TIRANË, 22 Korrik/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, përmes një letre dërguar Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i ka shprehur mirënjohjen Qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Rama, për organizimin e Samitit rajonal të Ballkanit, kundër Ektremizmit të Dhunshëm, i cili u mbajt në datë 19 maj të këtij viti në Tiranë.
"Samiti i Ballkanit, i pari në radhën e Samiteve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ishte me rëndësi kritike për ndërtimin e mbështetjes rajonale dhe do të bëjë të mundur që shumë qeveri të ndjekin shembullin e Shqipërisë për të shpallur nisma konkrete kundër ekstremizmit të dhunshëm, në takimin e liderëve që do të mbahet në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të këtij viti", shkruan Sekretari i Shtetit.
Ai veçon si element tejet pozitiv dhe me ndikim në luftën kundër ekstremizmit të dhundshëm, nismën e palës shqiptare për të bërë pjesë të Samitit edhe shoqërinë civile.
"Sikurse Presidenti Obama vuri në dukje në Samitin e Shtëpisë së Bardhë në muajin shkurt, shoqëria civile, veçanërisht gratë, të rinjtë dhe pakicat fetare, kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur kundër ekstremizmit të dhunshëm", nënvizon në letër zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit.
Sekretari Kerry thekson në mesazhin përcjellë Ministrit Tahiri, se "Vetëm së bashku - duke bashkëpunuar ndërmjet qeverive tona, shoqërisë civile dhe sektorit privat - mund të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët, për parandalimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm".
Më poshtë letra e plotë e Sekretarit amerikan, Kerry:
I dashur zoti Ministër,
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Qeverinë e Shqipërisë dhe Kryeministrin Edi Rama për mikpritjen dhe organizimin e Samitit Rajonal të Ballkanit, kundër Ektremizmit të Dhunshëm (CVE), mbajtur në datë 19 maj.
Samiti i Ballkanit, i pari në radhën e Samiteve kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, ishte me rëndësi kritike për ndërtimin e mbështetjes rajonale dhe do të bëjë të mundur që shumë qeveri të ndjekin shembullin e Shqipërisë për të shpallur nisma konkrete kundër ekstremizmit të dhunshëm, në takimin e liderëve që do të mbahet në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të këtij viti.
Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Qeverinë shqiptare për përfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, në Samit.
Sikurse Presidenti Obama vuri në dukje në Samitin e Shtëpisë së Bardhë në muajin shkurt, shoqëria civile, veçanërisht gratë, të rinjtë dhe pakicat fetare, kanë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Vetëm së bashku - duke bashkëpunuar ndërmjet qeverive tona, shoqërisë civile dhe sektorit privat - mund të arrijmë qëllimin tonë të përbashkët, për parandalimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm.
Edhe një herë, ju falënderoj shumë për udhëheqjen tuaj në mikpritjen e këtij Samiti kaq të rëndësishëm. /a.g/