Hamdi Salihi apo Xhevahir Sukaj? Kush do ta ven dosë kryendeshjen e sotme në Korçë? Këtyre py etjeve më mirë se kushdo mund t'u përgjigjen vetë shkodranët, qyteti nga ku vijnë sulmuesit kryesorë të Skënderbeut dhe Partizanit. "Panorama Sport" bëri dje një forum me disa prej figurave të futbollit shkodran ndër vite, duke filluar nga ish-trajneri Ramazan Rragami e deri te bomberi Vioresin Sinani, apo ish-kapiteni Suad Lici. Nga 10 personazhet që kanë dhënë një mendim për ndeshjen që pritet të vendosë titullin, shumica besojnë se të dy do të shënojnë. Ka edhe nga ata që dalin hapur se bëjnë tifo për Skënderbeun, ndërsa nuk mungojnë edhe këshillat. Ish-mbrojtësi Admir Teli, që ka luajtur te Vllaznia me Salihin dhe Sukajn, i kërkon këtij të fundit që të jetë më i qetë. Në një pikë të gjithë figurat e futbollit shkodran janë në unison: Skënderbeu, favorit për fitore.
Ramazan Rragami
Ish-trajneri i Vllaznisë, Ramazan Rragami, mendon se Sukaj mund ta çojë Partizanin drejt fitores, por thekson se Skënderbeu është më i favorizuar, ndërsa Salihi më pranë golit.
"Janë lojtarë që kanë karakteristika të ndryshme, por që përshtaten mirë me ekipet ku luajnë. Në këtë përballje, më afër fitores dhe natyrisht golit është Salihi, por si shkodranë do të dëshiroja që të shënonin të dy. Skënderbeu është një skuadër më e konsoliduar dhe mund të vulosë titullin në këtë takim. Gjithsesi, falë cilësive të Sukajt, gjykoj se Partizani i ka mundësitë për një fitore", deklaroi Rragami.
Hysen Zmijani
Ish-mbrojtësi i famshëm i Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, Hysen Zmijani, mendon se Salihi dhe Sukaj po i japin tonin kampionatit me golat e tyre, ndërsa shikon Skënderbeun drejt titullit të radhës. "Dëshira ime është që të shënojnë të dy shkodranët. Janë dy sulmues që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar, sidomos këtë sezon. Për të dy ekipet është luks që kanë lojtarë të tillë në përbërje. Nuk mund t'i ndaj nga njëri-tjetri, duke bërë tifo për Salihin apo Sukajn. Do të ishte shumë bukur që të dy të shënojnë, sepse kanë bërë një performancë të shkëlqyer. Mendoj se Skënderbeu është më i favorizuar në këtë sfidë", ka thënë legjenda e futbollit shkodran.
Vioresin Sinani
"Së pari, do të doja që gjithë këto gola që kanë shënuar Salihi dhe Sukaj të ishin për Vllazninë. Megjithatë, ky është profesionalizmi dhe unë jam tifoz me të dy. Ata kanë vlera të padiskutueshme, por të jem i sinqertë nuk kam preferenca për të dyja këto skuadra dhe se kush mund ta fitojë këtë sfidë. Unë jam tifoz natyrisht me dyshen Salihi-Sukaj, por nuk mund të anoj nga asnjëri", ka thënë golashënuesi më i mirë i kampionateve, me 208 gola. Admir Teli - Ish-mbrojtësi, që i dha fund karrierës vetëm një vit më parë, deklaroi: "Janë që të dy lojtarë shumë të mirë. Mendoj se në këtë takim qetësia është në anën e Salihit. Skënderbeu nuk është nën presion dhe kjo do ta favorizojë Salihin për të shënuar.
Ndërsa Sukaj duhet që të tregohet më i qetë në këtë takim. Ai është një lojtar që prodhon raste të bukura. Favorit unë shoh Salihin për të shënuar, por dua që të dy të jenë protagonistë. Falë diferencës në pikë që ka Skënderbeu, ka më shumë shanse të fitojë sot dhe të marrë titullin".
Elvin Beqiri
"Që të dy janë golashënues tipikë dhe është kënaqësi t'i kesh në skuadër lojtarë të tillë. Mendoj se janë një vlerë e shtuar edhe për Superligën, jo vetëm për Skënderbeun dhe Partizanin. Janë lojtarë të paparashikueshëm, që mund të zgjidhin situatën e ndeshjeve me një goditje. Nuk di të them se kush mund të shënojë, por nga të dy priten gola. Më favorit shikoj Skënderbeun".
Edi Martini
"Unë nuk do t'i ndaja, duke thënë se bëj tifo për Salihin apo Sukajn. Janë të dy shkodranë dhe kanë treguar vlerat më të mira me ekipet respektive. Unë kam luajtur me Salihin, por për zemër kam edhe Sukajn, ndaj dua që të shënojnë të dy. Nëse flasim për skuadrat, natyrisht që më të favorizuar shikoj Skënderbeun", deklaroi ishsulmuesi dhe njëkohësisht ish-trajneri i Vllaznisë.
Suad Lici
Një nga lojtarët polivalentë, që vetëm rolin e portierit ka mbetur pa bërë te Vllaznia, vlerëson së tepërmi Sukajn. "Që të dy janë lojtarë që tanimë njihen për vlerat e tyre. Salihi është një sulmues zone, që di të shënojë. Ndërsa Sukaj është më i fortë dhe më spektakolar me golat e tij. Nuk mund të veçoj asnjërin në preferencat e mia, por sigurisht dua që të spikasin në këtë takim duke treguar edhe një herë vlerat e futbollit shkodran. Më afër fitimit të titullit është Skënderbeu, që pavarësisht se nuk ka freskinë fizike të Partizanit, ka një trajner që di ta vendosë mirë ekipin në fushë".
Edmond Doçi
"Si Salihi, ashtu edhe Sukaj janë lojtarë cilësorë dhe për më tepër golashënues. Mendoj se Skënderbeu dhe Salihi mund të jenë më afër fitores në këtë takim. Unë kam luajtur me të dy dhe janë lojtarë që e marrin skuadrën për dore, duke e çuar drejt suksesit. Të dy mund të shënojnë në këtë takim, por nuk kam ndonjë parashikim", është shprehur Doçi, ish-mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, që prej pak vitesh ka lënë futbollin dhe së fundmi ka drejtuar ekipin e të rinjve.
Ilir Dibra
Ish-mbrojtësi kampion me Vllazninë "voton" për Salihin, teksa beson se sulmuesi do të vendosë kryendeshjen e javës. "Me Salihin kam luajtur dhe është një lojtar me cilësi shumë të mira, por të njëjtat fjalë mund të them edhe për Sukajn. Nisur nga ajo që unë kam luajtur me Salihin, mund të them se sfidën do ta fitojë Hamdiu. Por, në këtë takim, do të doja që të dy të mos mbeteshin pa shënuar. Sa u përket skuadrave, e shikoj më favorite Skënderbeun për titullin".
Entri Çaku
Një tjetër ish-futbollist i Vllaznisë së viteve '90 del hapur, teksa bën tifo për Skënderbeun. "Mendoj se do të jetë një ndeshje e luftuar në të gjitha drejtimet. Normalisht, nëse do të ketë gol në këtë takim, pritet që të shënohet nga Salihi apo Sukaj. Janë lojtarë cilësorë dhe dëshirën do ta kisha që të ishin pjesë e Vllaznisë. Unë bëj tifo për Skënderbeun, por sa për golat dua të shënonë që të dy. Janë gjahtarë të vërtetë të golave", deklaroi Çaku.