Santoro, në bazë të hartës së rrezikut arkeologjik të hartuar nga ky mision, ka folur për dëmet e mëdha që janë bërë në zona të caktuara, ndërsa ka theksuar se arkitektët dhe inxhinierët shqiptarë refuzojnë të aplikojnë teknikat e reja për bashkëjetesë mes ndërtimeve të reja dhe rrënojave arkeologjike. “E mendoni të hyni në një supermarket dhe poshtë tij, përmes dritareve të xhamit të shihni rrënoja arkeologjike”, thotë ajo, duke sjellë shembuj të suksesshme nga vende të tjera.
Teksa flet për amfiteatrin, ku misioni ka përqendruar punën e tij, për zbulimet, shtresëzimet e epokave, për gladiatorët, për skeletet e gjetura dhe historitë e ndërtuara deri në detaje për vdekjen e tyre, Santoro ndalet te disa pamje. Shohim një sërë kosha plehrash në buzë të një gërmimi arkeologjik. Rreth e rrotull makina të parkuara ku të munden. “Çdo ditë aty ndalojnë makinat e plehrave, të cilat më së shumti hidhen në tokë. I marrin këto mbeturina, hedhin një pluhur dezinfektues, duke lënë pas një erë që nuk mund as t’i afrohesh monumentit”, ka thënë Santoro, duke sjellë të tjera fotografi si dëshmi e një neglizhence qytetare.
“Banorët e zonës e përdorin një pjesë të amfiteatrit si kalim i përditshëm. Kur ne jemi duke gërmuar, ndalojnë, na pyesin, e shmangin kalimin në të, por sapo ne largohemi, bëhet rrugë kalimi e përditshme. Ne kemi angazhuar edhe nxënësit e shkollave për pastrimin e kësaj zone arkeologjike, me qëllim sensibilizimin e tyre, por brenda këtij amfiteatri gjejmë vazhdimisht plehra të hedhura nga shtëpitë që ndodhen në një pjesë të tij. Kemi gjetur edhe lavatriçe të prishura apo objekte të tjera të hedhura mbi të”, shprehet profesoresha, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj këtyre monumenteve, si nga qeverisja vendore dhe lokale, sidomos në prag të sezonit turistik.
Ju keni folur për hartën e rrezikut arkeologjik në Durrës dhe për vrullin e ndërtimeve të reja në këtë qytet. Nëse u referohemi këtyre studimeve, sa është dëmtuar pasuria nëntokësore?
Duhet folur duke iu referuar zonave të caktuara. Për fat të mirë përqendrimi i ndërtesave të reja ka qenë afër bregut. Ka shumë mundësi që edhe kjo zonë të ketë pasur monumente të rëndësishme në antikitet, por dëmet më të mëdha janë bërë me ngritjen e godinave të mëdha në zonën qendrore të qytetit, aty ku është gjetur fari, në sheshin “1 Maji” dhe dëmi më i madh i është bërë kinema “Ilirias”. Afër rrethrrotullimit, aty ku ngrihet një ndërtesë shumë e madhe, e bardhë dhe jeshile, e dimë me siguri që janë shkatërruar monumente mjaft të rëndësishme dhe ka shumë mundësi edhe një pjesë e pallatit mbretëror. Ky është një dëm i madh, sepse çdo gjë që vjen nga antikiteti është e rëndësishme, por është më e lehtë t’u paraqesësh turistëve strukturat që janë më monumentale. Është më e lehtë që t’i paraqesësh publikut një pallat mbretëror se sa katër vazo të njerëzve të thjeshtë.
Gjatë fjalës suaj, folët për teknikat e reja dhe mundësinë e një bashkëjetese mes ndërtimeve të reja dhe rrënojave arkeologjike. Si mund të bëhet kjo?
Së pari mund të limitohen lartësitë dhe, nga ana tjetër, mund të bëjnë të mundur që këto rrënoja të përfshihen brenda ndërtesave të reja duke i ruajtur. Me këtë sistem mund të zvogëlohet dëmi dhe të ndërtohet duke respektuar këto struktura antike. Është një sfidë për arkitektët e inxhinierët, të cilët, sipas meje, janë njerëz përtacë, sepse kur ne u themi që kemi problemin e ekzistencës së këtyre strukturave, ata pretendojnë të mos i modifikojnë aspak projektet, duke e konsideruar lodhje të kotë. Në fakt nuk duhet të jetë kështu, ata duhet ta konsiderojnë një sfidë. Sipas meje është çështje e përgatitjes dhe e kompetencës profesionale, e njohjes së teknologjive të reja dhe e zbatimit të tyre. Këtu mund të gjendet zgjidhja e këtij problemi.
Ligjet që ndëshkojnë shkelësit janë. Atëherë nuk i marrin në konsideratë?
