Dimri si kronikë e prishjes me vëllanë e madh sovjetik përshkruan çarjen në kampin socialist.
“Më mallkueshëm,disa pohojnë se veprat e Kadaresë të shkruara gjatë sundimit të Hoxhës –sidomos ‘Dimri…’ qartë e lavdërojnë liderin dhe prishjen e tij me sovjetikët në vitin 1961, pas së cilës komunizmi i vendit u sintetizua me mitologji ultranacionaliste”- shkruante The Guardian më 12 mars të vitit 2009 pas kandidimit sërish të Kadaresë për çmimin Nobel në letërsi. Por siç thotë dhe gazetari dhe shkrimtari francez Eric Faye, “Pas daljes së versionit të dytë të ‘Dimrit të vetmisë së madhe’, Ismail Kadareja e kupton se regjimi nuk do më që ai të botojë romane. Me sa duket, Hoxha nuk dëshiron t’i krijohet një rival i librit që përmban portretin e tij.” Vetë Kadareja në krye të ribotimit të romanit këtë vit nga shtëpia botuese “Onufri” thotë se Tabloja globale e komunizmit botëror në këtë roman ishte një ndër më të zymtat që kishte dhënë ndonjëherë letërsia. I këtij mendimi është edhe profesor Sadik Bejko. Në intervistën e tij për ‘Mapo’-n ai shprehet se vepra e Kadaresë dhe sidomos romani “Dimri i vetmisë së madhe”, ende nuk është studiuar në tërësinë e saj.
Zoti Bejko, si e keni lexuar më ’73-in romanin “Dimri i vetmisë së madhe”?
Brezi ynë ka marrë prej këtij romani jo atë çfarë thoshin kritikët por atë që na jepte vepra, që ishte vërtet tronditëse. “Dimri i vetmisë së madhe” ishte për ne një afresk i jashtëzakonshëm i letërsisë shqipe, e parë në gjithë madhështinë e tij si një mozaik i madh. Në librin e Shaban Sinanit “Dosja K” vë re se romani “Dimri i vetmisë së madhe” ka kaluar në lupën e censurës dhe kontrollit që bëhej atëherë nga Komitetit Qendror i Partisë. Pavarësisht kësaj, “Dimri i vetmisë së madhe” arriti të botohej në vitin 1973 dhe ishte një roman që një pjesë e shqiptarëve, pjesa që kishte mendimin për një hapje të Shqipërisë, e lexoi ashtu siç mund të lexohet dhe sot; që Shqipëria ishte një vend i izoluar, me shumë drama, e rrënuar ekonomikisht, dhe kjo ishte tabloja më e zymtë e komunizmit që mund të pasohej deri në masakrime e tërheqje zvarrë të Byrosë Politike. Por ai roman në atë kohë është përfolur shumë për një frazë lapidar do të thosha unë, ku Kadare shkruan se në Shqipërinë e kohës, në luftën midis të aftëve dhe të paaftëve, gjithmonë janë të aftët ata që humbasin dhe të paaftët përfitojnë. Vërtet romani kishte në qendër figurën e Enver Hoxhës, por në fakte dhe detaje ai jepte panoramën e një vendi që sapo ishte shkëputur nga kampi socialist dhe që tani e priste një izolim i egër, uria, katastrofa drama. Në fund të romanit Kadare jep dhe vizionin e plakave të Këlcyrës, të cilat dalin në sheshin ‘Skënderbej’ dhe shesin skllevër.
Po pse u kritikua romani në atë kohë, kur në qendër kishte figurën e Enver Hoxhës?
Siç thonë që Zoti është në detaje, ndonjëherë edhe djalli është në detaje. Edhe në detaje romani ishte i gjithi kundër komunizmit edhe pse në qendër kishte si personazh Enver Hoxhën. Romani ishte ndërtuar me një mënyrë “demoniake”, me atë demonizmin që e kanë vetëm shkrimtarët e mëdhenj. Romani jepte pasqyrën e një krize të brendshme të komunizmit shqiptar dhe ndarja nga Bashkimi Sovjetik atë krizë e nxori në pah.
