Saimir Pirgu mbreti i Kretes

Saimir Pirgu, mbreti i Kretës
Në shtator mbush 27 vjeç. Ky fakt i ka habitur jo pak kritikët, të cilët e quajnë gati të pabesueshme se si një i ri në këtë moshë, mund të realizojë rolin e një mbreti thinjosh. Publiku austriak, dashamirës i operës, këto ditë ka mbetur i mahnitur nga një djalë shqiptar, që u ngjit në skenën e Grazit, për të interpretuar rolin e Idomeneos në operën me të njëjtin titull (“Idomeneo, mbreti i Kretës”) të kompozitorit Volfgang Amadeus Mozart. Jemi mësuar ta shohim tenorin Saimir Pirgu në role të rinjsh të dashuruar, që vuajnë për ndjenjën e humbur, apo edhe në ndonjë opera gazmore, por këtë herë, ai ka ndryshuar tërësisht imazh, duke ndërtuar rolin e një babai dhe mbreti njëkohësisht, që pas një aventure në det, tenton t’i bëjë fli perëndive të birin. Një vepër shumë e vështirë, për shkak të tensionit që mbartin personazhet dhe ndryshimeve të gjendjeve emocionale të tyre. Idomeneo, një nga heronjtë e luftës së Trojës, shpëton gjallë falë ndihmës së Poseidonit, të cilit i ka premtuar t’i bëjë fli, të parën krijesë që do të takojë në breg. Dhe është pikërisht djali i tij i vetëm, Idamante. A mundet një baba të sakrifikojë të birin? Po a mundet t’i shpëtojë premtimit ndaj perëndisë zemërake? Dhe është konsideruar një sukses i padiskutueshëm. Kritika tashmë e ka thënë fjalën e vet.

Duke filluar prej ditës së premierës e deri më sot (opera vijon të shfaqet) mediat (jo vetëm ato austriake, por edhe zvicerane e gjermane) kanë përcjellë mendimin e profesionistëve. Dhe nuk bëhet fjalë për një, apo dy gazeta lokale, por për faqe të rëndësishme të shtypit evropian, qoftë ai i specializuar në fushën e artit, apo të përditshme. Të gjithë thonë fjalët më të mira për vënien e dirigjentit 78-vjeçar, Nikolaus Harnoncourt në krye të orkestrës së tij "Concentus musicus", ku përfshihen edhe instrumente antike të shek XVII-XVIII. Por superlativat shkojnë për tenorin Saimir Pirgu, i cili interpreton kryerolin e kësaj vepre. Disa e quajnë zbulimi, të tjerët i paarritshmi, i mrekullueshmi..., madje ndonjë gazetë “rozë” e quan edhe “superstarin e ardhshëm”. Kështu, në gazetën “Kleine Zeitung” thuhet se “majën e solistëve e mban Saimir Pirgu, teori fenomenal në rolin e heroit”.

Aria e tij “Fuor del mar”, duket se ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve për ngjyrimin vokal dhe “ekspresivitetin inkandeshent”.Zvicerania “Tagblatt” në shkrimin me titull “Idomeneo”, muzikalisht i shkëlqyer nën drejtimin e Harnoncourt në Graz” thotë se “në qendër të vëmendjes me interpretimin e shkëlqyer muzikor është tenori Saimir Pirgu në rolin kryesor, shoqëruar nga këngëtarja franceze Marie-Claude Chappuis, në rolin e Idamantes dhe sopranoja e re gjermane Julia Kleiter në rolin e Ilias”. Një tjetër gazetë thotë se “Saimir Pirgu në rolin e Idomenos është e vështirë të tejkalohet”. “DIE ËELT” në shkrimin me titull “Harnoncourt, një “Idomeneo original në Graz”, thotë se “27- vjeçari shqiptar Saimir Pirgu, tenori që mishëron kryerolin madhështor, ka një zë të rrallë, lirik dhe të fuqishëm”.

Për “Frankffurter Algemenien Zeitung”, skuadra e zgjedhur nga producentët është tepër bindëse. Dhe si shumë të tjerë veçon tenorin Pirgu, si një “Idomeneo të fuqishëm në arien “Fuor del mar”,” por po kaqi zoti edhe në tone të qeta. “Saimir Pirgu është një sensacion, tingëllimi i zërit të tij ka një bukuri, që është gjithnjë në shërbim të shprehjes, në të gjitha aspektet, të poezisë dhe dramës”, - thuhet në një tjetër gazetë. Dhe të gjitha shkrimet janë shoqëruar me fotografitë e Saimir Pirgut në rolin e mbretit të Kretës. Gjithashtu duhet theksuar se, askush nuk harron ta përmendë origjinën e tij shqiptare, duke treguar se Shqipëria nuk mund të jetë vetëm subjekt i lajmeve të kronikës së zezë. Për aq sa mund të thuhet (duke parë imazhet e fotografive, që tashmë janë hedhur në internet), skenografia dhe kostumografia e veprës janë për t’u pasur zili. Kjo opera u transmetua në datën 10 korrik, live në radion e Austrisë, ku u shoqërua edhe me një intervistë të Saimir Pirgut.

Kohëve të fundit e kemi parë tenorin të interpretojë në skena të mëdha evropiane, në rolin e Alfredos, Rinuncios, Ferrandos, apo Nemorinos, etj. Kanale të rëndësishme televizive, mes të cilëve “ORF2”, “Arte”, “Canale 5”, etj. i kushtojnë emisione të veçanta “Saimir Pirgut, djalit nga Tirana”. Por Idomeneo ishte vërtet një sfidë për 27-vjeçarin. Së shpejti një tjetër “aventurë” nis për Pirgun. Në muajin gusht nis provat me regjisorin Ëoody Allen, për ngjitjen në skenën e Los Angelesit operën “Gianni Schichi”. Që një shqiptar të mund të nisë karrierën e tij jashtë vendit, duhet patjetër edhe pak fat, të jesh në vendin e duhur në kohën e duhur. Dhe duket se fati ka qenë shumë zemërgjerë me Saimir Pirgun. Por jo vetëm kaq. Vetëm fati nuk mjafton.

Alma Mile: Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama