Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) japin alarmin, ndërsa shpjegojnë se nëse sallami ka ngjyrë të fortë të kuqe apo mban një erë të pakëndshme, në të mund të jenë hedhur mbi normat e lejuara nitrat dhe nitrite që në sasi të mëdha kthehen në përbërës kancerogjenë. Ndaj, specialistët e ISHP-së u bëjnë thirrje konsumatorëve të tregohen të kujdesshëm me produktet shtazore që konsumojnë dhe mënyrën e ruajtjes së tyre në kushte frigoriferike.
“Marrim një person, dhe në qoftë se gjatë gjithë kohës ai konsumon sallam, sasia e ingredientëve, nitrateve dhe nitriteve është shumë e lartë, atëherë aftësia e organizmit nuk arrin ta largojë këtë pjesë toksike të mbetur në hepar. Por ato akumulohen në trajtën e copëzave ose grimcave të vogla që më vonë bëhen shkak për të shkaktuar kancerin”, – shpjegon specialistja e ISHP-së, Lindita Molla. Specialistët sqarojnë se një nga shenjat e dukshme dalluese të sallamit me ngjyrues artificial është ngjyra tepër e kuqe ose vishnje që ka produkti, por kjo varet nga tipi i produkteve dhe ruajtja e tyre frigoriferike.
“Problematika është e madhe, që nga vetë kushtet të cilat ndikojnë brenda frigoriferit, dhe produkti, e veshin atë me një shtresë të hollë, të bardhë e cila bëhet edhe ngjitëse në momentin e konsumimit. Kështu që njerëzit duhet ta kuptojnë, që jo ta lajnë, sepse shpesh njerëzit e lajnë me ujë të nxehtë ose e ziejnë dhe pastaj e skuqin, është një produkt që nuk konsumohet më. Në këtë moment produkti ka degraduar dhe jashtë tij ka dalë shtresa e mykut”, – sqaron më tej specialistja. Ky problem nuk i takon vetëm sallamit, por edhe produkteve të tjera të mishit që shiten anembanë super e minimarketeve në të gjithë vendin, e që shihen si zgjidhja më e shpejtë për të kaluar vaktet e lehta të ditës, siç janë mëngjesi dhe darka. Kryesisht, ngjyruesit i hidhen mishit të grirë, që në fakt është dhjam i ngrirë.
Konservantë të tjerë i shtohen mishit që përdoret për sallamet në mënyrë që të ruhet, apo për t’i dhënë shije tjetër. Këta përbërës rrezikojnë ndjeshëm shëndetin e qytetarëve, të cilët paguajnë për produkte aspak cilësore. Analizat fiziko-kimike të sallamit dhe mishit të grirë që janë kryer pak kohë më parë në Laboratorin e Referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë treguan se gati të gjitha produktet kishin yndyrë mbi 50 %, ndonjë edhe mbi 80 %. Sipas mjekëve, këto lloj ushqimesh janë shumë të dëmshme për personat që kanë kolesterol dhe tension të lartë. Degustimi është mënyra e vetme e dallimit të përbërësve të produktit të sallamit, kremviçeve dhe proshutave, pasi në laboratorët për ushqimin në vendin tonë nuk ka aparatura që tregojnë se cilët janë përbërësit e produktit të sallamit dhe llojeve të tij. Në këto kushte, specialistët e ushqimit i bëjnë apel qytetarëve që kujdesin për konsumin e mishit të grirë dhe sallamit në mënyrë të sigurt duhet ta nisin nga vetja.
Sipas tyre, nëse përbërësit nuk shënohen në etiketë qytetari nuk duhet ta blejë atë produkt. Gjithashtu, specialistët e ushqimit këshillojnë qytetarët që t’i blejnë produktet e mishit vetëm aty ku shihet se ftohja është maksimale dhe menjëherë pas kësaj t’i fusin në frigorifer. Vetëm në dekadën e fundit numri i tokso-infeksioneve ushqimore është dyfishuar nga 55 në 106 raste për 100 mijë banorë. Sipas studimit të ISHP, në 81% të rasteve, prindërit përpiqen t’u japin fëmijëve të tyre ushqime të sigurta dhe të freskëta, por në fakt në shumicë, kjo mbetet vetëm përpjekje, pasi konsumatori e ka të pamundur të dalloje me sy të lirë një ushqim të sigurt ose jo. Po megjithëse është e këshillueshme që çdo qytetar të shohë në etiketë treguesit fiziko-kimikë, për të mësuar se cili prej produkteve nuk i dëmton shëndetin, asnjë prej prodhuesve nuk i ka shënuar këto tregues në etiketë.
Produktet me ngjyrues
Mielli i bardhë kthehet në bukë të zezë
Prodhuesit i shtojnë ngjyrues miellit të lirë që është i bardhë dhe i një cilësie të dobët, duke e kthyer atë në bukë të zezë, e cila iu shitet qytetarëve pa e ditur këtë fakt, madje u thuhet edhe se është dietike.
Vaji i lulediellit ngjyroset si vaj ulliri
Vaji i lulediellit është një tjetër produkt që ka rënë pre e “ngjyruesve” për t’u kthyer në vaj ulliri. Kjo metodë është e përdorur në mjaft raste, aq sa është e vështirë ta dallosh vajin e vërtetë të ullirit në treg.
Dhjamit të grirë i shtohet ngjyrues artificial
Kryesisht ngjyruesit i hidhen mishit të grirë, që në fakt është dhjam i ngrirë. Konservantë të tjerë i shtohen mishit që përdoret për sallamet në mënyrë që të ruhet, apo për t’i dhënë shije tjetër.
Pijet freskuese, konservantë tej masës së lejuar
Ngjyruesit nuk mungojnë edhe tek pijet freskuese, madje ka raste që janë tej masës së lejuar. Këtyre produkteve u shtohen edhe konservantë për të trashur lëngjet si dhe ngjyrues që përmbajnë kimikate.