Ekzekutorët e bankierit Artan Santo janë treguar të kujdesshëm duke mos lënë asnjë gjurmë. Ata kishin veshur xhupa lëkure dhe në kokë mbanin kaska të zeza, me xham të errët para, ku nuk dallohej fytyra. Prokuroria thotë se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur ndonjë gjurmë gome të motorit, ndërsa saktësojnë se nuk janë gjetur as gëzhoja, pavarësisht se ata kanë qëlluar disa herë, ku tri predha kanë goditur për vdekje 58-vjeçarin.
Nisur nga këto mekanizma, policia thotë se arma e krimit është një pistoletë me mulli, që dyshohet të jetë revolveri tip P.38, i një kalibri të lartë. Sipas hetuesve, deri më tani përdorimi i kësaj arme me mulli ka bërë që në vendin e ngjarjes të mos sekuestrohet asnjë gëzhojë, e cila si provë e rëndësishme për policinë shpeshherë të çon dhe tek autorët. Këto detaje duket se janë përllogaritur më së miri nga atentatorët, ku veç kaskave të padukshme, motorit pa targa, xhupave të zinj pa asnjë shenjë dalluese, kanë fshehur dhe gëzhojat, duke përzgjedhur pistoletën me mulli, e cila ka lënë vetëm disa predha dhe viktimën.
Burimet nga prokuroria thanë se kanë sekuestruar vetëm dy predha, të gjetura në trupin e viktimës, ndërsa thonë se nuk kanë gjetur prova të tjera, që mund të ndihmonin hetuesit për identifikimin e ekzekutuesve. Mungesa e autorëve do ta vështirësojë gjetjen e tyre, pasi hetuesit nuk mund të kenë prova plotësuese, pavarësisht se mund të kenë edhe ndonjë të shoqëruar më pas.