Hamdi Salihi pret që të shpallet kampion me Skënderbeun dhe është gati që pas ndeshjes të ndërrojë fanellën me Xhevahir Sukajn. Sulmuesi shkodran, në një prononcim për "Supersport", flet për takimin e sotëm, por edhe dëshirën për të qenë me Kombëtaren në Europianin e Francës.
"Të gjithë njerëzit që takon duan nga një fanellë dhuratë, por normalisht ato janë të limituara. Megjithatë, te Skënderbeu, duke pasur parasysh me atë që kemi arritur këtë sezon dhe buxhetin që ka klubi, nuk besoj se janë aq të limituara sa mund të jenë në skuadrat e tjera të Superiores. Gjithsesi, do të ishte kënaqësi për mua që pas ndeshjes me Partizanin ta ndërroja fanellën me Xhevahir Sukajn. Edhe Partizani ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm, kështu që duhet edhe fanella e kundërshtarit si suvenir, për ta kujtuar se ky ekip ishte ai që na bëri të derdhim shumë djersë për të arritur te titulli kampion", është shprehur fillimisht Salihi, për të kaluar më pas te çështja e Kombëtares. Që pas ndeshjes me Armeninë më 11 tetor 2015, sulmuesi nuk po grumbullohet në Kombëtare.
"Nuk e kuptoj përse vihet në diskutim prezenca ime në Kombëtare. Mendoj që i plotë- soj të gjithë parametrat që të jem me skuadrën në Europianin e Francës. Të gjitha kriteret i përmbush, pastaj mendoj se është zgjedhja e trajnerit nëse do të më grumbullojë apo jo. Nuk mund ta quajmë nëse do të ftohem, pasi kam tetë vjet që jam pjesë e Kombëtares dhe deri ditën që festuam në Armeni. Kam qenë pjesë e pandarë e ekipit kudo që kam luajtur.
Tashmë pyetja është: a do të më largojnë tani që u kualifikuam? Shpresoj që mos të ndodhë, sepse kualifikimi në një event të madh ka qenë ëndrra dhe motivi i karrierës sime. Tashmë ndodhi dhe do të kisha shumë dëshirë të isha në Francë", ka thënë shkodrani. Gjatë verës së 2015-ës, Salihi u kthye në Superiore pas 8 vjetëve. "Kampionati shqiptar është rritur në nivel sa i takon aspektit taktik. Trajnerët stërvisin shumë më mirë dhe tashmë përqendrohen më shumë te detajet, jo si në të kaluarën kur kualitetet zgjidhnin ndeshjen", përfundoi Salihi.