Safet Gjici ul euforine e tifozeve Rudari ka ekip cilesor

Safet Gjici ul euforinë e tifozëve: Rudari ka ekip cilësor

Në lidhje me shortin, i cili është hedhur mesditën e djeshme në Nion, presidenti Safet Gjici është shprehur mjaft i kënaqur për kundërshtarin që do të ketë përballë ekipi i tij. "E ndoqa me vëmendje shortin dhe jam shumë i kënaqur për ekipin që do të kemi përballë.

gjici

Megjithatë, Rudar Pljevlja është një skuadër që duhet vlerësuar, pasi është një ekip i fortë dhe me lojtarë cilësorë në përbërje", ka thënë shkurtimisht numri një i skuadrës verilindore. Ky i fundit me deklaratën e tij ka pasur si objektiv që të ulë euforinë te skuadra e tij, në mënyrë që lojtarët ta vlerë- sojnë maksimalisht kundërshtarin.

Drejtori

Ashtu si presidenti edhe drejtori i Përgjithshëm, Dritan Dervishi, ka vlerësuar kundërshtarin, megjithatë është i bindur se Kukësi nuk ka për ta diskutuar në asnjë moment kualifikimin për në turin tjetër. "Rudar Pljevlja ka në ekip lojtarë që luajnë prej vitesh me njëri-tjetrin dhe duhet që ta përgatisim ndeshjen me kujdes.

Duhet të japim maksimumin për ta kaluar këtë tur. Besoj se do të luajmë dy ndeshje të vështira, por jo të pakalueshme. Ne jemi Kukësi dhe historia e viteve të fundit në Europa Ligë na dikton që ta kalojmë këtë tur", u shpreh Dervishi.

Trajneri

Ndërkohë, trajneri Hasan Lika, i cili po zhvillon fazën përgatitore me skuadrën e tij në Maribor të Sllovenisë, ka thënë se kërkon më shumë informacion për kundërshtarin. "Shorti është i pranueshëm, duke u bazuar edhe tek eksperienca e vitit të kaluar, megjithatë në ditët në vijim duhet ta njohim më nga afër kundërshtarin.

Sa i takon ekipit, në dy-tri ditët në vijim do të jemi më të kompletuar", ka mbyllur Lika. Deri më tani, Kukësi ka qenë një nga ekipet më aktive në merkato, duke afruar futbollistë nga brenda dhe jashtë vendit, megjithatë drejtuesit kanë premtuar edhe disa blerje të tjera.

Skerdilajd Sulozeqi



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama