ose në fakultet.
Tekstet pedagogjike janë tekste që kryejnë një shërbim në edukim, unë kërkoj një tekst i cili vlerëson por nuk ka parasysh qysh do të përdoret. "Albanizma" u cilësua nga referuesi Mark Marku si një vepër që shpreh vullnetin dhe dëshirën që më në fund shqiptarët, pasi kanë përmbushur premisat historike, të flasin për veten.
Letërsia shqipe ka pasur shumë referenca me historinë dhe prandaj nganjëherë duket si shtesë e historisë, për fat të keq. Ka qenë njëherë shtesë e idesë fetare, po edhe shtesë e idesë nacionale, në shekullin XIX, kryesisht si romantike. Më pas vjen si shtesë e idesë së ideologjisë. Sa herë ka qenë më pak shtesë e ideologjisë ka qenë më e veçantë, më individuale, më moderne. Mark Marku ka thënë një të vërtetë. Në një mënyrë ai ka replikuar me idetë e Çabejt të vitit 39: A do të vijë koha, thotë Çabej, që literaturat e Ballkanit, ndër to dhe shqipja, të mos kenë detyra historike dhe politike, por të bëhen literaturë për vetveten? Insistimi im është që letërsia të lexohet si e vetëmjaftueshme për vetveten, sepse i mjafton njohja që ka brenda, vetënjohja e njeriut, i mjafton për të qenë estetikisht e nevojshme për njeriun, pa pasur shtesa ideologjike.
Gazeta Shekulli