Saimir Pirgu Rrefej sekretin mes meje dhe shqiptareve

Saimir Pirgu: Rrefej sekretin mes meje dhe shqiptareve
Shumë shpejt fati i mirë i troket në derë tenorit që nuk ishte veçse 21 vjeç kur mbërriti në Itali. Ai ndjek një koncert të Tre Tenorëve – Pavarotti, Domingo e Carreras – dhe aty vendos se rruga e tij drejt suksesit është muzika klasike; ai do të bëhej këngëtar lirik dhe madje me hapa të shpejtë do të ngjitej në skenat më të mëdha botërore. Kështu nis studimet për kanto, dhe diplomohet në Konservatorin e Claudio Monteverdi në Bolzano. Brenda pak viteve, Saimir Pirgu është ngjitur në skenat e teatrove të Operave më të mëdha të botës: nga “La Scala” e Milanos në Operan e Berlinit dhe “Wiener Staatsoper” e Vjenës, në “Royal Oper Hause”, “Covent Garden” e Londrës në “Metropolitan” të Nju-Jorkut etj. Në karrierën e tij është drejtuar nga dirigjentë prestigjiozë, si Claudio Abbado, Lorin Maazel, Daniele Gatti, Seiji Ozaëa, Franz Welser Möst, Gustav Kuhn, James Colon, Antonio Pappano dhe Nikolaus Harnoncourt.

Saimir Pirgu është një nga tenorët më të kërkuar sot në skenat botërore. I lindur në Elbasan më 1981, i diplomuar për violinë në liceun artistik ‘Jordan Misja’ në Tiranë, vjen në Itali i bindur për të realizuar ëndrrën e tij. Si shumë emigrantë shqiptarë, fillimisht bën punë nga më të ndryshmet, madje detyrohet të lajë dhe pjata për të përfunduar shkollën atje, por siç thotë dhe vetë ai kjo famtirësisht zgjati shumë pak.

Madje ka patur edhe një përvojë “hollivudiane”, ku ka debutuar në rolin e Rinuçio-s në operën Gianni Schiçhi në Los Anxheles Opera në një film të regjisorit amerikan Woody Allen-it. “Një përvojë interesante dhe me vizibilitetit mediatik”, siç e quan ai vetë bashkëpunimin me regjisorin e madh të kinematografisë. Por Saimiri ka dhe një sekret, një sekret që preferon të mbetet mes tij dhe shqiptarëve. Ai ndihet shqiptar kudo që shkon, madje edhe kur skena shpërthen në duartrokitje nga interpretimi i tij, ai përshëndet ashtu siç mund të përshëndesë vetëm një shqiptar. Ky është sekreti që ka me publikun shqiptar, është apo jo prezent në sallë. “Përpara se të përshëndes, në fund të shfaqjes, unë pres reagimin e ndonjë shqiptari që ndodhet në sallë, por jo gjithnjë ata kanë mundësinë të më përshëndesin. Prandaj i përshëndes unë, shumë thjesht, duke vënë duart në formë shqiponje mbi zemër. Natyrisht shqiptarët këtë shenjë e kuptojnë, por të tjerët (të huajt) nuk e kuptojnë gjithnjë, ndokush kujton se është ndonjë gjest ezoterik. Prandaj, le të mbetet kjo një sekret mes meje dhe shqiptarëve.”-shprehet tenori. Në fakt është pyetur disa herë për mënyrën e tij të përshëndetjes në fund të çdo performance, por vetëm tani Pirgu rrëfen domethënien.

Ai ulet, kryqëzon duar në zemër në formën e shqiponjës dhe përshëndet spektatorin. Ai sot është një tenor i njohur në gjithë skenat e botës. Repertori i tij është pasuruar akoma më shumë me personazhet më të bukura të operave. Nga Duka e Mantovës së Rigoletto-s te Alfredo i La Traviata-s së Verdit, nga Rodolfo i La Boheme-s te Rinuçio i Gianni Schiçhi-t të Puçinit, nga Ferrando i Così fan tutte te Don Ottavio i Don Giovanni-t të Moxartit, nga Edgardo i Lucia di Lammermoor të Nemorino i Elisir d’Amore të Donizetti-t etj. Interpretimi i tij në “Elisir d’Amore”, në rolin e të dashuruarit Nemorino, ka qenë një sukses këtë muaj në Teatrin e Operas në Romë, ku për pesë net me radhë ai është vlerësuar me duartrokitje jo vetëm nga publiku por edhe kritika.

“Elisir d’Amore” e Donizetti-t është një nga më të bukurat, më romantiket. Thuajse një komedi e përkryer që trajton një histori shumë të thjeshtë dashurie, e dy të rinjve, që përfundon mirë. Jo siç ndodh shpesh në opera të tjera, që trajtojnë dashurinë por përfundojnë tragjikisht, kam parasysh Boheme, Rigoletto, Tosca…”- thotë ai. Dhe, aty nga fundi i aktit të dytë ai mrekullon sallën me arien “Una furtiva lagrima”, ndër më të pëlqyerat e mikut të tij që e ndihmoi të ngjiste shkallët e karrierës, Pavarotti, për të cilin Pirgu ruan kujtime të paharrueshme. Ashti si Pavarotin dikur, duartrokitjet e zjarrta të publikut e detyrojnë ta këndojë dy herë arien “Una furtiva lagrima”. Që nuk ndodh shpesh në një operë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama