Sulmuesi shkodran i Skënderbeut ka qenë një nga pikat e referimit për këtë skuadër gjatë gjithë këtij sezoni, ndërkohë që Hamdi Salihi është në krye të listës së golashënuesve.Në një intervistë për "Supersport" përpara fillimit të takimit mes skuadrës korçare dhe Tërbunit, shkodrani ka folur për të ardhmen e tij me kampionët në fuqi si dhe për dëshirën për të qenë pjesë e Kombëtares në "Francë 2016". Keni munguar dhe Skënderbeu ka humbur në Kukës e Laç.
Kaq i varur është ky ekip nga ju...
Shikoni, më ka bërë mua Skënderbeu që të shënoj kaq shumë gola, nuk e kam bërë unë ekipin të jetë fitues. Ju siguroj se pa mbështetjen e skuadrës, unë nuk mund të shënoja 24 gola deri më tani.
Prisni një ftesë nga Kombëtarja për të qenë në Europian?
Nuk kam pse ta fsheh dëshirën për të qenë pjesë e Kombëtares. Kam luajtur shumë vite për përfaqësuesen dhe tani që u kualifikuam në Europian dhe ëndrra u bë realitet, natyrisht që do doja të isha pjesë.
Këtë sezon me Skënderbeun synoni titullin, "Këpucën e Artë", por edhe thyerjen e një rekordi si golashënuesi më i mirë në të gjithë sezonet. Cilin prej këtyre objektivave do preferonit më shumë?
Fillimisht, dua ta nis me titullin kampion. Më pas do të mendoj për "Këpucën e Artë", ndërsa sa i takon rekordit i qëndron mirë atij që e ka vendosur (i referohet ish-sulmuesit shkodran Vioresin Sinani).
Jeni duke menduar për rinovimin e kontratës me Skënderbeun?
Është ende herët për një gjë të tillë. Rinovimi është një gjë për të cilën duhet diskutuar dhe marrë miratimi i familjes.
Jeni pesë pikë larg Partizanit dhe jeni të përmbajtur kur flisni për fitimin e titullit...
Ne i marrim ndeshjet me radhë dhe nuk mendojmë në asnjë moment për ndeshjen direkte që do të luajmë ndaj Partizanit. Sido që të vijnë ata në Korçë, me tri pikë diferencë apo me dy pikë, pavarësisht se si do të dalë ndeshja mendoj se Partizani e ka bërë kampionatin e tij. Ka bërë një sezon të shkëlqyer deri më tani dhe duhet komplimentuar për këtë. Ne bëjmë llogaritë tona dhe ato thonë se duhet të marrim maksimumin nga të gjitha sfidat që do të luajmë derisa të vijë përballja me të kuqtë.