Historia e rrallë e Lindsay Sandiford u përcoll të dielën në faqet e së përditshmes “Daily Mail”. Sipas fjalëve të vetë nënës 55-vjeçare, telashet e saj nisën kur u zhvendos në Britani, për të qëndruar disa kohë pranë djalit që përfundonte një dënim prej gjashtë vitesh e tetë muaj burg për vjedhje.
Shtëpiakja jetonte në Indi me partnerin e saj, por kishte vendosur të jetonte për disa kohë në vendlindje, për t’i qëndruar pranë fëmijëve. “Fatkeqësisht, djali im ka një shoqëri të keqe dhe pasi doli nga burgu, u përhapën fjalë se ai kishte spiunuar në polici një rrjet droge. Më thanë që do ta vrisnin dhe një nënë në ato kushte çfarë nuk mund të bëjë për të shpëtuar jetën e djalit të saj”.
Në mënyrë që të shpëtonte jetën e tij, Santiford bëri një pakt me një kontakt brenda mafias dhe asaj iu kërkua një provë besimi, që ishte transporti i një valizheje në Bali, Indonezi. Në mbërritjen e saj në vend, asaj iu kap një sasi kokaine me vlerë tregu prej dy milionë eurosh.
“E dija që nuk më kishin vendosur në valixhe tulipanë apo ëmbëlsira, por nuk mund të dija nëse atje kishte armë, dokumenta, heroinë, ndonjë lloj tjetër droge apo gjithçka që mund të më shkonte në mendje. U përpoqa të mos ta mendoj, nuk është se kisha ndonjë zgjidhje tjetër. Pa dyshim që i mora parasysh pasojat, por pasojat e mospranimit të këtij udhëtimi do të kishin qenë shumë më të rënda”, u shpreh 55-vjeçarja, e përlotur dhe e frikësuar për jetën e të birit dhe të sajën.
Djali i saj vazhdon të jetë në rrezik, pasi ajo nuk mundi të dorëzonte valixhen në destinacion, ndërsa vetë 55-vjeçarja, përballet me një proces në të cilin dënimi me vdekje është një mundësi tepër reale. Indonezia është një prej shteteve që dënon më rëndë transportin e lëndëve narkotike. Ndërkohë, Santiford mbahet e izoluar 24 orë në 24 në një qeli të ndyrë, ku sipas saj është lënë shpesh herë pa ushqim dhe është keqtrajtuar nga ana e policëve vendas.