Sadije Berisha Po kthehemi te familja ne Shqiperi

Sadije Berisha: Po kthehemi te familja ne Shqiperi
Bashkëshortja zyrtare e djalit të kryeministrit Sali Berisha do të vijë në Tiranë. Një ditë më parë, nëpërmjet një statusi në Facebook, nga Stokholmi në Suedi, ajo ka njoftuar se do të vijë në Shqipëri për t’u bashkuar me familjen e saj. Sadija ndan me miqtë virtual faktin që dy fëmijët kanë përfunduar sezonin shkollor me rezultate shumë të mira. Këto rezultate e bëjnë të ndihet shumë krenare. Ajo duket sikur mezi po pret të kthehet pranë familjes së saj në Tiranë. Sipas saj djali dhe vajza janë gati të vijnë në Shqipëri, po ashtu edhe ajo. Mbrëmjen e së premtes, pa kaluar mesnata ajo ka postuar statusin së bashku me disa foto të reja. Mes tyre bënin në sy dy foto të cilat u shtuan në galerinë e saj ku Berisha shoqërohej nga bashkëshorti i saj Shkëlezeni. Ditën e djeshme “Shekulli” tentoi të komunikoi me Sadijen e cila pas interesit tonë për ardhjen e saj në Shqipëri, e fshiu statusin e saj në rrjetin social Facebook duke e lënë enigmë këtë situatë.

Ardhja e pjesës tjetër të familjes së Shkëlzenit në Shqipëri përkon fiks një javë përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.  Bashkëshortja e tij gëzon edhe të drejtën e plot të votës si qytetare e këtij shteti. Në 24 prill 2012, ish-presidenti Topi firmosi dekretin për dhënie shtetësie shqiptare për Sadije Berishën dhe nënën e saj Sadije Elezi. Ajo e ka emrin në listën e votueseve për këto zgjedhje dhe sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, Sadije Hasan Berisha do të votojë në Qendrën Shëndetësore, Lundër, komuna Farkë.

Largimi

Largimi i saj për në Stokholm është përfolur jo pak. Dyshimet e para për kthimin e Sadije Berishës dhe fëmijëve të saj në Suedi lindën pak muaj më parë, pas mungesës së gjatë të saj në publik, ku nuk kishte munguar të dilte në prani të bashkëshortit, Shkëlzen apo vjehrrës, Liri Berisha. Në foton e publikuar nga kryeministri Berisha në profilin e vet në Facebook, me rastin e vitit të ri ndodheshin të gjithë pjesëtarët e familjes përveç Sadijes, ndërsa zyra e shtypit e kryeministrit tha se “ajo po bënte foton”!!!. Largimi i saj u dha peshë fjalëve se marrëdhënia mes saj dhe djalit të kryeministrit ishte në krizë, pas një lidhjeje të re që Shkëlzeni kishte nisur prej disa kohësh. Por edhe pse e larguar, në profilin e vet në facebook, Sadije Berisha mbetet simpatizante e PD-së së vjehrrit të saj, Sali Berisha, siç e shpreh te kategoria “Pikëpamje Politike”. Natyrshëm lind pyetja: a ishte kriza e tyre një ëndërr e keqe, apo Sadija do përdoret për fushatë?

Statusi i shkruar në facebook

Medina mbaroi klasën dytë dhe doli shumë mirë në suedisht në të shkruar edhe lexuar. Lajdoni, përfundoi klasën e parë me rezultate shumë të mira. Jam shumë e lumtur. Tani jemi duke bërë gati valixhet për tu kthyer pranë familjes tonë në Shqipëri.

Sadije Berisha: “Na nuk jemi ndarë”

Këtë javë “Shekulli” ka hedhur dritë mbi jetën e Sadijes në Suedi, pran fëmijëve të saj, por edhe është folur për një lidhje jashtëmartesore mes bashkëshortit të saj dhe Shkëlzen Berishës. Pas lajmit të bujshëm që Shkëlzeni zyrtarizon lidhjen me bukuroshen Armina Mevlani, gazeta ka komunikuar me Sadijen dhe ajo ka thënë vetëm një fjalë. Përgjigje që mori nga ajo ishte: “Na nuk jemi ndarë”- ka shkruar ajo shkurt edhe prerë, pa dhënë shumë detaje për këtë lajm dhe për ndarjen e tyre. Armina Mevlani, nuk deshi të komentojë asgjë rreth lajmit për rikthimin e Sadijes në Tiranë.

Armina pranon lidhjen më Shkëlzenin

Armina Mevlani, “Miss Albania 2009”, një javë më parë nuk e ka mohuar lidhjen me Shkëlzen Berishën. E pyetur nga“Shekulli”, nëse është ajo vajza më të cilën shoqërohet  Berisha, Mevlani pohon: “Nuk dua ta komentoi këtë situatë dhe kam qëndruar larg medieve për këtë çështje” . E pyetur përsëri nëse e mohon lidhjen me djalin Kryeministrit, ajo thotë: “Jo jo, unë nuk e mohoj, por thjesht nuk dua të flasë ta komentoj për momentin. Nuk di çfarë t’ju them! Kjo është e gjitha çka mund të shprehem”. Më këto fjalë e shpjegon Armina gjithë thashethemnajën që qarkullon për një lidhje të mundshme të sajën me djalin e Kryeministrit. Sa herë që dalin në pah dhe zbulohen lidhje jashtë martesore gjithmonë ka një kuriozitet më shumë se sa zakonisht. Kjo javë e ka pasur një të tillë që ka zgjuar kërshëri. Me ardhjen e Sadijes do kuptojmë më shumë se çfarë do të ndodh!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama