Gjithçka flet për pasuri te Dasha Zhukova. E re, tepër e bukur, tmerrësisht e pasur (falë të atit) dhe e dashura e një prej individëve më të pasur në botë, zotëruesit të skuadrës britanike të futbollit, Çelsi. Por 26-vjeçarja është diçka më shumë se kaq, është një motor i vërtetë në botën e modës. Marka e saj, "Kova & T" shitet në më shumë se 70 butikë prestigjiozë anembanë globit, ndërkohë që është vënë në krye të një revolucioni - ka marrë përsipër misionin t‘i tregojë së gjithë botës se rusët janë konsumatorët më të mëdhenj të luksit në planet.
Dhe rusët nuk bëjnë shaka kur vjen fjala te luksi. Në gjysmën e viteve ‘90-të, pasanikët e rinj të vendit fituan shpejt reputacionin e njerëzve që u pëlqenin shumë diamantet, markat e shtrenjta dhe veshjet nga koka te këmbët të dizajnuara nga stilistë prestigjiozë. Pas një dekade, e lodhur dhe e mërzitur nga ky reputacion, elita ruse është në kërkim të diçkaje të re. Kështu që shijet e rusëve po modifikohen dhe është pikërisht Dasha Zhukova në krye të kësaj lëvizjeje për shkëputjen nga shijet e periudhës postsovjetike. Marka e saj (Kova prej mbiemrit Zhukova dhe T për partneren Kristina Tang) u përhap si stuhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2006.
Dasha banon në Londër, por është vazhdimisht në udhëtim në Majemi, Los Anxhelos, Nju Jork, Paris e Moskë dhe flet një anglishte të kulluar. "Moska është në një fazë transformimi nga gjithçka e blerë në të njëjtën firmë, te diçka më ‘casual‘", thotë ajo. "Për këtë arsye, marka ime është pritur aq mirë në Rusi. Njerëzit po fillojnë të pëlqejnë më shumë një palë xhinse e një bluzë të thjeshtë, se blerja e gjithë kompletit të koleksionit të fundit ‘Guçi‘". Zhuka është përfaqësuesja tipike e një lloji të ri të sipërmarrësve rusë. Ka pushtet, influencë dhe njohjet e duhura: Kamila Fajed është një mikeshë e ngushtë e bukuroshes ruse, ndërsa Drju Berrimor e binjaket Olsen janë kliente besnike të markës së saj.
U largua nga atdheu në moshën nëntëvjeçare, në fillim të viteve ‘90-të, bashkë me të ëmën, Elenën, mikrobiologe, së cilës iu ofrua një punë në Universitetin UCLA të Los Anxhelosit. Prindërit iu ndanë kur ajo ishte tre vjeçe. Babai i saj, miliarderi Aleksandër Zhukov, ortak i Abramoviçit, e menaxhon perandorinë e tij të biznesit nga Londra dhe Moska. Kur shkollohej në Kaliforni, Dasha u njoh me Kristina Tang, partneren e ardhshme, bija e miliarderit nga Shangai, Deivid Tang.
Firmën e përbashkët e ngritën në vitin 2005. Marka, e cila gjendet në xhinse, bluza, minifunde, funde lëkure etj., u mirëprit shpejt nga të paktën 50 butikë prestigjiozë në shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zhukova u gjend krejt rastësisht në botën e modës. "Ndodhi pasi përfundova studimet universitare në Amerikë dhe nisa të shkoja edhe në Rusi. Ideja për ‘Kova & T‘ lindi pas një evenimenti bamirësie mode në Moskë, në vitin 2003. Po kërkonim të gjenim ndonjë palë xhinse që nuk i përkisnin ndonjë firme prestigjioze, të cilat të mund t‘i zbukuronim sipas qejfit tonë. Nuk arritëm të gjenim asnjë prodhim që të mos i përkiste ndonjë marke të famshme. Pasi kërkuam e kërkuam, menduam, ‘përse të mos i prodhojmë vetë një palë xhinse të thjeshta?‘".
Dhe ia doli më së miri të ndryshonte shijet e vajzave ruse. "Të gjitha duam të dukemi si Dasha", thotë Aizel Trudel, pronarja e një butiku shumë në zë në Moskë. Këto vajza kërkojnë me dëshpërim të zënë një vend në listën e njerëzve të veshur më mirë në Moskë. Shumë vajza ruse ëndërrojnë të bëhen me peshë në jetën sociale të vendit, të martohen me oligarkë apo me emra të famshëm në botën e modës. Kira Palstini ka arritur dy prej këtyre tri ambicieve, por në moshën 15-vjeçare është ende shumë e re për t‘u martuar. I ati, Sergei Plastinin, ka një pasuri që i kalon 500 milionë eurot. Me ndihmën financiare të të atit, vitin që shkoi, hapi një zinxhir butikësh. Tani është edhe dizajnuesja zyrtare e programit televiziv tepër popullor në Rusi "Fabrika e Yjeve". Çmimet e veshjeve të Kirës fillojnë nga 80 eurot dhe synojnë të bëjnë për vete shtresën e mesme të rusëve.
