“Ky fëmijë është gjithçka ajo kishte”, thotë i vëllai, Ray Phillips, i cili ishte i pari që mësoi lajmin e shtatzënisë së saj pas vitesh të tëra bindjeje se nuk mund të lindte kurrë fëmijë.
“Ti nuk do ta besosh atë që kam për të të thënë”, i kishte thënë ajo të vëllait kur kishte marrë vesh lajmin e mirë. Por në javët e ardhshme, kur ajo kishte filluar përgatitjet për gjërat që do t’i duheshin bebes që priste, dhimbjet e forta të kokës, shikimi i dobët dhe dridhjet e trupit e kishin pushtuar pak nga pak.
Ajo nisi t’i tregonte të vëllait për shqetësimet e saj shëndetësore. “Jam e shqetësuar për fëmijën. Shpresoj të jetoj aq sa për ta sjellë në jetë. Të lutem, nëse mua më ndodh ndonjë gjë, merre ti fëmijën”, i shkruante ajo Ray-t.
Stacie ishte ndarë me babain e fëmijës dhe kishte vendosur ta rriste vetë atë. Ajo u vizitua te doktorë të ndryshëm dhe në korrik një skaner tregoi shkakun e gjithë dhimbjeve të saj: një tumor i përhapur në kokë dhe qafë.
Ajo u detyrua të zgjidhte mes jetës së saj dhe të të bijës… dhe për të nuk ishte një zgjedhje e vështirë. Në gusht, Stacie u dërgua me urgjencë në gjendje të rëndë në spitalin OU Medical Center në Oklahoma dhe pas dy ditësh, doktorët u detyruan t’i bënin një operacion për të nxjerrë fëmijën dhe më pas e transferuan në spitalin e Onkologjisë.
“Ajo e kishte të pamundur të shkonte te vajza e saj dhe bebja gjithashtu nuk mund t’i sillej për shkak të komplikacioneve që kishte pasur gjatë lindjes. Ne i treguam foto të vajzës dhe ajo qau. Donte ta mbante njëherë në krahë, por kjo ishte e pamundur”, thotë vëllai i Stacie-t. Stacie ndërroi jetë në 14 shtator, ndërsa e bija jeton me vëllain e nënës dhe katër fëmijët e tij.