Ky ishte një lexim i romanit, që nga pjesa më konservatore e lexuesve në Shqipëri nuk u pranua. Në zbulimin e asaj të panjohurës, romani hapi shumë debate, sepse pjesa me konservatore e ndjeu lojën e shkrimtarit, i cili nga njëra anë kishte vënë në qendër figurën e udhëheqësit Enver Hoxha dhe nga ana tjetër përmes detajeve hidhte poshtë gjithë sistemin që ai kishte ngritur.
Kjo dykuptimësi e nxiti këtë lexues konservator që të “dyndej” me letra në Komitetin Qendror, ku edhe vetë udhëheqësi Enver Hoxha u zu ngushtë; ta hidhte poshtë këtë roman, ku ishte figura e tij, e cila i pëlqente shumë, apo të bënte diçka që ta fajësonte romanin që të kënaqte pjesën konservatore. Kjo situatë e çoi edhe vetë romanin drejt një krize; i botuar dhe i kritikuar njëkohësisht. Enver Hoxha “e zhbllokoi” këtë situatë në një mbledhje në Elbasan, ku tha se ky roman duhet rishikuar dhe një herë. Por më pas të gjithë donin ta lexonin “Dimrin e vetmisë madhe” dhe jo “Dimrin e Madh”. I pari ishte botuar ndërkohë në 50 mijë kopje dhe nuk ishte pak. Sot “Dimri i vetmisë së madhe” është një roman që ende nuk i është bërë një interpretim siç duhet.
Ç’doni të thoni me “interpretim siç duhet”?
Ky roman në tërësinë e tij ndër lexuesit e mesëm apo të thjeshtë ka perceptimin e një romani që në qendër ka figurën e Enver Hoxhës. Kësaj të vërtete nuk mund t’i shmangesh, sepse Enver Hoxha është personazh i këtij romani. Por veprat letrare të mëdha, siç është romani “Dimri i vetmisë së madhe”, janë të tilla që ndonjëherë me detajet hedhin poshtë idetë që bart personazhi. Tërësia e romanit në të nxjerr një ide që përçon thënia e Sollzhenicini se duket sikur është ndërtuar një botë e re, por kjo ishte si një pëllëmbë dhe përmbi tokën e vjetër.
Kritika që u bëhej veprave letrare në të kaluarën (patra viteve ’90) ishte një kritikë që në veprat letrare nuk bazohej te detajet apo shumëkuptimësia që jepte teksti letrar, por një kritikë që përçonte disa ide të përcaktuara dhe që kritiku mundohej që këtyre ideve të veta t’u ngjiste fragmente apo personazhet e një romani. E vërteta është se e gjithë vepra e Kadaresë meriton të lexohet, të shihet me të vërtetat e saj dhe të analizohet sesi kjo vepër lexohet sot, si e merr lexuesi i sotëm mesazhin prej saj. Sepse një vepër letrare e tillë ka aftësi t’u flasë brezave me pikëvështrime të tjera.
Letërsia që kur është krijuar ka një logjikë, ka një ligjshmëri ndërtimi të veprës dhe kjo ligjshmëri e veprës letrare i jep asaj jetëgjatësi. Vepra e Kadaresë në shtjellimet që merr nuk është vepër në mbrojtje të figurës dhe idesë së personazhit Enver Hoxha. Vepra sidomos pas shkëputjes nga kampi socialist, jep panoramën e një vendi i cili është i barsur me aq drama dhe katastrofa që ndrydhen dhe shtypen, e një ditë do të shpërthejnë. Romani ka figura që dalin përtej ngjarjes që ajo trajton, që është prishja me sovjetikët. Sigurisht që kjo është ngjarja, por izolimi, tronditjet, ofshamat që zgjon ky roman dhe mënyrat sesi ajo përthyhet në të gjitha shtresat e shoqërisë, këto elemente përbëjnë analizën e veprës.
E gjitha kjo meriton një shtjellim të hollësishëm të detajuar, të mbështetur në fakte dhe detaje që vetë romani i sjell. Dhe kjo analizë do të përçonte dhe atë që Kadare e jep dhe në titull ky vend është në vetminë e madhe, ky vend është në fatkeqësi dhe e ardhmja e tij është e barsur me fatkeq.
Sipas jush, ka munguar një analizë e tillë edhe këto 20 vjet?
Një analizë e tillë në këto 20 vjet jo se ka munguar, sepse nga pikëpamja numerike ka shumë të tilla, por asnjëra prej tyre nuk e ka pikëvështrimin se çfarë i thotë të sotmes kjo vepër letrare, si e lexon sot brezi i ri i lexuesve.
Po përse, sipas jush, nuk ka sot një analizë jo vetëm të këtij romani por në përgjithësi të veprave që janë shkruar para ’90-ës?
Përgjithësisht në këtë periudhë edhe institucionet që merren me kritikën, analizën etj. janë në krizën e tyre. Ne nuk kemi sot një histori të letërsisë shqipe, nuk kemi monografi shteruese për figura të rëndësishme të letërsisë shqipe, si p.sh. Fishta, edhe pse kanë kaluar 20 vjet. Por nga ana tjetër ne kemi katedra në Prishtinë, Tetovë, Gjirokastër, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Tiranë, madje dhe në Kalabri.
Mund të kemi rreth 15 katedra të letërsisë shqipe, ku profesorë të nderuar japin historinë e letërsisë, por nuk ka asnjë monografi të shkruar sidomos për letërsinë e para viteve ’90, që ka pasur disa shkrimtarë të shquar edhe në qarkun Prishtinës gjithashtu, jo vetëm në Shqipëri. Një monografi e shkruar nga historianët e letërsisë do të ngrinte një sistem vlerash për autorët dhe veprat letrare në ngrehinën e madhe te letërsisë. Historiani më shumë sesa kritiku i letërsisë e vendos veprën e një autori në një kuadër më të zgjeruar dhe më të thelluar. Në mungesë të kësaj çdokush mund të dalë e të thotë se ky apo ai është shkrimtar i madh dhe çdokush mund të flasë e të shkruajë si të dojë për X apo Y shkrimtar.
Romani “Dimri i Vetmisë së Madhe” u ndalua sepse paraqiste një jetë të zymtë të Shqipërisë gjatë kohës së komunizmit. Romani është kritikuar ashpër edhe në një letër të Komitetit të Partisë të Tiranës, dërguar Komitetit Qendror të PPSH, e shkruar më 8 maj të vitit 1973, ku është bërë një analizë e hollësishme në mbështetje të kritikës negative ndaj romanit.
Dokumenti i KQ të PPSH për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”
1. Autori shtrembëron të vërtetën historike, kur si fillim të divergjencave të PPSH me revizionistët hrushovianë vendos vitin 1960 dhe kur këto divergjenca i redukton vetëm për problemin e grurit dhe për çështjet nacionale në përgjithësi.
Gjithashtu shtrembërohet e vërteta mbi domosdoshmërinë e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e të bazës ushtarake të Vlorës, duke i paraqitur këto si gabime qysh në krye të vendosjes së tyre.
2. Situata e brendshme e vendit, marrëdhëniet shoqërore e lufta e klasave gjatë periudhës së bllokadës nuk janë pasqyruar drejt e me vërtetësi jetësore. Atmosfera është dhënë e zymtë dhe romanin e përshkon një lloj ankthi ekzistencialist. Por dihet se kjo situatë, që kërkoi sakrifica të mëdha nga populli ynë, nuk krijoi te ne një ankth të tillë.
Përkundrazi, ajo që ka qenë karakteristike në atë periudhë e që nuk pasqyrohet në vepër ka qenë ngritja në një shkallë më të lartë e unitetit moralo-politik të popullit tonë rreth partisë dhe entuziazmi i tyre revolucionar.
Në vepër përmenden masat dhe veçanërisht klasa punëtore, që i vunë supet bllokadës, por puna mbetet vetëm me kaq. Bile lëvizjen revolucionare për kursim autori pa të drejtë e ironizon. Ndërsa patriotizmin e masave, gatishmërinë për mbrojtjen e atdheut, autori i jep si patriotizëm të pabazuar. Gjithashtu, autori pa të drejtë ul dhe përçmon rolin dhe kontributin që dha inteligjencia jonë në përballimin e bllokadës.
3. Lufta e klasave pasqyrohet pa vërtetësi dhe nga pozitat e humanizmit abstrakt. Armiku i brendshëm në këtë periudhë pati iluzione, por ai nuk pati as më të voglin përfitim nga kjo situatë, sikurse pretendohet në roman.
Autori pa të drejtë dhe në kundërshtim me mësimet e marksizëm-leninizmit e të partisë sonë e quan si luftën më të egër (më tej se lufta e klasave) luftën midis të aftëve dhe të paaftëve në socializëm dhe aq më keq kur shpreh idenë se konsekuentë dhe triumfatorë janë të paaftët. Ndërsa lufta kundër burokratizmit (megjithëse autori e quan “burokraci”) nuk është tragjike, sikundër thotë ai.
4. Në vepër përligjet e propagandohet lufta midis brezave. Motoja e kësaj lëvizjeje paraqitet egoja, ambicia etj. Bile edhe lidhjet e komunistëve të rinj me partinë kushtëzohen nga plotësimi ose mosplotësimi i kërkesave të tyre egoiste. Komunistët e rinj u kundërvihen të vjetërve për arsye se këta janë deklasuar, sipas autorit.
5. Për sa u përket heronjve, ndihet fryma e deheroizmit. Personazhet negativë janë më të shumtë dhe paraqitja e tyre zë vendin kryesor. Përfaqësuesit e brezit të luftës janë dhënë në përgjithësi në dekadencë shpirtërore, fizike e deri psikike. Ndërsa ata që do të marrin stafetën, të lëkundur apo të degjeneruar.
6. Në vepër paraqiten plagë të tilla shoqërore si alkoolizmi, prostitucioni etj., të cilat nuk kanë qenë e nuk janë karakteristikë e shoqërisë sonë socialiste. Ndërsa mënyra sesi i paraqet ato autori bëhet shkas për propagandimin e tyre dhe të mënyrës së jetesës borgjeze në përgjithësi.
7. Veçanërisht ndihet në roman influencimi i autorit nga teoria e sotme borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga filozofia ekzistencialiste. Propagandohet deideologjizimi, për të cilin flitet në perëndim. Po kështu edhe në stil, veçanërisht te përshkrimet, ndihet influenca e surrealistëve dhe dekadentëve të tjerë. Romani në përgjithësi nuk është shkruar sipas shijes së publikut shqiptar.
Prandaj, sipas mendimit të shokëve që ngritën këto probleme, do të ishte mirë që ky roman të hiqet nga qarkullimi.
8 maj 1973
Deklarata e Enverit për Kadarenë në plenumin e Elbasanit
Enver Hoxha ishte ende në dilemë ta ndalonte apo jo romanin “Dimri i vetmisë së madhe”. Në Elbasan, më 15 maj të 1973, në mbledhjen e Partisë, kur u pyet se çfarë mendonte për veprën e fundit të Ismail Kadaresë, ai tha: Ismaili është një shkrimtar me talent, si në veprat e tjera që ka shkruar deri tani, edhe romani ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’ ka anë pozitive. Natyrisht në të gjendet ndonjë pjesë që është për t’u kritikuar dhe duhet korrigjuar, prandaj për të dhënë një gjykim të drejtë edhe objektiv të veprës së tij të fundit, ashtu si kurdoherë, edhe në rastin konkret duhen parë dy anët e medaljes, në mënyrë që kritika që i bëhet të mos jetë e njëanshme. Unë jam i bindur se Ismaili si shkrimtar me talent që është do t’i ketë parasysh të gjitha kritikat e drejta që i bëhen me qëllim konstruktiv dhe do t’i realizojë.” Pas kësaj erdhi “Dimri i madh”.