Saimir Pirgu Te jesh artist ne Shqiperi eshte sakrifice

Saimir Pirgu: Te jesh artist ne Shqiperi eshte sakrifice
Krijuar për të kënaqur një nevojë të tij të brendshme, sesa për t’i pëlqyer publikut apo kritikës, “Verter” është ndoshta kryevepra e Jules Massenet. Sipërmarrja e vështirë për të përkthyer muzikalisht ankthet e personazhit të Gëtes e shtynë kompozitorin të kërkojë një gjuhë tingëlluese ekstremisht të ngjyrosur dhe mundësisht sa më afër shkapërdredhjes dhe sfumaturave të gjuhës së folur të librit të Gëtes, “Vuajtjet e djaloshit Verter”. E konsideruar si një ndër operat më të vështira, “Verter” vjen premierë absolute në Teatrin e Operas dhe Baletit, nga data 20-26 prill. Djaloshi Verter ka kthyer në Shqipëri edhe tenorin shqiptar Saimir Pirgu, i cili menjëherë pas suksesit në skenat më prestigjioze të botës me “L’elisir d’Amor” dhe “Flauti magjik” vjen në skenën shqiptare për të interpretuar një nga rolet më të vështira të karrierës së tij, siç e konsideron ai rolin e djaloshit Verter. Në krah të tij një tjetër zë potent i skenës shqiptare, sopranoja Vikena Kamenica, që interpreton Sharlotën. Me regji të Patrizia Panton, skenografi dhe kostumografi Platon Bardhi dhe me dirigjent mjeshtrin Martin Zeller, vjen drama lirike në 4 akte e kompozitorit Jules Massenet, me libret të Eduard Blau, Paul Millier dhe Georges Hartman.

Ju solli Verteri në Tiranë apo dëshira për të interpretuar në skenën shqiptare?

Opera “Verter” është një nga veprat më të bukura dhe më të vështira lirike. Është vetë titulli i Verterit që mua më solli në Tiranë dhe për më tepër që është një opera që jepte një ide të përgjithshme të saj që unë jam: Saimir Pirgu, tenori lirik, dhe për më tepër sfida për të interpretuar në maksimumin tim. Kjo opera është një provë dhe për mua, është një opera shumë e njohur, shumë e bukur, dhe po aq e vështirë. Ajo çka dua të them, është se e gjithë opera, sidomos akti i 3-të dhe i 4-rt është mrekullia më e bukur që është shkruar dhe besoj se me regjinë që kemi menduar do të tërheqim shumë vëmendjen, më shumë nga ana interpretative, pasi është menduar që opera t’i lihet mjeshtërisë vokale të kastit. Ndërsa në Shqipëri unë vij gjithmonë, se këtu kam prindërit mi. Unë kam marrë valixhet e kam ikur, dhe vij sërish me valixhet e mia këtu.

Po thoni që për të sjellë vokalisht djaloshin Verter është e vështirë për ju?

Ashtu siç është menduar të vihet në skenën shqiptare, kjo opera sigurisht që është e vështirë si për mua ashtu dhe për Vikenën, mendoj, sepse jemi gjatë gjithë kohës në skenë duke interpretuar. Si ta them, unë interpretoj në katër aktet e kësaj vepre dhe “vdes” në skenë jo vetëm si djaloshi Verter, por edhe sepse me të vërtetë është një lodhje shumë e madhe edhe për mua si tenor që të interpretoj gjatë 4 akteve në skenë. Po të mos kishte qenë ftesa nga Shqipëria për të realizuar këtë opera, sigurisht që nuk do të vija, pikërisht sepse opera Verter është një produksion i vështirë. Në Shqipëri nuk është aspak e lehtë të bësh opera dhe, siç e dini, opera është një nga artet më të kushtueshme në botë, kur një produksion normal kushton mbi 2 milionë ero, prandaj është e vështirë të bëhet opera dhe të pretendosh në Shqipëri të vësh në skenë një opera siç është Verteri, i një vështirësie shumë të madhe, është mrekulli.

I trembet Siamir Pirgu këtij roli?