Ligjet janë, por nëse një arkitekt nuk pranon të ndryshojë as përmasat e garazhit, atëherë mua më lind natyrshëm pyetja se pse nuk është i gatshëm. Përgjigjja që marr më shpesh është se modifikimi do të rriste koston e ndërtesës, por unë mendoj se të kesh një ndërtesë që përfshin struktura antike, e rrit vlerën e ndërtimit dhe kompenson më vonë shpenzimet. Unë druaj se këta arkitektë apo inxhinierë nuk janë mjaftueshëm të përgatitur nga pikëpamja teknike për të përdorur teknologjitë e reja. Ky është i vetmi justifikim që gjej.
Ju projektuat një pamje tredimensionale se si mund të jetë amfiteatri në të ardhmen e po ashtu Instituti i Monumenteve e ka hartuar një projekt. Sa mundësi reale ka për rijetëzimin e këtij monumenti?
Nuk do të duhej shumë, nga 3-6 milionë euro, por siç më është thënë, këtë vit Qendra e Studimeve Albanologjike ka buxhet zero, universitetet dhe qendrat e tjera po ashtu dhe kur të gjitha fondet e tjera janë të mbyllura, bëhet e vështirë edhe t’ia propozosh një grupi investitorësh privatë. Nuk është moment i mirë. Besoj se herët a vonë do të bëhet. Amfiteatri është shumë i madh dhe Durrësi mjaft i rëndësishëm për ta lënë kështu. Kur situata të jetë më e përmirësuar, mund të gjenden edhe investitorë të huaj apo fonde ndërkombëtare. Për Shqipërinë do të jetë një sakrificë e madhe të bëjë e vetme një investim të tillë.
Një pjesë e amfiteatrit mbetet ende e pazbuluar dhe ka ende shtëpi në të. Do të ishte misioni juaj i gatshëm për një ekspeditë gërmimi në këtë pjesë?
Me siguri do të ketë një ekspeditë arkeologjike, por nuk besoj se do të jemi ne. Në këtë moment misioni ynë thuajse është i mbyllur. Të kalojmë në një gërmim të përgjithshëm të të gjithë zonës, do të thotë të hysh në një sipërmarrje të madhe dhe në këto momente edhe ne në Itali kemi probleme të mëdha ekonomike. Universitetet tona dhe ministritë nuk mund të mbështesin ndërhyrje të këtij lloji. Do të ishte e logjikshme një bashkëpunim ndërkombëtar për të bërë këtë gërmim me misione arkeologjike nga të gjitha vendet europiane. Asnjë nuk i ka paratë ta bëjë vetëm këtë gërmim.
Pamjet që ju ofruat me amfiteatrin të “mbytur” nga ndërtimet dhe mungesa e një informacioni shpjegues, të bën të mendosh se nuk është punuar sa duhet për ta kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik…
Në këtë amfiteatër është bërë një restaurim nga autoritetet shqiptare në vitin 2003, që ishte më mirë të mos ishte bërë. Ua kanë dhënë projektin personave jo kompetentë dhe rezultati ka qenë i pakthyeshëm. Duke fshirë gjurmët e gërvishtjes, është fshirë edhe shumë çka tjetër, një katastrofë. E kemi thënë dhe shkruar, por dëmi u bë. Në këtë moment, qeverisja lokale nuk bën aq sa duhet, edhe pse ka dhënë një dorë. Problemi i shtëpive duhet të zgjidhet e po ashtu ai i hedhjes së mbeturinave. Vërtet nuk ka fonde, por dega rajonale e monumenteve duhet të ndërhyjë më shumë për ta mirëmbajtur. Nuk mund të merremi ne që vijmë një herë në vit me pastrimin e amfiteatrit. Çdo vit humbasim një javë për ta pastruar. Mund të bëhet me pak më shumë vëmendje. Njerëzit nuk duhet ta përdorin më amfiteatrin si kosh plehrash.
Mungon ndjeshmëria?
Ne jemi përpjekur ta krijojmë, por është e qartë që është më e lehtë t’i hedhësh mbeturinat atje.
Cila është rëndësia historike e Amfiteatrit të Durrësit?
Është e pamasë. Ndonëse është vetëm një lagje dhe jo i gjithë qyteti, ka një vazhdimësi jete të pandërprerë dhe ai monument është dëshmitar i 3000 viteve jetë. Është si të shohësh një muze të hapur, sheh qytetin që rritet brenda tij dhe meqë fazat mesjetare nuk kanë qenë ruajtur në sitet arkeologjike, sepse tentohet të arrihet menjëherë në fazën romake e greke, bëhet një dokument unik dhe i papërsëritshëm. Nëse një turisti doni t’i tregoni historinë e Shqipërisë, e bëni lehtësisht duke u vënë përpara atij zbulimi dhe jo nëse vendoseni përballë monumenteve të një qyteti të braktisur si Apolonia, Foinike apo Butrinti.