Saimir Strati ne vendlindje me Michael Jackson

Saimir Strati, në vendlindje me Michael Jackson
Artisti shqiptar i rekordeve "Guiness" vijon udhëtimin artistik

Nën këngët e mbretit të popit, Michael Jackson dhe me një performancë të mrekullueshme, Saimir Strati dhe vepra e tij e katërt, pretendente për rekordin "Guiness", ka mbërritur edhe në Fier, qytetin e tij të lindjes. Artisti ka lënë mënjanë rekordin me gozhdë dhe atë me tapa shishesh për t‘iu drejtuar penelave. Plot 300 mijë të tillë ka siguruar nga Kina për të realizuar portretin e Michael Jackson, këngëtarit të madh që u nda nga jeta pak kohë më parë. "Kam marrë penela të madhësive të ndryshme, të cilët do të radhiten në një mënyrë të atillë që të tregojnë më së miri figurën e Michael-it. Ngjyrat që do të përdor janë e bardha dhe e zeza, e diku do të përdor edhe penela me ngjyrë bezhë", u shpreh Strati. Gjatë qëndrimit katërditor në Fier, artisti ka pretenduar të krijojë një pjesë të mirë të portretit. "Dëshiroj që një pjesë të mirë të figurës së mbretit të popit ta realizoj pikërisht në vendlindjen time", thotë ai. I ndjekur nga pjesëtarët e stafit të tij, Saimir Strati hipën mbi manunen që shoqëron veprën dhe shpalos punën e realizuar gjatë qëndrimit treditor në qytetin e Vlorës që ishte edhe pikënisja e udhëtimit artistik. Kthehet dhe përballë tablosë me sipërfaqe të madhe dhe nis nga puna. Vendos disa penela, ndalet dhe kthehet drejt të pranishmëve. "Sinqerisht, jam shumë i emocionuar. Në Fier kam shumë miq, më shumë sesa unë e mendoja. Jam i lumtur që ndodhem midis jush. Kam nisur një projekt që është për gjithë botën. Është hera e parë në botë që po ndodh një ngjarje e tillë, pra që po bëhet një mozaik me penela. Unë vij këtu si mbajtës i tri rekordeve "Guiness" dhe e kam për krenari që të jem mes jush dhe këtë vepër ta kryej me sukses edhe për ju, për të gjithë qytetarët e Fierit dhe për të gjithë shqiptarët", komenton artisti Saimir Strati, ndërsa falënderon me shpirt pjesëmarrjen e lartë. Ai tregon se pas Fierit, do të shkojë në Berat, Korçë, Elbasan, Durrës, Shkodër, Kukës, Prizren, Prishtinë dhe turneu i veprës pritet të përfundojë më 11 nëntor në Tiranë.

M. Troka : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama