Samuel Beckett Nje burre nga Dublini

Samuel Beckett, Nje burre nga Dublini

Barbara Bray nuk mund ta mendonte se ai udhëtim me tren drejt Parisit do t’ia bënte më të rralla kthimet në Londër. Ajo e takoi Samuel Beckett në zyrën e saj në ambientet e BBC. Portreti i tij ishte ashtu si dramat që shkruante. I ftohtë, me rrudhat që ishin shpërndarë shkujdesur në fytyrë, që e bënin të ngjasonte si një personazh teatri absurd. Ajo mban mend dhe xhaketën ngjyrë kafe që ai kishte veshur sipër një pulovri të lehtë. Gjithçka ndryshoi kur ai u afrua pranë saj, për t’i treguar veprën që kishte shkruar. U deshën vetëm disa sekonda që ajo të kuptonte se takimet me të nuk do të ishin takime të zakonshme pune. Korrespodenca që nisën më pas lidhur me bashkëpunimin në BBC do të ngjyrosej nga letra në letër me fjalë të ngrohta që e bënin Barbara-n t’i dukej vetja si personazhi i Duras tek libri “Dashnori” që po përkthente. Beckett i tha që e donte një mbrëmje, teksa e ftoi për të diskutuar mbi librin e tij të fundit. Teksa ecnin pas mesnate drejt apartamentit të saj, Barbara e ndjeu se nuk do të ndahej më nga ky burrë.


Barbara Bray, redaktorja dhe përkthyesja e njohur angleze është një nga femrat më të rëndësishme në jetën e Samuel Beckett. Edhe pse lidhja e tyre ishte e fshehtë, pasi Beckett ishte i martuar, që pas takimit të parë më 1957 e deri në vdekjen e tij, ata nuk u ndanë asnjëherë. Ajo ishte 34 vjeçe, ndërsa ai 52. Gjatë një vizite që i bëri në Paris më 1961, ajo i tha se ishte gati të zhvendosej në Paris për të qenë pranë tij. Përgjigjja e Beckett ishte se ai nuk mund të linte gruan me të cilën jetonte prej 20 vitesh edhe pse ishte i dashuruar me të. Megjithatë Barbara u shpërngul në Paris, dhe Beckett jetoi më shumë pranë saj. Ajo nuk ishte thjesht e dashura, por edhe kritikja dhe frymëzuesja për Beckett. “Ajo ishte e vogël, dhe tepër tërheqëse, por mbi të gjitha fort inteligjente e shumë e lexuar. Takimi i tyre ishte shumë i rëndësishëm në jetën e të dyve. Ai nisi menjëherë një marrëdhënie me të dhe e mbajti atë gjithë jetën paralelisht me martesën që kishte me Suzanne-n”, shkruan kritiku dhe miku i Beckett, James Knowlson. Në tetor të vitit 1969, kur ishte me pushime në Tunis, me bashkëshorten Beckett, mori lajmin se ishte fitues i çmimit “Nobel”. Duke menduar jetën private të të shoqit, Suzanne e quajti çmimin “një katastrofë”.

 

Jeta e Beckett nuk ndryshoi shumë pas “Nobel”-it. Ai vijoi jetën e tij private duke dashur të jetojë larg shtypit, të shmangë takimet me miq artistë apo studiues. Në kujtimet e bashkëkohësve, Beckett tregohet si një burrë tërheqës për femrat. Rëndësia që Barbara pati në jetën e tij do të bëhej publike pas vdekjes së Beckett. Në vitin 1997, “Trinity College” në Dublin e pagoi atë me £250,000 për 700 letra që ajo kishte nga marrëdhënia me Beckett-in përgjatë 30 viteve. (Pasi vetë Beckett-i e kishte djegur të gjithë korrespodencën personale para vdekjes). Letrat tregonin rëndësinë që kjo grua kishte pasur në jetën dhe letërsinë e shkrimtarit, por dhe konceptet dhe vështirësitë me të cilat ai shpesh ishte përballur. Pas shpërnguljes në Paris, ajo nisi karrierën si përkthyese, duke përkthyer shkrimtarë si Marguerite Duras, Sartre, Anouilh, Genet, Amin Maalouf, Ismail Kadare apo Tahar Ben Jelloun. Samuel Beckett është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë botërore. Ai lindi më 13 prill 1906 në Dublin, Irlandë. Pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë në “Trinity College” të Dublinit ishte lektor i anglishtes në “Ecole Normale Supèrieure” të Parisit ku njohu dhe u bë mik i James Joyce.

 

Më 1938, pas vitesh të turbullta shkuar mes Irlandës, Anglisë dhe Francës vendosen në Paris. Bën pjesë në Rezistence dhe në 1942 i shpëton Gestapos e strehohet në Francën Jugore ku shkruan romanin “Watt”. Pas shkrimeve të para në gjuhën angleze, mes të cilave një trajtesë filozofike (Dante, Bruno, Vico, Joyce, 1929), një eseje kritike (Proust, 1931), një përmbledhjeje në vargje (Echo’s Bones, 1935) dhe romanit të tij të parë (Murphy, 1938), në vitin 1943 Beckett i nis të shkruajë në gjuhën frënge, duke i përkthyer ai vetë veprat në anglisht. I rikthyer në Paris në vitin 1950 shkruan romanet “Molloy” (1951), “Malone vdes” (1951) dhe “I paemërtueshmi” (1953), një trilogji narrative, në të cilën personazhet monologuese të mbërthyer në palëvizje do të jenë lajmëtarë të temave dhe së gjithë poetikës së prodhimit beketian. Vepra e tij vë në skenë ankthin e njeriut ballë absurditetit të ekzistencës. Përmes një rrëfimi që bëhet gjithmonë e më i ngjeshur dhe esencial, dramat shprehin, edhe fizikisht, gozhdimin e personazheve, një kuadër ku nuk është i mundur asnjë evoluim ekzistencial apo psikologjik.Samuel Beckett-i shkon te më e mira. Nuk dua të dëgjoj filozofira, trakte të shkëputura, dogma, të vërteta të imponuara apo gjëra të tilla. Unë dua vetëm gjëra të bazuara në diçka. Dhe këtë e ka bërë mjaft mirë Beckett-i në veprat e tij. Është një autor i madh dhe kushdo mund të flasë me orë të tëra për të. Është shumë kurajoz, të heq çdo lloj stresi. Çdo fletë që lexoj më bën që të kthej me vrap tjetrën nga pas, pasi kurioziteti më shtyn të lexoj edhe pse mund të jem shumë i zënë në ato momente. Nuk lë asnjë situatë pezull apo pa sqaruar, ka shumë detaje të bukura dhe jo të bezdisshme dhe të gjitha këto mishërohen te kryevepra “Duke pritur Godonë”. Përmes veprave të shkruara prej tij, kuptoj mjaft mirë”, shprehej për të Harold Pinter.

 

Beckett është konsideruar si eksponenti më i lartë i teatrit absurd. Në veprat e tij surreale janë portretizuar individë të paralizuar nga makthi përballë një bote pa sens e të detyruar të struken në shkretinë e mendjes. Në vitin 1969 vlerësohet me çmimin “Nobel”. “Samuel Beckett-i në bazë të disa sondazheve të bëra, është i pëlqyer nga të gjithë gjeneratat. Ai i dha zë shpirtit nëpërmjet përshkrimit të situatave, të ngjarjeve që ka thurur në veprat e tij. Si meshkujt ashtu edhe femrat kanë një preferencë për të ku Beckett-i hyn në shkrimtarët më të pëlqyer. Është shumë relaksues. Situatat bëhen më interesante kur ai flet edhe për besimin në Zot, si një forcë të madhe të mbinatyrshme. “Duke pritur Godonë” është një libër që fillimisht nuk u duk se do të kishte suksesin e kryeveprave të tjera botërore, por shumë shpejt ajo u bë një bestseller dhe që zuri vend për kohë me radhë në libraritë botërore. Fakti që veprat e tij janë vënë në skenë në teatro të ndryshëm, do të thotë se ai është i madh. Unë do të mund ta krahasoja gati në radhët e autorëve si Shekspiri”, shkruan për të Richard Ellmann.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama