Sandra Bullock Ndonjehere eshte me mire te punosh me kafshet se sa me njerezit

Sandra Bullock: Ndonjëherë është më mirë të punosh me kafshët, se sa me njerëzit
"Duke parë suksesin e madh që pata, mendoj se do të zhvishem në të gjithë filmat që do luaj më pas". Suksesi për të cilin flet 45-vjeçarja Sandra Bullock, ylli i "Speed", "Miss FBI" dhe "Premonition", është filmi i saj i fundit, "The Proposal", ku shfaqet nudo përkrah Ryan Reynolds, 33 vjeç, i cilësuar si një prej meshkujve më seksi në botë. Filmi, që në SHBA ka arritur të fitojë plot 34 milionë dollarë vetëm në javën e parë të daljes në kinema, ka bërë një bujë të jashtëzakonshme. Subjekti është i thjeshtë, por tërheqës. Ajo quhet Margaret, është kanadeze dhe menaxhere e një shtëpie botuese, ndërsa ai, Andrew, është asistenti i saj personal prej tre vjetësh. Meqenëse është kanadeze, zyra e emigracionit refuzon t‘i rinovojë vizën për të punuar në SHBA, ndaj rrugëzgjidhja më e lehtë është të martohet me ndonjë qytetar amerikan. Ajo, që nuk ka zgjidhje tjetër, vendos të martohet me asistentin e saj, që duke pretenduar për një karrierë të suksesshme dhe ngritje në detyrë, e pranon propozimin e saj. Djaloshi simpatik, pas vendimit të marrë vendos që ta prezantojë të fejuarën e tij me familjen, e cila jeton në një qytezë të humbur në Alaska. Një komedi ku ngjarjet rrjedhin natyrshëm dhe të lënë pa fjalë.

Si ishte të luanit një skenë nudo me një prej meshkujve më seksi në botë?

Shumë e thjeshtë, sepse mbi të gjitha e dija se përkrah tij askush nuk do të mund të më shihte mua. Isha e sigurt se në momentin kur Ryan do të hiqte rrobat, sytë do të drejtoheshin nga ai dhe unë "do të kaloja" pa u vënë re.

Sa ditë u deshën për të xhiruar atë skenë?

Na u deshën plot tri ditë. Në fillim ishim pak nervoz. Pastaj ditën e tretë elektricistët dhe asistentët nuk ngrinin më as kokën, madje edhe po të kërceja nudo në sheshin e xhirimeve, nuk do më kishin parë. Bëj shaka. Problemi i vërtetë ishte te skena ku unë duhej të dilja me vrap nga banjoja dhe të përplasesha te Ryan. Nëse na shpëtonte ndonjë element, duhet ta fillonim nga e para. Por edhe pse u lodhëm, u argëtuam shumë, sidomos nga prania e qenit.

Një qen i vogël, si arritët ta bënit të interpretonte?

Vërtet, por mund të them se ishte aktori më i mirë me të cilin kam punuar. Ndonjëherë është më e lehtë të merresh vesh me kafshët, se sa me njerëzit. Por, mos ia thoni Ryan-it.

Dukeshit shumë energjike në këtë film, mbi të gjitha jashtëzakonisht e dhënë pas punës?

Ju rrëfej se edhe në jetën e përditshme jam kështu. Jam shumë e përkushtuar pas punës. Megjithatë, që kur jam martuar po përpiqem të "dezintoksikohem". I zgjedh me kujdes projektet dhe në darkë kthehem në shtëpi dhe fik telefonin. Unë gjithmonë kam punuar si një e çmendur, sepse puna ishte jeta ime, ishte gëzimi im. Nuk kishte asgjë tjetër që të më jepte aq shumë kënaqësi dhe e shijoja deri në fund. Pastaj gjërat ndryshuan papritur, martesa, familja".

Meqë ra fjala te martesa, burri juaj quhet Jesse James, si personazhi i famshëm në kohën e luftës civile amerikane? Kanë ndonjë lidhje?

Është një stërnip i tij. Në familjen e tij, në çdo brez, fëmija i parë mashkull quhej Jesse. Ai që ndryshon është emri i dytë. Ai quhet Jesse Gregory James. Jam krenare që jam martuar me të.


Personazhi juaj tregon për një shefe shumë të ftohtë dhe kërkuese. Kështu është Sandra Bullock edhe në jetën e përditshme?

Shpresoj që të mos më identifikojnë me Margaret. Nuk kam pasur kurrë njerëz që punojnë për mua, por që punojnë me mua. Megjithatë, unë vetë kam njohur njerëz të tillë. Bota e kinemasë është plot me persona arrogantë dhe agresivë. Si producente mendoj se jam e ashpër aq sa duhet, por nuk kam trajtuar kurrë keq njeri. Nuk jam maniake, histerike. Kam edhe unë momentet e mia, por gjithsesi, në përgjithësi ata që më rrethojnë e dinë që duhet të punojmë në qetësi dhe harmoni.

Familja juaj vjen nga bota e spektaklit, edhe pse gjyshi nga ana e nënës ishte një shkencëtar që merrej me çështjet e raketave?

Mamaja ime ka qenë një mësuese operash, kurse im atë mësonte shqiptimin e gjuhës. Unë kam nisur të ngjitem në skenë në moshën 7-vjeçare. Ka qenë në një opera, "The Gipsy Baron". Aty kam mësuar edhe leksionet e mia të para në botën e artit.

Si u ndjetë në momentin kur u bëtë e famshme?

Mendoj se përparësitë e të qenit i famshëm shterojnë me faktin se mund të marrësh një tavolinë të mirë në restorant, ose në marrjen e dhuratave. Për të tjerat nuk mendoj se të hyn në punë. Të jesh një emër i njohur, nuk të ndihmon për asgjë, nëse nuk e bën punën si duhet. Publiku është gati të të hedhë poshtë në çdo kohë, nëse bën diçka që atij s‘i pëlqen.

Kohët e fundit keni thënë se aktoret e kanë kaq shumë problem ta tregojnë moshën, sa që harrojnë sa vjeç janë. Po ju a gënjeni për moshën?

Ah sa do më pëlqente, por sinqerisht nuk mundem. Po ju tregoj një histori të vogël. Një herë, në një udhëtim në Gjermani, i tregova bashkëshortit tim kopshtin e shkollës ku kam qenë. Kur isha e vogël, më kishin rrahur miqtë e mi. Ata më kishin pyetur se sa vjeçe ishte nëna ime dhe unë u pata thënë 18, sepse kështu na kishte thënë ajo t‘u thoshim atyre që na pyesnin. Ata sigurisht që nuk e besuan, ndërsa unë ngulja këmbë. Nga një fjalë te tjetra dhe gjithçka përfundoi me një zënkë të bukur, nga e cila mora një mësim të rëndësishëm.

Ndryshe nga shumë njerëz të famshëm, ju duket sikur nuk bëni një jetë hollivudiane. Nuk keni dalë asnjëherë në faqet skandaloze të "National Enquirer". Cili është sekreti?

Para së gjithash nuk jetoj në Los Anxhelos dhe gazetarët janë shumë dembelë për të udhëtuar deri në Teksas ku unë jetoj. Los Anxhelosi më ka dhënë shumë, është treguar i mirë me mua, por tani bëj një jetë ndryshe, normale. Nuk jetoj ashtu siç njerëzit mendojnë se jeton një njeri i famshëm: festa, tapet i kuq, plazhe ekzotike. Nuk zgjohem në mëngjes me fiksimin dhe frikën se do më fotografojnë në gjithçka që bëj. Dal, shëtis dhe bëj pazarin si çdo njeri tjetër normal. Sigurisht, ndonjëherë duhen marrë masa për të mbrojtur jetën private, që edhe pse shpesh duket një mision i pamundur, mund të bëhet.

Si?

Mjafton t‘i telefonosh paparacët, që ata ta marrin vesh se ku je duke shkuar. Është shumë e thjeshtë.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama