"Nuk kam dashur kurrë që Roman Polanski të përfundonte në burg për atë që bëri. Pavarësisht të gjitha sukseseve që ka arritur në jetë, gjithmonë do të kujtohet si regjisori i madh që abuzoi me një minorene dhe kjo, për një njeri të famshëm si ai, është ndëshkim. Unë e kam falur!"
Kështu, Samantha Geimer gjashtë vjet më parë, në një intervistë të gjatë për "Larry King Live", emisioni shumë i ndjekur i CNN, kishte shprehur publikisht për herë të parë ndjenjat e saj ndaj Roman Polanskit, regjisori polak që e përdhunoi më 10 mars të 1977-s, kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe. Për të mos u përgjigjur për atë krim, Polanski u largua nga Shtetet e Bashkuara në prag të procesit dhe shkoi në Francë. Një arratisje që tanimë përfundoi në Zyrih, ku regjisori kishte shkuar për të tërhequr një çmim për karrierën. Në fakt, kundër tij rëndonte gjithmonë një mandat arresti, i lëshuar nga autoritetet amerikane rreth 30 vjet më parë.
Tashmë Polanski, 76 vjeç, pritet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku rrezikon një dënim me 50 vjet burg. Për të do të ishte disfata e radhës, pasi jeta e tij karakterizohet nga dramat dhe problemet. I lindur në Paris nga një familje hebrenje, ku i mbijetoi persekutimeve naziste, gjatë të cilave humbi nënën, Polanski arriti famën dhe suksesin në fund të viteve ‘60 në Shtetet e Bashkuara. U martua me një aktore bukuroshe, Sharon Tate, por lumturia e tyre zgjati shumë pak. Sharon, nëntëmuajshe shtatzënë, u masakrua në vilën e saj bashkë me katër persona të tjerë. Kjo ishte vepër e sektit të Charles Manson, një grup satanist nga Kalifornia.
Tetë vjet pas masakrës, Polanski bën sërish një tjetër marrëzi. Abuzimi me Samantha Geimer e detyron të arratiset nga Amerika. Pas tridhjetë e dy vjetësh Polanski ndihej i sigurt, edhe pse nuk shkeli kurrë më në Shtetet e Bashkuara, ku e pret ende procesi gjyqësor, pasi ligji nuk e parashikon shlyerjen e dënimit për krimet e rënda.
Për të shmangur ekstradimin e tij nga Zvicra u mobilizuan krerët më të lartë të kulturës europiane. Por është një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik amerikan që kërkon të dijë se për çfarë arsyesh nuk duhet të paguajë për krimin e tmerrshëm që ka bërë, pavarësisht se viktima e tij e ka falur.
"I kërkova gjykatësit të Los Anxhelosit që çështja të arkivohej", ka deklaruar Samantha, që tashmë është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. "Për mua Polanski është një i huaj që e kam takuar dy ose tri herë gjithsej para 30 vjetësh. Ka paguar dhe ende vazhdon të paguajë për atë që më bëri".
Edhe një herë Samantha, jashtë sallës së gjyqit, ka treguar atë çka ndodhi atë ditë. E bëri në vitin 2003 para mikrofonave të Larry King: "E takova Polanskin kur erdhi në shtëpinë time për t‘i kërkuar nënës që të më linte të bëja disa fotografi për një revistë franceze", ka treguar Samantha. "M‘u duk një mundësi e mirë. Doja të bëhesha aktore. Kisha xhiruar disa spote publicitare dhe provime. Mendova se ishte mundësia më e mirë për të nisur karrierën time. Polanski e njihte time më: fundja ç‘të keqe kishte këtu? Në atë kohë Polanski ishte 40 vjeç, por nuk e dija me saktësi moshën e tij".
Në fillim regjisori i propozoi të pozonte për një provim. "Ishte një punë në natyrë, jo shumë larg shtëpisë sime. Herën e dytë duhej të ishte një shërbim më i vështirë, për këtë arsye më çoi në shtëpinë e Jack Nicholson në Mulholland Canyon". Vajza kishte besim tek ai. Ishte i rritur, i famshëm dhe e njihte nënën time. Pse Samantha duhej të dyshonte? Vajza që ëndërronte një karrierë në kinema, nuk dyshoi as kur vuri re se në vilën e Nicholson ishin vetëm ata të dy. Nuk ishte asnjë asistent fotografie, asnjë teknik dritash, asnjë grimier.
Në fillim gjithçka shkoi mirë. "Më fotografoi gjithë ditën", është shprehur Samantha për CNN. "Gjatë shërbimit fotografik unë kisha pirë shampanjë. Ndoshta prandaj ndihesha gjithnjë e më qetë. Kështu, kur filloi të errësohej dhe Polanski më tha të bëja një banjë në vaskën me hidromasazh që gjendej jashtë vilës, mendova se mos ishte ndonjë gjë e fortë. Isha e gjitha e zhveshur, por përpiqesha të mbulohesha me duar. Mendoja se këto fotografi ishin për ndonjë revistë europiane dhe e dija që andej standardet e censurës ishin ndryshe".
Samantha e njihte seksin. Prej disa muajsh ishte lidhur me një djalë, me të cilin kishte kryer edhe marrëdhënie seksuale. Por sigurisht nuk e priste atë që do të ndodhte më pas.
Polanski hyri në vaskë me mua. Kuptova se gjërat nuk po shkonin ashtu siç duhej. I thashë se duhet dilja dhe se doja të më çonte në shtëpi, sepse temperatura e ujit të nxehtë po më shkaktonte një krizë astme. Sigurisht që po shtiresha. Dola nga vaska dhe u mbështolla me një peshqir. Më pas hymë në shtëpi. Vazhdoja të thosha se nuk ndihesha mirë, se doja të më çonte në shtëpi". Por regjisori 40-vjeçar ishte i pashpirt ndaj kërkesave të vajzës.
"E gjeta veten të shtrirë në shtrat, në një dhomë të errët. Aty e kuptova se cili ishte qëllimi i tij i vërtetë, edhe pse vazhdoja t‘i thosha: ‘Jo, jo. Nuk dua të futem në atë dhomë. Jo‘. Por pastaj nuk dija ç‘të bëja më. Ishim vetëm. Nuk e di se çfarë mund të kishte ndodhur nëse unë do të isha rebeluar. Kisha frikë. Kështu mendova që nëse do të dorëzohesha dhe do të bëja ashtu siç donte ai, do të shkoja herët në shtëpi. Dhe kështu patëm një marrëdhënie seksuale".
Duke u bazuar te rrëfimi i Samantha-s, i përzier me frikë dhe konfuzion, Polanski thotë se ishte "seks i ndërgjegjshëm" dhe kishte si miratimin e vajzës ashtu edhe të familjes. Por gjykatësit thanë se do ta rishqyrtonin çështjen. Nga reagimi i tyre, Polanski e kuptoi se kishin si qëllim t‘i jepnin një dënim të rëndë. Për drejtësinë, regjisori kishte detyruar një vajzë 13-vjeçare të kishte marrëdhënie seksuale me të. Një përdhunim ndëshkohet me 50 vjet burg, prandaj ai u largua përgjithmonë nga Shtetet e Bashkuara për të mos u kthyer më kurrë, madje as për të tërhequr çmimin "Oskar" që fitoi në vitin 2003 me filmin "Pianisti".
Tashmë kush kërkon mëshirë në favor të tij bazohet edhe te falja e viktimës. Por shumë femra në të gjithë botën e shohin këtë kërkesë faljeje thjesht si një shfaqje që drejtësia ka një tjetër gjykim për pasanikët dhe njerëzit e famshëm. Përdhunimi mbetet përdhunim. Falja e një viktime si Samantha është një gjest i drejtë dhe shumë fisnik, ashtu siç është i drejtë edhe fakti që kush ka përfituar nga një vajzë 13-vjeçare, gjeni apo çfarëdo qoftë ai, duhet të përgjigjet para drejtësisë për veprimin e tij.
Gazeta Shqip