Saimir Pirgu Historia e dashurise me kolegen time

Saimir Pirgu: Historia e dashurise me kolegen time
Historia e tij ngjan në të vërtetë me atë të Aladinit.  Një djalë nga një familje e thjeshtë shqiptare, që pushton botën vetëm falë talentit të tij. Thuajsedëshirat i janë plotësuar menjëherë, edhe pse, siç thotë Saimir Pirgu, përgjegjësia është shumë e madhe. Fati bëri që ai të shkonte të studionte në Itali, atje ku dhe u njoh me të mëdhenjtë e skenës, si Pavarotin, një nga miqtë  tij. Madje dëshira për t’u bërë tenor i lindi pikërisht kur pa tre tenorët të këndonin, edhe pse me këngën kishte një raport shumë miqësor që fëmijë.

Qysh atëherë jeta e tij ka qenë mes përpjekjeve për të dhënë më shumë dhe performimit në skenat më të njohura të botës. Saimir Pirgu është një nga emrat që i ka bërë edhe më shumë krenarë shqiptarët për identitetin e tyre. Në këtë intervistë ai ndan disa nga emocionet e ardhjes në Shqipëri. Disa grimca të fillimeve të tij dhe pohon se është i dashuruar edhe pse në botën ku ai bën pjesë të kesh marrëdhënie të gjata nuk është dhe aq e lehtë. Se kush është vajza me fat, Saimiri këtë e pohon në këtë rrëfim të gjatë për artin, veten dhe dashurinë

Saimir, ishit një nga protagonistët e spektaklit të madh zhvilluar në Pallatin e Kongreseve me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Cilat ishin ndjesitë tuaja?

Kam qenë me të vërtetë i emocionuar, sepse të gjithë ne që ishim aty, instrumentistët, këngëtarët, kori solistët, pa diskutim kush më i famshëm kush më pak, të gjithë kishin një dëshirë. Mobilizimi i atij koncerti ka qenë i paparë. Unë kam bërë koncerte jashtë, por si ditën e 28 Nëntorit, ajo energji nuk ka qenë ndonjëherë.

Çfarë e bënte kaq emocionuese për ju?

Kishte elektrizuese në ajër. Të gjithë nuk donin të prishnin asgjë. U munduan të gjithë që të jepnin më të mirën e tyre. Ideja më e bukur ka qenë që të gjithë instrumentistët janë munduar që spalat e orkestrës, violinat e para ishin marrë nga gjithë instrumentistët që kemi ne nëpër botë bashkë me këta që ishin këtu. Siç duket edhe ky “rivalitet” i vogël që mund të kenë artistët mes tyre krijoji një lloj energjie goxha të madhe. Ka qenë me shumë emocione si koncert, veç faktit që unë kam edhe frikë të këndoj shqip tani, sepse duke kënduar në gjithë gjuhët e botës kam harruar të këndojë shqip (qesh).

Ardhjet tuaja  nuk janë as të shpeshta, po as të rralla të themi. Kjo ndodh për shkak të axhendës, apo mungesës së aktiviteteve?

Absolutisht. Në Shqipëri aktivitete ka dhe shumë madje, për aq popullsi sa kemi ne. Cilësia është tjetër gjë, po ne nuk kemi një mundësi më të madhe, sepse kemi halle të tjera, probleme të tjera. Ndaj e vetmja gjë që mund të bëjnë shqiptarët në këto kohë është të mbrojnë ato çka kanë.

Si i shihni ju në fakt artistët këtu?

Ata bëjnë një sakrificë shumë të madhe dhe të gjithë njerëzit që punojnë aty. Pavarësisht problemeve që mund të kenë, është një detyrë tepër e madhe. Opera është në qendër të qytetit dhe do jetë gabimi më i madh nëse do të spostohet. Është një institucion që ka një histori mbi vete; ka kënduar Gaqo Çako, Inva Mula etj. Pavarësisht kohës dhe sistemeve, historia duhet të mbetet. Nuk duhet lëvizur dhe as hijëzuar sakrifica që bëjnë njerëzit.

Keni nisur të bëheni i famshëm në moshë shumë të re dhe jeni ende  nga tenorët e rinj më premtues në arenën ndërkombëtare.  Ndiheni më shumë me fat apo thoni që keni punuar shumë?

Fati ka të bëjë, po ka të bëjë herën e parë, herën e dytë, herën e tretë nuk është më fat pastaj, sepse edhe fati do ndihmë. Mund të të jepet shansi, po para publikut del ti. Kur publiku është kaq i gjerë dhe kaq i ndryshëm është vështirë të kuptohet dhe të bëhesh koshient pastaj, që nuk ka asgjë të padiskutueshme në art. Sot je më i miri, nesër bëhesh më i keqi.

Kur e kuptove që kishe zë dhe çfarë të lidhi me muzikën klasike?

E kam kuptuar që i vogël, qysh në  Pallatin e Pionierëve. Këndoja këngët e kohës “na thotë xhaxhi Ramiz Alia se kemi ne Enverin tonë”…

Besoj ke qenë zëri më i mirë i pallatit…

(Qesh) Po kështu ka qenë. Kam marrë çmimin e dytë atëherë, se të parin e mori një që kishte këngën për Enver Hoxhën. Unë e kisha  për xhaxhin Ramiz dhe më deklasuan (qesh). E mbaj mend këtë detaj, po kam kënduar gjithmonë dhe në të njëjtën kohë studioja dhe violinë. Po kur kam parë tre tenorët ka qenë momenti kur u ndez një dritare, një lidhje kaq shumë e dëshiruar. Kjo është e pabesueshme. Nëse do besonim që ka një fuqi më të madhe, për mua do ishte ky rast. Me Pavarotin kam qenë mik, ndërsa me Domingon performoj ende. Ndonjëherë them që Zoti në një anë t’i jep dhe në anën tjetër t’i heq dhe po pres tani (qesh).

Si e sheh veten në skenën e madhe botërore?

Unë sa kam bërë hapat e parë. Jam si ai foshnja i vogël. Unë e shoh tashmë se çfarë do të bëj unë për t’i dhënë këtij arti që ka qindra vjet që ekziston, diçka të vetes. Tani është sfida se çfarë do të bëj Saimir Pirgu, që t’i mbetet këtij arti apo këtij teatri, nuk është më lojë që po këndon apo del në skenë. Unë kam 10 vjet që këndoj dhe thuajse u jam rikthyer gjithë skenave ku kam kënduar, por ndryshe. Tani për mua është sfidë pjekuria që do të sjell nëpër teatro, jo thjesht të kënduarit.

Për çfarë pjekurie bëhet fjalë?

Si nga ana vokale dhe nga ana  skenike, nga ana dramaturgjike. Këtë ka arti “live” ndryshe nga fushat e tjera; ne çdo ditë duhet të këndojmë ndryshe. Ky është një profesion për pak njerëz dhe duhet të kuptosh që je gjithmonë i diskutueshëm. Sot je mirë, por nesër nëse gabon nuk të mbron dikush. Ndoshta në Shqipëri të mbron fama, di unë “Artist i popullit” p.sh, ndërsa atje sot je i mirë, nesër mediat mund t’i  kesh aq kundër, sa çdo gjë që ke bërë përpara duket sikur nuk ka ekzistuar. Kjo të shton një përgjegjësi më të madhe.

Çfarë bën zakonisht para një koncerti?

Unë jam njeri tepër vital në jetë, por në skenë jam tepër i qetë, i kontrolluar nga emocionet. Nuk i keqpërdor emocionet e mia, aq më tepër që adrenalina e krijuar nga skena transmetohet dhe të ndihmon.

Fakti që përmendesh si shqiptar në skenat më të mëdha, të pengon?

Nëse do të qëndrojmë te fqinjët tanë, Itali, Greqi, këta i shtrembërojnë ndonjëherë turinjtë. Mbase nuk u vjen mirë që një tenor, apo soprano, të hapë sezonin e “La Scala”-s, siç ka ndodhur me mua, Ornelën apo Invën. Është pak siklet sidoqoftë; e kanë artin e tyre dhe nuk u vjen mirë. Po kur je në vende të tjera, si në Nju-Jork, është kënaqësi e madhe dhe mua më ka ndihmuar fakti që jam shqiptar. Emri im, Saimir mbahet dhe nuk mbahet mirë mend, Pirgu fiksohet më shumë dhe mbahet mend fare, fare “albanian tenor” dhe kjo të ndihmon për identifikim. Mund të them që më ka ndihmuar dhe është kënaqësi. Madje, dhe në një intervistë që kam dhënë për Washington post, gazetari më tha që artisët i krijojnë historitë e tyre për t’u bërë më fashion, ndërsa e jotja është si llamba e Aladinit, shpreh dëshira dhe realizohen. E vetmja gjë që bëj është të çohem në mëngjes dhe të falënderoj.

A është e vështirë të ruash vokalin?

Shumë. Duhet të flasësh pak. Unë p.sh eliminoj telefonin, nuk flas në celularë, vetëm kur jam i detyruar, sepse zakonisht komunikoj me mesazhe. Është përgjegjësi, sepse je gjithë kohën në stres.

Në mos gaboj, keni dhe një vëlla binjak. Ka lidhje ai me këtë fushë të artit?

Jo, nuk ka lidhje fare me këtë. Por unë kam një nip shumë të bukur, që është kaq muzikant saqë qysh tani që është 13 muajsh kërcen dhe këndon.

Do të të ngjajë nipi, i bie?

Unë shpresoj, se zakonisht nuk ka shumë sukses kur del njëri nga familja.

Ose del më i talentuar?

Ahhh, kjo po. Ama nuk dua që fëmijët të ndikohen, po është e pamundur. Ne ndikohemi nga ambienti i jashtëm, jo pastaj në atë të afërt apo familjar.

Në fillim kur ke nisur karrierën jashtë dhe u ke blerë prindërve të tu një shtëpi në Tiranë, ata nuk e besonin ( dyshonin të themi).