Ndërkaq pjesa më e madhe e rusëve janë të varfër: të ardhurat mesatare janë rreth 10 mijë euro në vit, por një numër shumë i madh të rinjsh në kryeqytet fitojnë shumë më tepër se kaq. Ndërkohë që për të rinjtë moskovitë të ardhurat prej 30-40 mijë eurosh në vit janë më se të zakonshme në një shtresë profesionistësh te të tridhjetat. Ata që punojnë për kompanitë e huaja fitojnë edhe më shumë. Në terma realë, një rrogë e tillë vlen shumë më tepër në Moskë se në vendet perëndimore, pasi shumë familje zotërojnë shtëpitë e epokës sovjetike dhe nuk janë të detyruar të paguajnë qira apo të blejnë me këste.
Në këtë klimë, Kira Plastinina shet thuajse 40 mijë produkte në muaj në 15 butikët e Moskës dhe 12 të tjerët të shpërndara në qytetet kryesore të Rusisë. Tani kompania i ka hedhur sytë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos duke parë suksesin e "Kova & T".
Ndërkaq, nëpër dyqanet e Moskës, dashuria për luksin po kalon përtej çdo parashikim. "Deri në vitin 1997, vështirë se i hynte njeri bizneseve të tilla", thotë Olga Mamonova, zëvendëspresidentja e kompanisë "JamilCo", e cila menaxhon degët e "Hermès", "Burberry", "Ferragamo", "Chaumet" dhe "Escada" në Rusi. "Në atë kohë, klientët tanë qenë disa qindra. Tani janë mijëra. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Për të blerë një shall ‘Hermes‘ nuk duhet të jesh patjetër milioner. Duhet kuptuar vetëm se është diçka që ia vlen ta kesh. Ky është luksi i vërtetë. Jo çmimi i produktit".
Mamonova është një 46-vjeçare e pashme, nënë e pamartuar e një vajze 26-vjeçare dhe një djali 6 vjeç. Shpjegon se në epokën sovjetike ishte mësuese anglishte. Rasti i shkëlqyer iu shfaq kur u kontaktua nga një biznesmen, i cili donte të ngrinte një zyrë lidhjesh me kompani të huaja dhe i nevojiteshin aftësitë e saj gjuhësore. "Mjekët dhe mësuesit qenë detyruar të shisnin nëpër tregje. Brezi im qe shumë fatlum - qemë në moshën e duhur për të pasur aftësi profesionale, por jo aq sa të mund të ndryshonim mentalitetin. Mund të ulesh e të presësh që dikush të bëjë diçka për ty. Por mund të përpiqesh edhe vetë për të bërë diçka. Nuk është në karakterin tim të ulem e të pres".
Kompania ku punonte mori përsipër të importonte për herë të parë në Rusi produktet e firmës "Levi‘s". "U gjenda në kohën e duhur në vendin e duhur. Për sa i përkiste firmave shtetërore, dy apo tri marka ishin më se të mjaftueshme. Askush nuk e dinte çdo të thoshte veshje firme. ‘Levi‘s‘ qenë shumë të shtrenjta për këto kompani dhe nuk përbënin asnjë interes për to. As që u shkonte ndër mend t‘u hynin budallallëqeve si xhinset".
Përvoja që kompania kishte fituar gjatë perestrojkës me firmat "Levi‘s" dhe "Swatch" i shërbyen për të mësuar si të vepronin me emrat e mëdhenj të modës në mesin e viteve ‘90.
Është një fenomen tipik në Rusinë e ditëve të sotme: rusët meritojnë dhe vlerësojnë gjërat më të këndshme që mund të ofrojë jeta. Gratë janë në ballë të këtij fenomeni. Olga Mamonova ka një teori të sajën për të shpjeguar përse gratë ruse, të reja apo të moshuara qofshin, tërhiqen kaq fort nga luksi. Në Rusi ka një krizë të fortë demografike: në popullatë numëron 10 milionë femra më shumë se meshkuj. Ky është një problem që i ka rrënjët larg në kohë: shumë burra vdiqën gjatë fushatave të spastrimeve të Stalinit dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tani, për shkak të ritmit të ulët të lindjeve dhe alkoolizmit, mesatarja e jetës për meshkujt rusë nuk i kalon 59 vjetët, ndërsa për gratë është 72. "Gratë kanë nevojë t‘u bien burrave në sy", thotë Mamonova.
Po nga vijnë gjithë këto para për të shuar etjen e përhershme të rusëve për luks? Është e thjeshtë, thotë Aliona Doletskaja, redaktore e revistës "Vogue" të Rusisë. "Nafta shitet me çmim të lartë. Të rinjtë arrijnë të gjejnë më shumë vende pune me paga perëndimore. Dhe u pëlqen t‘i shpenzojnë paratë për produkte luksi: nuk e kanë problem të banojnë në një dhomë prej 14 metrash katrorë, por ama duan të ngasin një "Lexus"".
Ndërkaq edhe të tjerë vërejnë me kujdes e mësojnë shpejt. 39- vjeçari Igor Çapurin mendohet se do të jetë stilisti i parë që do të shpërthejë në Perëndim siç bënë dizajnuesit japonezë në vitet ‘80. "Këtu jemi përpara një paradoksi", thotë ajo. "Gjithë bota po kërkon mënyrën për të hyrë në tregun rus, ndërsa unë po mundohem të dal prej tij". I ka ekspozuar veshjet në Paris gjatë pesë sezoneve të fundit dhe ka në plan të hapë një dyqan në kryeqytetin francez gjatë këtij viti.
Tregon se klientët e tij rusë janë gra profesioniste që mund t‘ia lejojnë vetes veshje prej 3-4 mijë eurosh: bankiere, avokate, prezantuese televizive, aktore, këngëtare operash, figura të njohura të medias. Çapurin shet në Hong Kong, Seul dhe Tokio, ndërkohë që është i pranishëm edhe në Paris e Milano. Thotë se misioni i tij është që ta bëjë të famshëm kreativitetin dhe stilin rus.
Rusët kanë nostalgji të fortë për gjithçka që i përket Bashkimit Sovjetik. Por të paktën në disa vende kjo prirje ka ndryshuar. Gum, një supermarket pranë Sheshit të Kuq, i cili deri pak kohë më parë përbëhej nga dyqane e butikë të vegjël, tani është pushtuar nga stilistët e modës. Pjesa më e madhe e këtij ndryshimi i detyrohet Ala Verber, mbretëresha e Luksit në Rusi, zëvendëspresidentja e kompanisë "Mercuri", e para që importoi në Rusi produkte të "Prada", "Guçi" dhe "Dolce & Gabbana".
Verber, që është tani rreth të pesëdhjetave, ka lindur në Shën Peterburg. Familja e saj dikur kish qenë me influencë dhe e pasur, por gjërat ndryshuan në vitin 1917: në kohën e Stalinit gjyshi i saj kaloi 14 vite nëpër gulagët e Stalinit. Në vitet ‘70 i ati donte që vajza të bëhej dentiste, si ai vetë. "Bënim jetë të rehatshme në kohën e Stalinit, jetonim më mirë nga të tjerët", tregon gruaja me origjinë hebraike, "por gjyshi donte të largoheshim". Verber u dërgua nga familjarët në Itali për të marrë një vizë për në Izrael, por, teksa priste, një butik italian i ofroi punë dhe ajo vendosi të qëndronte. "Nuk flisja as anglisht e as italisht, por dija si t‘i vishja njerëzit", tregon ajo. Kurseu dhe bleu çantën e parë të "Guçi"-t. "Gjatë gjithë jetës nuk kam pranuar të blej asgjë po të mos qe luksoze", rrëfen. Më pas u zhvendos në Toronto dhe nisi të punonte si shitëse.
Në fundin e viteve ‘80, kompanitë kanadeze dhe amerikane nisën të shfaqin interes për tregun rus: Verber u kontaktua si i vetmi njeri që njihte rusishten në qytet. Dhe është padyshim ajo një prej arsyeve për të cilat tashmë rusët e pasur kanë nisur të blejnë në vendin e tyre. "Dikur njerëzit kuptonin se nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër veç të udhëtonin drejt Londrës për të blerë. Tani u kemi treguar se këtu kemi gjithçka, madje më shumë se tregu londinez. Vit pas viti, gjithnjë e më shumë njerëz rastis të më thonë, ‘shkova në Romë, por nuk e gjeta masën e duhur, ndërsa këtu po‘". "Këtu i kemi produktet më të shtrenjta - sqaron - për shkak të kostove të transportit, por gjithsesi do të kushtonte më shumë të blije biletën e avionit e të shkoje vetë në Itali apo Angli".
Marre nga : Gazeta Shqip