Europiani nis sot siparin e çerekfinaleve dhe në fushën e lojës do të zbresin Portugalia me Poloninë. Trajneri i luzitanëve, Fernando Santos, ka shprehur besimin dhe bindjen se ekipi i tij do të shkojë në gjysmëfinale. Ai e krahason Poloninë me Kroacinë dhe thotë se të tijtë duhet të jenë të vëmendshëm për të bërë një ndeshje pa gabime.
Polonia
"Mendoj se kundërshtarët tanë ngjasojnë shumë me Kroacinë. Do të jetë një ndeshje e balancuar, sepse Polonia është një ekip me strategji të mirë. Shkojnë nga mbrojtja në sulm me shumë qetësi dhe nga kjo mund të kuptosh çfarë pune bëjnë ata. Polonia ka edhe lojtarë që mund të bëjnë diferencën. E kemi studiuar mjaft mirë, prandaj dua që lojën ta kontrollojmë ne".
Ronaldo
"Të gjithë flasin për Ronaldon dhe ka një arsye për këtë. Ai është një futbollist i shkëlqyer dhe mund të bëjë diferencën në çdo moment. Ronaldo ka dëshirë të shënojë, por s'i bën dot 10 gola në një ndeshje. Kundërshtarët nuk të lënë kaq shumë hapësira. Megjithatë, ne kemi edhe futbollistë të tjerë dhe nuk duhet të përqendrohemi vetëm tek ai".
Forma
"Kam 23 futbollistë në formë shumë të mirë. Skuadra është e motivuar dhe e dinë çfarë duhet të bëjnë për ta fituar këtë ndeshje. Kam lojtarë që kanë eksperiencë edhe me ekipet e tyre dhe kanë fituar trofe të rëndësishëm. Ne besojmë se mund t'ia dalim. Duhet të bëjmë kujdes dhe të tregojmë vlerat tona në këtë sfidë".