Oh jo, kurrë nuk i jam trembur këtij profesioni, edhe më përpara, nuk mund t’i trembem tani, mendoj se është shumë vonë për t’u trembur, por ajo që dua të them është se dua të bëj diçka të mirë dhe kjo më mban.

Për ju është më e vështirë të interpretoni në Teatrin e Opera dhe Baletit sesa në La Scala?

Shumë më e vështirë është në Shqipëri. Nëse një tenor interpreton një rol të vështirë në “La Scala”, apo në ndonjë skenë tjetër botërore, vështirësia që ai ka për ta realizuar atë rol mirëkuptohet nga publiku. Ndërsa këtu në Shqipëri një gjë e tillë anashkalohet, për vetë faktin se shqiptarët çdo ditë në jetën e tyre hasin vështirësi shumë më të mëdha dhe vështirësia e një tenori në interpretimin e një roli konsiderohet problem shumë i vogël dhe kjo është mëse normale. Ndërsa jashtë funksionon ndryshe; stresi dhe vështirësia që ka një artist, qoftë ky edhe tenor, kuptohet nga publiku.

Ky është bashkëpunimi juaj i parë edhe me këngëtarët lirikë të TKOB, që interpretojnë në këtë opera. Si i ka qenë bashkëpunimi me ta?

Janë të rinj që duan të ecin përpara, me ambicie dhe janë të shkëlqyeshëm, sepse bëjnë një sakrificë tepër të madhe. Mendo, me stresin e jetës së përditshme, ata mendojnë të bëjnë art për të kënaqur publikun e tyre.

Ju mendoni se të bësh art në Shqipëri është sakrificë?

Të jesh jo vetëm tenor, por artist në përgjithësi, në Shqipëri është shumë e vështirë. Me gjithë problemet që njerëzit kanë në jetën e përditshme, të mendojnë edhe për art mendoj se është e vështirë. Për artin zakonisht njerëzit mendojnë kur çdo gjë ecën në rregull, dhe opera nuk është një art thjesht të këndosh në skenë, por një art që kërkon punë, kohë, përkushtim dhe shumë para. Pra, është një art luksi dhe të kërkosh luks në këto kushte është e vështirë. Artistët sakrifikojnë dhe punojnë shumë për të bërë art në Shqipëri.

Kjo është një nga arsyet që artistët tanë arrijnë të evidentohen jashtë?

Mbase dhe kjo. Unë e kam thënë dhe herë tjetër që, sikur të mos kisha lindur në këto vite, nuk do të kisha këtë forcë dhe ambicien kaq të madhe për të ecur përpara.

A e ka ndjerë veten ndonjëherë të paragjykuar Saimir Pirgu, në skenat botërore, vetëm se është shqiptar?

Disa herë. Është normale kjo. Mendo që hapet sezoni në “La Scala” dhe protagonisti kryesor është një shqiptar, nuk është kollaj të mos paragjykohesh. Një vit më përpara ishim dy shqiptarë, unë dhe Ermonela Jaho që interpretuam në Operan Mbretërore. Me një popullsi që nuk shkon më shumë se 4 milionë të prodhohen artistë të këtij niveli nuk është kollaj që të pranohet. Sigurisht ne nuk jemi Domingo apo Pavaroti, por jemi artistë që po mbajmë teatrot e botës. Edhe ne këtu në Shqipëri paragjykojmë çdo lloj gjëje. Edhe të huajt me shumë xhentilesë dhe me shumë edukatë paragjykojnë, sepse dhe ata njerëz si ne janë.

A ka vuajtur Saimir Pirgu si djaloshi Verter?

Unë kam vuajtur ashtu si gjithë shqiptarët dhe vuajtjet e mia nuk janë më të ndryshme. Ne shqiptarët kemi ideale të forta dhe e bukura jonë është se edhe në vështirësi arrijmë të bëjmë gjëra shumë të bukura. Gjithsecili nga ne bën çdo ditë të njëjtën gjë që bëj dhe unë, e kush më shumë e kush më pak arrin diçka në jetën e tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama