Dita ditës, në treg po përhapen orët inteligjente. Prandaj edhe gjigandët e teknologjisë janë në një garë të fortë mes tyre. Sipas të dhënave të fundit, vendin e parë në treg e zë kompania Samsung.
Pritej që tregun ta dominonte “Android Wear”, gjithsesi Google-it do t’i duhet kohë për t’ia kaluar Samsung-ut. Edhe kompania Apple në fund të vitit do të prezantojë një ore inteligjentë, me emrin “iWatch”. Por edhe kësaj do t’i duhet kohë për të pasur suksesin e kompanisë koreano-jugore.
Sipas raportit të “Strategy Analytics”, Samsung shiti pothuajse 500 mijë ora inteligjente gjatë tre-mujorit të parë të vitit 2014, duke zënë kështu 71 për qind të të gjithë tregut. Këtu nuk janë përfshirë shitja e pajisjeve të fundit të kompanisë, si “Gear 2”, “Gear 2 Neo” dhe “Gear Fit”, të cilat janë hedhur në treg në muajin prill. Sipas këtij raporti tregu botëror i orëve inteligjente ka pasur një rritje me 25 për qind gjatë tre-mujorit të parë të këtij viti, krahasuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.