E vërtetë. Imagjinoni një  fëmijë që ikën në vitin 2000 nga Shqipëria dhe në vitin 2002 flasin të gjitha gazetat që ky ka mbaruar shkollën dhe ka fituar konkurse. Lind një lloj dyshimi, sepse në gjithë këta prindër shqiptarë që nisnin fëmijët për studime, gjysma shkonin për universitet dhe nuk ia dilnin. Unë isha i përgatitur që një ditë  mund të flija dhe tek ura, sepse nuk është se unë jetoja mes luleve, apo kisha babin biznesmen  të më jepte gjithë lekët që më duheshin për të studiuar. Pas 1997-s të vish në Tiranë, një familje e thjeshtë shqiptare që merrte të ardhura minimale dhe ndihmë sociale që, i jepte Elbasani për ish-punonjësit metalurgjik, të mbash një fëmijë jashtë shtetit. I binte që unë me aq lekë  të mos haja bukë, kështu që përballesh me përgjegjësinë e të mbijetuarit dhe je i detyruar të punosh. Është e vërtetë kjo, madje shumë e vërtetë. Një gjë që më ka ardhur çudi është se disa komente që bëhen p.sh janë “po ky, pse kaq i hapur”.  Kjo s’ka lidhje, historia ime është historia e gjithë shqiptarëve. Ata që kanë qenë jashtë shtetit në fillim kanë mbijetuar, pastaj ia kanë dalë të gjejnë vendin  e tyre në shoqëri.

Sa luksoze është jeta juaj sot?

Unë jam tip tepër i thjeshtë. Nuk jam nga ata që shfrytëzojnë momentet e tyre të famës për të lëvizur me “Bentley” kur mbarojnë shfaqjet. Janë mundësitë, por kam mbetur po ai djali i thjeshtë që shkon në ndonjë bar për të festuar me miqtë e tij.

Me këtë lloj ritmi a ke një jetë tënden private?

Çdo  artist i suksesshëm ka një jetë private të suksesshme, të bukur apo të keqe, problematike apo jo, është tjetër gjë. Po është e pamundur që gjithë ajo adrenalinë  që krijon mos të gjejë një vend tjetër. Artisti ka nevojë të jetë i dashuruar, në mënyrat e tij. Je i detyruar që njerëzit që do më shumë ti kesh me vete, sepse je vetëm gjithë kohën thuajse. Në momentin që unë kthehem në Shqipëri, them që nuk ka rëndësi sa kohë do shpenzoj me ta, por që gjatë asaj kohe të jem prezent. Jeta private shpesh anashkalohet, ama njeri që do të jetë krah teje duhet ta dijë që nuk po rri me një  njeri që është në dispozicion të saj. Është ajo që duhet të vihet në dispozicion.

Ka një femër në jetën tënde?

Ka. Po emra dhe mbiemra nuk do të përdor (qesh). Por ka dhe mund të them që është një kolege e imja.

Më në fund i dashuruar?

Unë kam qenë gjithë kohën i dashuruar. Tani për dashurinë po flasim, jo për martesë (qesh).

Është më e lehtë apo më e vështirë kur të dy janë në të njëjtin profesion?

Është më e vështirë, por nuk ka dhe kënaqësi pastaj. Imagjino të kesh një njeri që nuk të kupton në atë që bën dhe do, apo nuk do është i detyruar të bëjë shërbëtorin e asaj çfarë je ti.

Vajza është shqiptare apo e huaj?

Është e huaj.

Është e famshme?

No coment. 

Në një lidhje mes njerëzve të njohur ndodh që të dashurohesh pas emrit dhe jo personit?

Kjo ndodh, por jo kur të dy janë të një niveli. Kalohen ato gjëra sepse kanë të njëjtat probleme, të njëjtat tematika. Mund të jetë kollaj të takohesh me dikë, problemi është si do vazhdojë. Unë jam si puna e marinarit, kështu që është vështirë të krijohet mundësia për marrëdhënie më të gjata. Ose do të gjesh një  njeri që do të të kuptojë dhe do i dedikohet jetës tënde, ose është e pamundur.

Cila është axhenda jote e koncerteve?

Së pari, ftoj gjithë shqiptarët  që në datën 1 ta kalojnë stacionin te  Rai 1, sepse  është koncerti nga “Teatri Fenice”, live, dhe të  dëgjojnë koncertin me mjeshtrin e madh Gardiner. Është koncerti i Viti të Ri që bën shteti italian dhe është kënaqësi e madhe. Kjo është diçka që mund ta shohin  gjithë spektatorët, ndërsa pastaj unë vazhdoj në Zyrih. Këta dy muajt e fundit që kanë mbetur do jem në Napoli, pasi bëjmë  inaugurimin e ”Teatrit San Carlo” në një ‘Traviatë’ goxha interesante. Po pritet shumë nga media italiane kjo gjë. Vazhdon viti në Zyrih, pastaj në ShBA, ku do të  këndoj sërish operën “Traviata” me mjeshtrin e madh Domingo, që këtë herë nuk do të jetë më Alfredo, por babai im. Kjo është diçka e paimagjinueshme. Pas kësaj do të kthehem në Europë, do të shkoj në Arenën e Veronës për “Rigoletto”, pastaj në Vjenë, Paris…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama